Ultimatumet e ndërkombëtarëve për Kurtin dhe Vuçiqin - dialogu në një fazë vendimtare - ja çfarë pritet të ndodhë!

Politika

Ultimatumet e ndërkombëtarëve për Kurtin dhe Vuçiqin - dialogu në një fazë vendimtare - ja çfarë pritet të ndodhë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 janar 2023 Në ora: 21:15
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë, kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë, javën që po lëmë pas.

Kjo, me qëllim të përshpejtimit të bisedimeve mes dy palëve dhe arritjes sa më të shpejt të një marrëveshjeje finale, shkruan “Bota sot”.

Lufta në Ukrainë dhe synimi i Putinit për shtrirjen e konfliktit edhe në rajonin e Ballkanit, kanë alarmuar siç duket ndërkombëtarët dhe i ka bërë ta kthejnë ‘kokën’ nga Kosova dhe Serbia.

Pesë diplomatët qëndruan në Prishtinë, ku u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku më pas shkuan edhe në Beograd, ku u takuan me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Bazuar në deklaratat e Lajçak, pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin u kuptua se Kosovës presioni më i madh po i bëhet për pranimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë pranimi i planit franko-gjerman.

Qarri: Kosova dhe Serbia ndodhen para momentit vendimtar, për marrjen e vendimeve të mëdha

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” u shpreh se Qeveria e Kosovës po gjendet pranë një presioni të ndërkombëtarëve, ku si një nga kërkesat më të mëdha është formimi i Asociacionit.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, edhe Kosova edhe Serbia do të detyrohen të pranojnë disa imponime të ‘hidhura’ nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar, në emër të përgjegjësive politike e perspektivës evropiane.

Pas problemit të pamënjanueshëm si “zajednica” serbe, që renegatët Hashim Thaçi e Isa Mustafa, ia lanë kopil në derë, shtetit të Kosovës, vetvetiu mund të merret me mend nga të gjithë, se para çfarë presioni të fortë dhe hapësire të ngushtuar manovruese, gjendet Kosova dhe Qeveria aktuale nga ndërkombëtarët, si dhe sa e vështirë, për të mos thënë edhe e pamundshme, do të jetë të arrihet marrëveshje përfundimtare me një shtet hegjemonist si Serbia, pa jetësimin e këtij kanceri brejtës, brenda trupit të shtetit tonë të vogël, të destinuar të vuaj gjatë, nga sëmundja e pashërueshme që sjellë me vete “zajednica” serbe.

Nisur nga hapësira e ngushtuar për manovrime politike, jo vetëm për Kosovën por tanimë edhe për Serbinë hegjemoniste, duket se të dy vendet, do të detyrohen, të kapërdijnë edhe imponime të hidhura dhe jo fort atraktive, nga miqtë e mëdhenj dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar, në emër të përgjegjësive politike e perspektivës evropiane, si dhe sigurimit të paqes afatgjate në rajon”, deklaroi analisti.

Bazuar në deklaratën e Lajçakut, se Vuçiq ka treguar gatishmëri për marrëveshje me Kosovën, Qarri tha se kjo tregon qartë se tani ndodhemi para një momenti vendimtar në dialogun Kosovë-Serbi.

Madje i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve me diplomatët perëndimorë në Beograd, paska treguar përfundimisht, “qasje të përgjegjshme” dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë”.

Kjo dëshmon se Kosova dhe Serbia ndodhen para momentit vendimtar, për marrjen e vendimeve të mëdha, që do ti jepte fund dialogut maratonik mbi një dekadësh, me një dakordim jo aq të këndshëm, por të domosdoshëm dhe të patejkalueshëm politik, për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me pranimin e realitetit edhe nga Serbia hegjemoniste”, theksoi ai.

Gjithashtu, analisti vlerëson se angazhimi amerikan ka ndikuar në përshpejtimin e dialogut dhe është duke dhënë ‘frytat’ e para.

Dhe ashtu siç deklaronte edhe z. Dereck Chollet me rastin e vizitës së para pak ditëve në Kosovë, pas gjithë këtij presioni ndërkombëtar, ka shpresë që përfundimisht, të arrihet një marrëveshjen me njohje reciproke nga të dy vendet.

Kjo bindje forcohet edhe nga deklarata e z. Lajçak pas takimit në Serbi, i cili tha se përkundër bisedimit të vështirë e intensiv, ndihen të inkurajuar për rezultate, pasi që sipas tij, pasardhësi i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, ka treguar qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira.

Kështu që vizitat e shpeshtuara dhe angazhimi i shtuar amerikan, shihet qartë, se po japin frytet e veta, ndaj, përditë e më tepër, duket se marrëveshja përfundimtare është gjithnjë e më afër”, nënvizoi Qarri.

Po ashtu, tha se vizitat e pesë diplomatëve evropianë në Kosovë dhe Serbi janë sinjal që një presion i madh po bëhet ndaj dy shteteve për arritjen e një marrëveshje finale.

E duke pasur parasysh faktin se kësaj radhe, në takim, përveç Miroslav Lajçakut si ndërmjetësues i lartë i BE-së në dialog dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar merrnin pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Gjermanisë, z. Jens Plotner, ai i Francës, Emmanuel Bonne dhe këshilltari i kryeministres së Italisë, Françesko Talone, duhet kuptuar nga të gjithë se sa presion i fuqishëm ndërkombëtar është duke u zbatuar ndaj të dy palëve, e veçanërisht ndaj Kosovës, në emër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Gjithë kjo trysni, po bëhet në mënyrë që në këto kohë të trazuara dhe me tensione të rritura ushtarake dhe strategjiko-politike, për shkak të luftës okupuese të Rusisë në Ukrainë, të mos shpërthejë një konflikt tjetër edhe në këtë pjesë të Evropës, ku Rusia e Putinit, investon shumë që të eksportojë luftën, qoftë edhe në formë të kufizuar, në mënyrë që vëmendja e BE-së dhe SHBA-ve, të bije, për luftën që po zhvillohet në Ukrainë”, shpjegoi analisti.

Më tej, Qarri komentoi edhe pranimin e planit franko-gjerman nga Vuçiqi, gjë që sipas tij është shenjë se përfaqësuesit amerikanë dhe evropian kanë arritur ta thyejnë edhe këmbënguljen e Serbisë, kundër këtij plani.

Dhe për ndryshim nga herët tjera, kësaj radhe edhe vet Aleksandër Vuçiq, pas takimit me të dërguarit amerikano-evropian, deklaroi se është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit evropian, të njohur ndryshe edhe si plani franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që e bënë edhe më të qartë, se trysnia gjithnjë e më e fortë, që së fundi vjen më e unifikuar se deri më tani, me fuqi të bashkuara evropiane dhe amerikane, ka arrit ta thyejë edhe këmbënguljen e Serbisë, kundër këtij plani. Prandaj deklaratat e fundit na bëjnë të shpresojmë, se së shpejti mund të kemi marrëveshjen e shumëpritur për më tepër se një dekadë, të dialogut shterp dhe pa rezultate, që deri me ardhjen e Qeverisë Kurti, është zhvilluar, zvarritur e zvetënuar, ashtu siç ka dëshiruar Serbia, duke pasur edhe ndërmjetësuesit e BE-së, e veçanërisht Borell dhe Lajçak, në krah të saj”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, analisti tha se Kosovës presioni më i madh po i bëhet për formimin e Asociacionit.

Kurse deklarata e Lajçakut, pas takimit me palën kosovare, se delegacioni ndërkombëtar, ka pritur më shumë mirëkuptim, dëshmon se Kosovës vërtet po i bëhet presion shumë i fortë, nga ndërkombëtarët për formimin e asociacionit një etnik serb, që nënkupton se ndërmjetësuesit evropian dhe emisari i SHBA-ve, për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, kanë në plan, t`ia imponojnë Kosovës këtë krijesë të dyshimtë e të paqenë asnjëherë në trojet tona, të lënë kopil në derë të Kosovës, nga “renegatët” Hashim Thaçi e Isa Mustafa, e që me formimin e saj, shteti ynë i vogël, është pothuajse e sigurt, se do të ketë probleme të përhershme, jo vetëm sa u përket kompetencave ligjore e administrative, por edhe pretendimeve politike serbe për enklavizime të reja dhe ndarje territoriale, nga ekstremistët serb, të nxitur dhe mbështetur në vijimësi nga Serbia hegjemoniste”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehazi: Nyja e trysnive institucionale e Kosovës me Serbinë gjatë bisedimeve të ardhshme në Bruksel do jenë asociacionet serbe në Kosovë

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi tha se pika kryesore e negociatave në Bruksel është plani franko-gjerman.

Image
Sulejman Mehazi

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se vizitat e ndërmjetësuesve evropianë tregojnë qartë se kanë vendosur të pajtojnë Kosovën dhe Serbinë.

Plani franko-gjerman i dialogut Kosovë-Serbi do jetë pika kryesore e bisedimeve të ardhshme në Bruksel, mesazhi i qartë i bisedimeve serbe-kosovare do jetë njohja reciproke e dy shteteve fqinje. Pjesëmarrja e Presidentit të Francës, Makronit dhe Kancellarit të Gjermanisë, Sholcit, me anë të këshilltarëve të tyre, pastaj pjesëmarja e të dërguarit special të SHBA-ve Eskobar dhe kryeministres së Italisë, Meloni, japin shpresa serioze se BE, Franca, Gjermania, Italia tog me SHBA-të kanë vendosur që njëherë e përgjithmonë të pajtojnë palët kundërshtare të Serbisë dhe të Kosovës për një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke”, deklaroi profesori.

Sipas tij, këto vizita tregojnë se për kurtin dhe Vuçiqin, vazhdimii bisedimeve nuk do jetë shumë i lehtë.

“Vetë pjesëmarrja e të deleguarve evropian, francez, gjerman, italian e amerikan: Lajçak, Makron, Sholc, Eskobar, Meloni na bëjnë me dije se bisedimet e Vuçiqit me Kurtin nuk do jenë të lehta, por do të jenë të ashpra e me shumë trysni nga ana e diplomatëve evropianë e amerikan”, vlerësoi Mehazi.

Në fund, profesori tha se presioni më i madh për Kurtin dhe palën shqiptare ne këto negociata do të jetë Asociacioni.

“Në anën tjetër trysnia më problematike e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë do jetë statuti politikë e shtetëror i asociacioneve të pakicës serbe në Kosovë. Pra, pas Rambujesë pika kyçe e dialogut Serbi-Kosovë do jenë asociacionet serbe, këtu kurrsesi delegacioni i Kosovës në krye me kryeministrin Kurtin nuk duhet lëshuar pe për kërkesat e palës serbe për asociacionet ekzekutive të pakicës serbe, por të pajtohen për asociacione multietnike nën ombrellën e kushtetutës së Kosovës.

Shkurt e qartë, nyja e trysnive institucionale e Kosovës me Serbinë gjatë bisedimeve të ardhshme në Bruksel do jenë asociacionet serbe në Kosovë”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat