Asociacioni në verë, plani franko-gjerman në fund të vitit, a po “paralajmërohet” Kosova për marrëveshje finale me Serbinë?

Politika

Asociacioni në verë, plani franko-gjerman në fund të vitit, a po “paralajmërohet” Kosova për marrëveshje finale me Serbinë?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 shkurt 2023 Në ora: 20:43
Scholz, Albin Kurti, Vuçiqi dhe Macron

Asociacioni mund të formohet deri në verë, ndërsa propozimi franko- gjerman mund të zbatohet deri në fund të vitit, kështu ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Sipas tij, Amerika është absolutisht e përkushtuar për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve për të cilat është rënë dakord përfshirë edhe Asociacionin.

“Ne me të vërtetë këmbëngulim që ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet, kështu që po flasim për marrëveshjen origjinale të Brukselit”, ka thënë Hill.

Ai ka thënë se ka një lidhshmëri mes propozimit frnako-gjerman dhe marrëveshjeve të Brukselit meqë në propozimin franko-gjerman shkruan që të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.

Gjersa, ambasadori amerikan në Serbi jep afate, analistët politikë shohin optimizëm në rrjedhën e dialogut, gjersa shtojnë se pengesa e tij do të jetë asociacioni. Ata kanë kërkuar që Kosova të mos nxitohet për formimin e tij, pavarësisht presioneve.

Mehazi: Afati i përcaktuar nga SHBA-të e jo BE-ja, gjë pozitive

Sulejman Mehazi, analist politik, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se e mira e dialogut është se amerikanët kundruall evropianëve kanë vënë afate përcaktuese me rastin e asociacionit serb dhe të zbatimit të planit franko- gjerman për njohje reciproke.

Image
Sulejman Mehazi, analist politik

Sipas, tij pozitivja e afateve përcaktuese e përfunduese të dialogut është se nuk vijnë nga Lajçaku i BE-së që më shumë anon nga Serbia, por nga ambasadori.

“Na gëzon fakti se përveç BE-së për çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë kanë ndërhyrë seriozisht edhe SHBA-të të cilët së bashku me planin franko-gjerman kanë vendosur që dialogut të stër zgjatur në mes Kosovës dhe Serbisë t'i japin fund me njohje reciproke, e mira e këtij dialogu të mërzitshëm është se amerikanët kundruall evropianëve kanë vënë afate përcaktuese me rastin e asociacionit serb dhe të zbatimit të planit franko-gjerman për njohje reciproke. Pozitivja e afateve përcaktuese e përfunduese të dialogut vijnë jo nga Lajçaku i BE-së që më shumë anon nga Serbia, por vinë nga ambasadori i SHBA-së, Christofer Hill, i cili shprehu afatin e asociacionit të pakicave serbe deri në verë dhe zbatimin e planit franko- gjerman deri në fund të vitit”, deklaron Mehazi.

Ai është optimist për dialog, gjersa tregon se pengesa më e madhe e tij do të jenë asociacionet.

Sipas Mehazit, negativja e propozimit të ambasadorit amerikan Hill është se së pari duhet të ketë asociacion, pastaj njohje.

“Jemi optimist për shkak se rrjedha e dialogut në Bruksel do del më shumë nga SHBA-të sesa nga BE-ja të cilët kërkojnë që asociacionet serbe të jenë në kuadër të kushtetutës së Kosovës e jo ndryshe. Normale se pengesa më e madhe e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë do jenë asociacionet e pakicave serbe, dhe nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dorëzohet para presioneve serbe, po edhe evropiane, besojmë se SHBA-të nën tavolinën e tyre do nxjerrin planin B në të mirën e asociacionit serb nën kushtetutën e Kosovës, shpresa vendimmarrëse e planit dialogues franko-gjerman për Kosovën dhe kryeministrin Kurtin përballë Serbisë do jetë SHBA-ja. Mirëpo negativja e propozimit të ambasadorit amerikan Hill për kryeministrin Kurti është se pse së pari të ketë marrëveshje për asociacionet serbe e më pas njohje, por e kundërta së pari të ketë njohje e pastaj të bëhet marrëveshje për asociacion serb”, pohon Mehazi.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti, vitin që ka kaluar paralajmëronte marrëveshje me Serbinë në pranverë të vitit 2023.

Një gjë e tillë, nuk përmendet më nga kryeministri, i cili tashmë ka treguar kushtet e Kosovës për formimin e Asociacionit, që sipas raportimeve nuk po lejon një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Mulliqi: Të kërkohet të drejta shtesë për minoritetin serb është absurditet i kohës

Image
Analisti politik, Skënder Mulliqi

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se të kërkohen të drejta shtesë për minoritetin serb është absurditet i kohës.

“Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill edhe një herë ka përsëritur kërkesën së Asociacioni duhet të formohet deri në verë të këtij viti, sipas asaj që është rënë në dakord më marrëveshjet e Brukselit. Ngjashëm si Hill po mendon edhe amerikani tjetër Gabriel Eskobar. Hill në deklarimet e tija jo vetëm për Asociacionin , por edhe kur u vunë barrikadat nga strukturat kriminale serbe dhe ruse në veri, sikur ndau mendimin e politikës të Beogradit zyrtar, duke ra ndesh më qëndrimet parimore të Prishtinës zyrtare. Unë mendoj së nuk do të kemi Asociacion ashtu siç po mendon Hill, mbi bazat e marrëveshjes të Brukselit, duke e mohuar kështu Kushtetutën e Kosovës, e cila e konteston në 23 nene, dhe kjo fletë së pala jonë, nuk duhet lëshuar pe, kur është në pyetje një asociacion i tillë, i cili në një të ardhme është ndarje e Kosovës mbi bazat etnike, e pa pranueshme për shqiptarët. Të kërkohet të drejta shtesë për minoritetin serb është absurditet i kohës. Edhe ashtu minoriteti serb më planin e Ahtisarit ka më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botën demokratike”, pohon Mulliqi.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare sikur po vepron nën trysnin e luftës në Ukrainë dhe po shfaqë droje të luftës botërore nga diktatori Putin, për të kënaqur kështu egot serbo -rusomëdha në rajon më Asociacionin.

“Deklarimet e Eskobarit dhe veçmas të Hillit bien ndesh me deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Havenier, i cili edhe së fundi tha së nuk bën të implementohet asociacion i cili bie ndesh më kushtetutën e vendit. Evropa ka qenë gjithmonë hileqare , dhe duket së edhe tash është duke qëndruar bukur shume mbi konceptet e vjetra politike, të cilat nuk I shërbejnë mendoj unë, paqes dhe stabilitetit në rajon. Ka shumë shtete në Evropë dhe Serbia të cilat nuk kanë asociacion për komunitetet tjera, që nuk janë të vogla, e në anën tjetër po kërkojnë më ngulm nga Kosova edhe ashtu e vogël, të drejta shtesë për minoritetin edhe ashtu të privilegjuar serb. Bashkësia ndërkombëtare sikur po vepron nën trysnin e luftës në Ukrainë, dhe së po shfaqë droje të luftës botërore nga diktatori Putin, për të kënaqur kështu egot serbo -rusomëdha në rajon më Asociacionin”, thekson Mulliqi.

Hill dhe secili tjetër duhet ti këtë parasysh interesat vitale të shqiptarëve

Tutje, ai thotë se nuk ka nevojë për nxitim pavarësish presioneve për nënshtrim.

“Unë mendoj së politika serbe dhe ruse nuk shkojnë ndarazi, ato kanë qëllimin final të realizmit të botës ruse dhe të botës serbe, e që për çudi kjo aventurë e tyre nuk po ndalet, përkundrazi nëse serbët e realizojnë planin e Asociacionit siç po e kërkon edhe Krisitofer Hill, Borell dhe Lajqak, shumë afër është formimi i Serbisë të Madhe, të cilën gjë në vitin 1999 NATO nuk e lejojë më luftë ta realizon Millosheviqi. Hill dhe secili tjetër duhet ti këtë parasysh interesat vitale të shqiptarëve. Plani franko- gjerman është bazë e mirë për vazhdimin e bisedimeve, që e ka pranuar pala shqiptare, kur se jo edhe pala serbe. Afatizimet për implementim të Asociacionit siç po kërkon Hill dhe edhe Vuqiq, i cili tha së nuk ka çka të udhëton në Bruksel, të cilin vend e ka shkelë sipas tij mbi 200 herë, por pret që para takimit të thirrur nga Borell, të formohet Asociacioni. Unë mendoj së nuk duhet të ngutemi në asnjë mënyrë, pa marrë parasysh presioneve që po ju nënshtrohemi”, deklaron analisti.

Kemi argumente plotë që të kundërshtohet asociacioni, shprehet Mulliqi, gjersa shton se duhet të ketë një platformë të përbashkët politike në kuvend.

“Edhe diçka kur jemi këtu, asnjë fjalë nga ndërkombëtaret për formimi e ndonjë asociacioni ne Kosovën Lindore, dhe asnjë fjalë tjetër që edhe Serbia të formon asociacione për minoritet në Vojvodinë e Sanxhak. Prandaj, kemi argumente më bollëk që të kundërshtohet çdo formë e Asociacionit, që bie ndesh më Kushtetutën e Kosovës. Ne kemi asociacionin e komunave shqiptare, ku mund të integrohen edhe komunat serbe. Por, edhe nëse ndodhë që pala jonë të dakordohet për asociacion, ai nuk guxon të jetë më program të ingerencave shtetërore. Kosova nuk po paraqet pengesa vetëm se po kërkon të zbatohet ligjshmëria lidhur më temën e Asociacionit. Duhet të dalim më një platformë të përbashkët politike në Kuvend, që definitivisht të hiqen dilemat se si do të duket asociacioni. Kryeministri , Albin Kurti ka paraqitur gjashtë pikat, të cilat duhet të janë pikënisje, se si të veprohet në vazhdim të procesit. Gjithashtu të kërkohet që Serbia të heqë nga preambula kushtetuese, Kosovën si pjesë përbërëse të saj. Kurse e dyta do të ishte, që ky shtet në qendër, e jo në fund të bisedimeve të pranojë shtetësinë e Kosovës, që të kemi kështu një marrëveshje finale”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat