Parashikime jo shumë të mira: Nëse nuk nënshkruhet marrëveshja me 18 mars - situata në veri mund të përkeqësohet!

Politika

Parashikime jo shumë të mira: Nëse nuk nënshkruhet marrëveshja me 18 mars - situata në veri mund të përkeqësohet!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 mars 2023 Në ora: 20:09
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Është paralajmëruar një tjetër takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë takimit të mbajtur në fund të muajit shkurt, dy vendet janë pajtuar në parim për tekstin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por, tani, do të duhej të pasonte hartimi i udhërrëfyesit për zbatimin e tij.

Kjo është edhe arsyeja e një takimi të paralajmëruar nga BE me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kjo po shihet si këmbëngulja më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, prej se palët kanë nisur bisedimet për këtë qëllim në vitin 2011.

Mirëpo, ende nuk dihet nëse Kurti dhe Vuçiqi do të nënshkruajnë propozimin evropian, ndonëse kryeministri i Kosovës ka deklaruar se do e nënshkruajë atë.

Për dallim nga Kurti, nuk dihet nëse Vuçiq do ta nënshkruajë atë, pasi ditë më parë ka kërkuar ndryshimit e nenit 4 të planit franko-gjerman.

Kjo gjë, ka krijuar konfuzitet, sa i përket mbarëvajtjes së takimit në Ohër dhe mundësisë së nënshkrimit të një marrëveshje mes dy palëve.

Kësisoj, natyrisht që janë ngritur dyshime se në rast se nuk arrihet nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, mund të ketë edhe trazira dhe provokime të reja në veri të vendit.

E për këtë çështje, për gazetën “Bota sot” folën njohësit e çështjeve të sigurisë.

Shala: Do të kemi një situatë e cila do të jetë e tensionuar

E për këtë temë, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Fllimisht, takimin Kurti-Vuçiq e cilësoi si interesant ku edhe mund të ndikojë edhe në sigurinë e vendit dhe mund të nxit tensione, varësisht nga mbarëvajtja e tij.

“Me datën 18 mars është nje proces interesant ku nga takimi apo përafrimi i palëve mund të reflektojnë në sigurinë në vend. Sepse sipas tendencës ndërlidhet me mos mbajtjen e zgjedhjeve në nivel lokal me 23 prill dhe për ketë arsyje do të kemi një situatë e cila do të jetë e tensionuar”, deklaroi ai.

Sipas ekspertit të sigurisë me njoftimin e Listës Serbe për mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale, po tentohet përmbytja e rendit kushtetues në veri.

“Subjekti politik i Beogradit në Kosovë ka dhënë mesazhin që nuk do të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kjo domosdo do të reflektojë në sistemin e sigurisë duke tentuar që të pengohet ky proces me qëllim të përmbytjes se rendit kushtetues në veri të vendit”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Kelmendi: Mos nënshkrimi i planit franko-gjerman, bartë pasoja edhe për Kosovën dhe edhe për Serbinë

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi shpreson që me 18 mars të nënshkruhet plani franko-gjerman.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” përmendi pasojat që i presin dy vendet nëse nuk gjejnë kompromis për nënshkrim.

“Aktualisht nuk është nënshkruar plani franko-gjerman as nga Kosova dhe as nga Serbia. Plani mendohet se është bazë e "mirë" e zgjidhjes së çështjes Kosovë -Serbi. Ka dyshime se shteti serb nuk e nënshkruan. Kërkesat nga Beogradi për ndryshim të planit janë paraqitur. Megjithatë, mendohet se me 18 mars do të pranohet plani. E kundërta e planit është vazhdimi i gjendjes aktuale midis Kosovës dhe Serbisë. UE dhe SHBA-të i kanë treguar pasojat e mos nënshkrimit të marrëveshjes”, deklaroi ai.

Klemendi radhiti disa nga pasojat me të cilat mund të përballet Kosova në rast se nuk nënshkruhet propozimi evropian.

“Në këtë kuadër për Kosovën dalin:

1. Mos liberalizimi i vizave.

2. Mos njohja e shtetit të Kosovës nga 5-ja e UE-së.

3. Në Këshillin e Evropës nuk pranohet Kosova.

4. Nuk hapet perspektiva e inkuadrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.

5. Nuk jepen investime.

6. Gjendja brenda vendit keqësohet.

7. Keqësohen raportet me UE-në dhe me SHBA.

8. Gjendja konfliktuoze me Serbinë thellohet dhe ka mundësi edhe të konfliktit të armatosur. Ka dhe shumë vështirësi tjera që mund të krijohen”, theksoi juristi.

Përveç kësaj, ai përmendi edhe ndëshkimet që pasojnë për Serbinë, në rast se Vuçiq refuzon marrëveshjen.

Këtu, përmendi edhe vendosjen e sanksioneveekonomike, politike dhe ushtarake ndaj Serbisë.

“Ndërsa per shtetin serb dalin:

1. Bllokimi i intergrimit të Serbisë në UE-në.

2. Ndalen të gjitha investimet e UE-së dhe të shteteve perëndimore në Serbi.

3. Bëhet tërheqja e investimeve nga Serbia.

4. Humb statusi i shtetit të privilegjuar në kuadër të UE-së dhe më gjerë.

5. Ka mundësi të vendosen sanksione ekonomike, politike dhe ushtarake ndaj Serbisë.

6. Dalin qartë lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe me Kinën.

7. Vërtetohet se Serbia është shkaktare e gjendjes së rëndë në Ballkan.

Ka gjithashtu edhe pasoja tjera”, nënvizoi Kelmendi.

Në fund, juristi tha se kjo marrëveshje patjetër që do nënshkruhet, ndonëse edhe me vonesë, por që një gjë e tillë do bëhet.

“Duke i ditur këto pasoja, kjo marrëveshje mund të vonohet me nënshkrim, por domosdo do të nënshkruhet edhe nga Kosova edhe nga Serbia.

Mbi këtë marrëveshje do të ndërtohen marrëveshjet të veçanta implementuese të planit. Duket se për këto dy shtete nuk ka rrugë tjetër”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat