Kërkohet fond shtetëror për dëmet e shkaktuara nga vërshimet- Ky është qyteti që evitoi rrezikun nga përmbytjet

Politika

Kërkohet fond shtetëror për dëmet e shkaktuara nga vërshimet- Ky është qyteti që evitoi rrezikun nga përmbytjet

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 janar 2023 Në ora: 13:44
Vërshimet në Skenderaj

Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar nga vërshimet e fundit në vend.   

Më të prekurat nga këto vërshime, ishin komuna e Skenderajt dhe Mitrovica, por dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Istog e Klinë. 

Masat e menjëhershme janë ndërmerr në të gjitha vendet, të cilat janë prekur më shumë nga vërshimet, mirëpo dëmet ishin të mëdha. 

Probleme me këto vërshime kanë pasur edhe spitalet në Qendren Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të cilat sollën pasiguri për pacientët.  

Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve janë ndërmarr nisma të ndryshme humanitare për t`iu ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet.  

Këto ditë në pah është hedhur edhe mundësia e krijimit të një fondi të ri për vërshimet. 

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës ka theksuar se janë duke bërë vlerësimin për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në disa komuna. 

“Komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve nga zonat e prekura do t’ju qëndrojmë pranë përherë. Ndihma nga Qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skënderaj, Mitrovica, Klina e Podujeva bashkë do të ngrihen. Teksa po punojmë se bashku për të sanuar dëmet e shkaktuara përveç se me pasojën, kryeministri Kurti, tha se duhet të merren edhe me shkaktarët e shkallës së vërshimeve. 

Idrizi: Nuk është investuar asnjëherë në pastrimin dhe rregullimin e shtratit të lumenjve dhe argjinaturave 

Image
Ferit Idrizi

 

Për dëmet nga vërshimet “Bota sot”, kontaktoi kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili tregoi që dëmet kanë qenë milionëshe. 

Sipas kryetarit të Vushtrrisë, këto dëme mund të kompensohen vetëm me krijimin e një fondi nga Qeveria apo donatorët. 

“Po, vërshimet e fundit shkaktuan dëme milionëshe në shumë komuna të Kosovës, duke shkatërruar shtëpi, biznese dhe shumë dëme në bujqësi. Marr parasysh buxhetin e komunave, këto dëme mund të kompensohen vetëm me krijimin e një fondi nga Qeveria apo donatorët. Tani e sa vite, Kosova po rrezikohet nga vërshimet, jo për shkak të pozitës gjeografike (pasi njihet si "Kulmi i Ballkanit"), por, për shkak se nuk është investuar asnjëherë në pastrimin dhe rregullimin e shtratit të lumenjve dhe argjinaturave. Këtë gjë duhet ta vë në prioritet Ministria e Ambientit e cila është pronare e lumenjve”, u shpreh ai. 

Idrizi krejt në fund thotë që Vushtrria ka shmangur vërshimet këtë vit me të madhe pasi ka pastruar lumenjtë, përroskave, përrenjve dhe kanaleve kulluese që kemi bërë për me tepër se pesë muaj rresht. 

Duke theksuar që plane për të pastruar lumenjtë e tjerë kanë edhe këtë vit. 

“Shembulli i Vushtrrisë, tregon më së miri si mund t'ju shmangemi vërshimeve, pikërisht me pastrimin e lumenjve, përroskave, përrenjve dhe kanaleve kulluese që kemi bërë për me tepër se pesë muaj rresht. Fal kësaj pune, Vushtrria iu shpëtoj vërshimeve edhe kësaj radhe, dhe dëmet janë shumë të vogla. Edhe një veprim tjetër që duhet të ndërmerr Qeveria, është të ndaj fond emergjent për komuna, në mënyrë që për raste emergjente të fatkeqësive natyrore etje, komunat të intervenojnë menjëherë nga fondi emergjent. Edhe për këtë vit kemi planifikuar buxhet për pastrimin e Lumit Silnica, Lumit Llap, si dhe pastrimin e të gjitha proçkave , përrenjve dhe kanaleve kulluese në mënyrë që ta evitojmë rrezikun e vërshimeve”, përfundoi Idrizi për “Bota sot”. 

Ahmeti: Institucionet lokale dhe ato qendrore duhet bërë vlerësimin e dëmeve në mënyrë të përgjithshme 

Image
Tahir Ahmeti

 

Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se dëmet kanë qenë shumë të mëdha nga këto vërshime dhe se prioritet në fazën e rimëkëmbjes duhet të jetë ndihma për qytetarë e prekur nga këto vërshime. 

Gjithashtu, Ahmeti thotë se institucionet lokale dhe ato qendrore duhet bërë vlerësimin e dëmeve në mënyrë të përgjithshme për të ditur për komuna dëmet që kanë pasur. 

“Disa komuna kanë pësuar dëme shumë të mëdha gjatë këtyre vërshimeve, sidomos komuna e Skenderajt. Si prioritet në fazën e rimëkëmbjes duhet të jetë ndihma për qytetarë e prekur nga këto vërshime, qoftë me evakuimin e tyre nga ato zona më të rrezikuara, strehimin e tyre dhe furnizimin e tyre me gjëra elementare për jetë. Pastaj që institucionet lokale dhe ato qendrore duhet bërë vlerësimin e dëmeve në mënyrë të përgjithshme për komuna dhe individualisht për qytetare e prekur nga këto vërshime që kanë pësuar dëme”, u shpreh ai. 

Më tej, Ahmeti thekson që duhet gjetur një mënyrë që të shtohen fondet në mënyrë që shteti të i ndihmoj ata që dëmtohen nga fatkeqësitë natyrore. 

“Sigurisht që duhet gjetur mënyra që të shtohen fondet qoftë nga fondi që ju e përmendet, qoftë për ndarjen e mjeteve shtesë, sepse qytetarët janë taksa pagues të këtij shteti, dhe ata janë goditur nga kjo fatkeqësi natyrore, dhe shteti gjithsesi që e ka obligim që të ju dal në ndihmë. Por, edhe kërkesa për ndihmë dhe ndihma nga organizatat ndërkombëtare do të ishte e mirë se ardhur”, nënvizoi Ahmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat