Kurti e pranoi, Vuçiq e kundërshtoi me ‘urdhrin’ e Rusisë – ja pse plani franko-gjerman është në të mirë të Kosovës!

Politika

Kurti e pranoi, Vuçiq e kundërshtoi me ‘urdhrin’ e Rusisë – ja pse plani franko-gjerman është në të mirë të Kosovës!

Nga: A.Morina Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 23:12
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon te jetë tash e sa kohë në qendër të vëmendjes.

Bashkësia ndërkombetare ka shtuar dukshëm angazhimin e saj për të ndihmuar që të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Një nga propozimet e fundit për këtë është plani franko-gjerman, i cili po shihet si një shkas që mund të ndikojë në arrtijen e marrëveshjes përfundimtare.

Këtë plan, publikisht e ka pranuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, këtë e ka refuzuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e që duket se ‘gisht’ në marrjen e këtij vendimi ka edhe shteti rus.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko, ka thënë që plani franko-gjerman “për zgjidhjen e çështjes së Kosovës” nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Opinionisti Dedë Preqi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” foli për planin franko-gjerman dhe vazhdimësinë e dialogut Kosovë-Serbi.

Fillimisht, ai u shpreh se plani franko-gjerman ka gjëra të shëndosha, ku edhe radhiti disa nga arsyet se pse Kosova duhet ta pranojë atë.

“Pse Kosova, duhet ta pranojë planin franko-gjerman, edhe pse në të, nuk gjendet njohja e ndërsjellë, me përshtypjen se nga një plan i tillë përgjegjësitë do të merren parasysh nga një instancë njerëzore me arsye të thjeshta por të shëndosha, që ka për qëllim të rregullohen marrëdhëniet në mes palëve në mënyrë të barabartë, të cilat Kosova, i vë në rend të parë, duke kërkuar rrugët paqësore dhe për ta zhdukur problemin e një historiku famëkeq që kanë këto dy vende me shekuj në mes vete.

Prandaj, një plan i tillë, që parasheh të drejtat e barabarta në mes palëve, parasheh respektimin e integritetit territorial të dy vendeve, parasheh paprekshmërinë e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore, parasheh mos pengimin e njëra-tjetrës në integrimet evropiane, dhe parasheh një aranzhim të veçantë për komunitete, në një mënyrë do të ishte e pranueshme edhe pse këtu nuk figuron njohja reciproke.

Atëherë, nëse marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, do të përafrohen dhe përmirësohen përmes këtij plani franko-gjerman, duhet të përpiqemi para se gjithash, t’a kthjellojmë idenë se plani franko-gjerman, në substancë ka gjëra të shëndosha dhe do të ishte një ndër planet më të zgjedhura deri më tani, duke shpresuar se do përshtatet dhe do të jep shembullin më të mirë të suksesit për të dyja palët edhe pse mungon njohja e ndërsjellë”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Krahas kësaj, Preqi tha se ky plan duket të jetë diçka funksional dhe Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme për këtë gjë.

“Padyshim se me ofrimin e këtij plani nga Evropa, duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi para diçkaje, që është funksionale të veprojë dhe e aftë që të prodhojë një efekt, por i mungon vetëm ai element nisme, i cili kërkon vullnet dhe energji që të kthehet në veprim për të dyja palët në fjalë.

Ky term mund të zbatohet kur bëhet fjalë për të ashtuquajturën marrëveshje e plotfuqishme, dhe në këtë rast një imazh i tillë nuk përkon me paraqitjen e njëres palë apo tjetrës si ‘kallauze’, por me një paraqitje të barabartë si shtete, në mes të cilave gërshëtohen edhe marrëdhëniet e ndërsjella”, theksoi ai

Gjithashtu, opinionisti e përmendin faktin se planin franko-gjerman nuk e mbështet vetëm BE, por edhe SHBA.

“Plani franko-gjerman, është një dokument të cilin e ka paraqitur BE-ja, që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështesin jo vetëm Franca dhe Gjermania, por edhe SHBA-të, si edhe vendet tjera evropiane

Plani në fjalë përmbanë 9 nene, të cilat e kanë rëndësinë e vet, që nuk veprojnë vetëvetiu pa i vënë në lëvizje dhe në funksion të mjaftueshëm, duke e përkthyer në konkretësi dhe me prirjen e zhvillimit të vet, që bashkon dhe modifikon realitetin e gjërave dhe përcakton kushtet në marrëdhëniet e ndërsjella, që në këtë rast bëhet fjalë në mes Kosovës dhe Serbisë”, nënvizoi Preqi.

Më tej, ai foli edhe për kushtet e vendosura nga Kurti për themelimin e Asociacioni.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka publikuar 6 kushte, të cilat do ta përcjellin këtë realitet dhe që përcaktojnë qëllimet e realizimit të këtij Asociacioni, por që duhet të jenë edhe në harmoni e përputhje me ligjet e Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa, planin franko-gjerman, kryeministri Kurti dhe presidentja z.Vjosa Osmani, e kanë mbështetur, si një projekt që mund të jep rezultate për të dyja palët, edhe pse në brendësinë e këtij projekti nuk ka njohje reciproke, por në substancë e ka efektin e vet, që të vë në veprim mundësinë e përparimit dhe përfundimit të marrëveshjeve në mes palëve”, potencoi opinionisti.

Ndër të tjera, kërkoi mbështetjen e Amerikës për planin franko-gjerman, pasi si vlerëson se nuk mund t’i besohet Serbisë së Vuçiqit që mund ta zbatoj këtë plan.

“Dhe në fund, plani franko-gjerman ka shanca që të realizohet dhe do e merr kahjen e vet të implementimit edhe në Ballkan, në këtë rast në mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse pala serbe akoma nuk e ka dhënë fjalën e vet përfundimtare se a do ta pranojë Serbia, një plan të tillë, por sido që të jetë për implementimin e këtij projekti, duhet të garantojnë SHBA-të, si edhe aleatët e saj, sepse Serbisë, është vështirë t;i besohet, nëse kjo nuk është mësuar kurrë të zbatoj dhe implementoj rregulla të tilla”, përfundoi Dedë Preqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat