Mirëpriten gjashtë vijat e kuqe të Albin Kurtit kundër asociacionit ekzekutiv serb

Politika

Mirëpriten gjashtë vijat e kuqe të Albin Kurtit kundër asociacionit ekzekutiv serb

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 shkurt 2023 Në ora: 08:00
Kryeministri Albin Kurti

Të enjten në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka dhënë gjashtë pika si kushte për themelimin e Asociacionit në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe mekanizmat përkatës institucionalë.

Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si pasuri shoqërore. Normalizimi i jashtëm i marrëdhënieve duhet t’i kontribuojë normalizimit të brendshëm të shteteve”, ka thënë Kurti.

Analistët politikë thonë se gjashtë pikat e prezantuara nga Kurti janë vija të kuqe ndalëse kundër asociacionit ekzekutiv serb në Kosovë, jo kundër ndërkombëtarëve, planit franko- gjerman, BE-së e ShBA-së.

Sipas tyre, këto pika duhen analizuar mirë dhe të gjendet një formulë uniteti në mes pozitës e opozitë, duke shtuar se ditët e javët në vazhdim do të jenë vendimtare për Asociacionin.

Kushti për Asociacionin

Skënder Mulliqi, analist politik në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Asociacioni me kompentenca ekzekutive luhat themelet e shtetit sipas planit multietnik të Ahtisarit.

Image
Skender Mulliqi

Sipas tij, trysnia e fortë që po i bëhet Kosovës ka bërë “që të vijmë thuaja para aktit të kryer sesi duhet vepruar në një situatë të tillë”.

“Asociacioni i komunave më shumicë serbe, është bërë temë e pashmangshme, se po kërkohet kohën e fundit, që të implementohet nga Kosova si marrëveshje tashmë ndërkombëtare të vitit 2013 dhe 2015. Patëm debate të shumta rreth kësaj teme thuaja jetike për Kosovën dhe të ardhmen e saj, nga njerëzit e politikës ndërkombëtare dhe të Kosovës, por edhe nga analistët, se a duhet të pranohet Asociacioni i formës me kompetenca ekzekutive, që nga pala shqiptare konsiderohet autonomi e gjerë për minoritetin serbe, që dërgon nga një tjetër Republika Srpska. Si i tillë është i pa pranueshëm për Kosovën, se i luhatë themelet e shtetit sipas planit multietnik të Ahtisarit, siç edhe e kanë pranuar shtetet më kualitative sot në botë e Evropë. Trysnia e fortë që po i bëhet Kosovës ka bërë që të vijmë thuaja para aktit të kryer se si duhet vepruar në një situatë të tillë. A duhet të kemi një asociacion të tillë, apo të kemi asociacion të formës shumë më të butë konform kushtetutës të Kosovës?”, pohon Mulliqi.

Asociacioni i minoritetit serb, sipas Mulliqit, më mirë do të ishte të hyjë në kuadër të asociacionit të komunave me shumicë shqiptare.

“E mira e së mirës do të ishte që asociacioni i minoritetit serb të hyjnë në kuadër të asociacionit të komunave me shumicë shqiptare. Kosova ka dhënë shumë viktima të luftës për lirinë dhe pavarësinë, e saj për të dhënë sërish, do të thosha të drejta shtesë për minoritetin serb, që nuk ka askund tjetër në botën demokratike. Përfaqësuesit e BE-së dhe Eskobar, nuk kanë sqaruar shumë se çfarë formë duhet të ketë asociacioni duke kërkuar më ngulm iplementimin e marrëveshjeve të Brukselit. Por, më shumë sqarime kemi pasur nga ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier i cili deklaroi pas organizimit të debatit në Ambasadën Amerikane se nuk do të ketë asociacion që nuk është konformë kushtetutës”, thekson Mulliqi.

Kushtet e prezantuara nga Kurti, për pranimin e Asociacionit janë:

Asociacioni i komunave i dalë në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).

Kërkohet unitet për planin franko-gjerman

Sipas Mulliqit, pikat e propozuara nga kryeministri Kurti duhet të shqyrtohen mirë dhe të gjendet një formulë uniteti në mes pushtetit dhe opozitës.

“Ne i kemi pa shumica pikat e planit franko-gjerman si bazë e mirë për arritjen e një marrëveshje finale më Serbinë. Disa nga këto pika janë të diskutueshme, ku mund të paraqiten vërejtje, por që në përgjithësi plani mund të pranohet në vazhdim të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Mu për atë edhe Kosova , pikërisht kryeministri, Albin Kurti shpalosi gjashtë pikat në Kuvend ku pos debatit të rreptë ato nuk u kundërshtuan shumë nga opozita. Me duket së gjashta pikat e propozuara duhet të shqyrtohen mirë në Kuvendin e Kosovës duke gjetur një formulë unitetit ndërmjet pushtetit dhe opozitës, në situatën, kur nuk kemi shumë solucione, se një asociacion po kërkohet të implementohet shpejt nga BE-ja dhe Amerika”, deklaron Mulliqi.

Duke komentuar pikat e paraqitura nga Kurti, Mulliqi shprehet se ditët dhe javët në vazhdim janë vendimtar për temën e Asociacionit.

“Kur jemi të pika e parë, se asociacioni duhet të ndryshoje emërtimin dhe të mos jetë monoetnik i vijës horizontale është diçka e pranueshme. Pika vijuese ngërthen reciprocitetin e pakicave, ndërmjet dy shteteve është gjë që nuk prishë fare punë mendoj unë. Ne pikën e tretë të shpalosur para kuvendarëve të kryeministrit, thuhet së duhet të shpërbëhen strukturat ilegale kriminale serbe dhe ato duhet t’i dorëzojnë edhe armatimet, që flet për shtrirje të sovranitetit dhe integritetit territorial në çdo cep të Kosovës. Dhe, pika e katërt që mendoj unë se është mënyra më mirë, kur flitet për njohje reciproke gjatë marrëveshjes finale, e që nuk precizohet se kur duhet të ndodhë njohja, në qendër apo në fund të bisedimeve. Kjo pikë duhet të sqarohet më shumë për opinionin e gjerë publik. Ndërsa në pikën e pestë kërkohet që Serbia mos të lobojë te pesë shtetet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Pika e fundit e shpalosur nga Kurti është se a duhet të pranojnë BE-ja dhe Amerika nja plan të tillë të Qeverisë të Kosovës? Unë mendojë së këto pika do të shqyrtohen mirë, dhe se janë bazë e mirë, për t’i ikur më së keqes, implementimit të Asociacionit monoetik. Ditët dhe javët në vazhdim do të jenë vendimtar lidhur më temën në fjalë, e të shpresojmë që bota demokratike e cila e ka pranuar Kosovën në kufijtë ekzistues, nuk do të ndryshon qëndrim, e do të përkrahë dashur apo pa dashur hegjemonin ruso- serbe në rajon, për ccka me të madhe janë duke u angazhuar dikatorët, Putin dhe Vuqiq”, ka shtuar Mulliqi.

Në anën tjetër, kushtet e Kurtit i ka komentuar menjëherë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, që i ka cilësuar si “përralla”.

Ndërsa, po të njëjtën ditë kur janë prezantuar kushtet, edhe kuvendi i Serbisë ka mbajtur seancë, ku pos tjerash, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt "nuk do të formojë Asociacionin".

Kundërshtim i asociacionit ekzekutiv

Kurse, analisti Sulejman Mehazi, pikat e prezantuara nga Kurti nuk i sheh kushtëzuese ndaj planit frako-gjerman dhe BE-së me rastin e Asociacionit.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, me shpalosjen e pikave kryeministri ka shpalosur pazarin e shtrenjtë kushtetues të shtetësisë së Kosovës përballë dëshirave serbe.

“Nuk do të thosha se gjashtë pikat e prezantuara të kryeministrit Kurtit para deputetëve në parlamentin e Kosovës janë kushtëzuese ndaj planit franko-gjerman dhe BE-së me rastin e asociacioneve të pakicave serbe, gjashtë pikat e Kurtit e kanë kuptimin e shtyllave mbrojtëse të Kushtetutës së Kosovës e kurrsesi ndryshe. Kryeministri Kurti me gjashtë pikat vetëm që ka shpalosur para qytetarëve të Kosovës pazarin e shtrenjtë kushtetuese të shtetësisë së Kosovës përballë dëshirave serbe për llojin e asociacioneve monoetnike ekzekutive të pakicave serbe e asgjë më shumë”, pohon Mehazi.

Gjashtë pikat e kryeministrit Kurti, janë gjashtë vija të kuqe ndalëse kundër asociacionit ekzekutiv serb, e jo kundër ndërkombëtarëve, thotë Mehazi.

“Gjashtë pikat e kryeministrit Albin Kurtit janë gjashtë vija të kuqe ndalëse kundër asociacioneve ekzekutive serbe në Kosovë, e jo kundër ndërkombëtarëve, planit franko-gjermane, BE-se e SHBA-së. Nëse gjatë dialogut me Serbinë në Bruksel për njohje reciproke, kryeministri i Kosovës Kurti arrin të mbrojë dy pikat e para kushtetuese, që asociacionet të pakicave serbe të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe nuk mund të jenë monoetnik e ekzekutive atëherë kryeministri Albin Kurti do mbetet si kryeministri më i suksesshëm shqiptar në historinë e politikës shqiptare”, përfundon Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat