Alternativat e opozitës - LDK thotë se Kurti e dobësoi pozitën e Kosovës në dialog

Politika

Alternativat e opozitës - LDK thotë se Kurti e dobësoi pozitën e Kosovës në dialog

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 mars 2023 Në ora: 16:55
Takimi i Ohrit, 18 mars

Më 18 mars u mbajt takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër. Atje palët u zotuan se do ta zbatojnë planin për normalizimni e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pas takimit, opozita pati shumë kritika e akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri Kurti, raportoi edhe në Kuvend mbi Marrëveshjen e Ohrit.

LDK dhe PDK ishin shumë të zëshme në reagimin e tyre se Albin Kurti ka pranuar diçka që me vite të tëra e ka kundërshtuar, Asociacioni.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kurti u zmbraps nga qëndrimet e tij, sidomos sa i përket Asociacionit.

“Kryeministri i Kosovës me një fjali mbrëmë e ka përmbysur të gjithë jetën e tij politike. Po, ka Asociacion dhe ka pasur Asociacion sa herë që ky ka thënë që nuk ka asociacion”, deklaronte Krasniqi.

Sipas tij, me marrëveshjen në Ohër Kurti “ka rrezikuar t’u japë autonomi politike serbëve të Kosovës”.

Edhe Lumir Abdixhiku, nga LDK, ka thënë se Kurti në marrëveshjen e Ohrit, nuk i përfilli kushtet e tij që i kishte vënë në fillim të muajit shkurt.

Një ndër kushtet që e përmendura nga Kurti ishte që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet vetëm pas njohjes reciproke.

“Ndiej keqardhje për të mashtruarit, të përdorurit, të shfrytëzuarit dhe mbi të gjitha për humbjen e kohës së Republikës së Kosovës”.

Megjithatë, këto kritika të opozitës nuk po trajtohen me aq shumë seriozitet për shkak të marrëveshjeve me Serbinë që kanë bërë qeveritë e kaluara.

Pantina: Tash kemi edhe Zajednicë edhe vet-menaxhim

Anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se e tërë përgjegjësia për dialogun me Serbinë i bie Qeverisë.

Image
Shqipe Pantina

Sipas saj, nëse LDK do të ishte në pushtet, atëherë dialogu gjithnjë do të përqendrohej drejt njohjes së ndërsjellë.

“Opozita i ka mundësitë e kufizuara në procesin e dialogut pasi kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thekson se dialogu (me Serbinë në këtë rast) është përgjegjësi e Qeverisë. LDK si edhe në të kaluarën, do të sillej shumë më përgjegjshëm në gjithë procesin e sidomos me ndërmjetësit që janë edhe miqtë tonë ndërkombëtar, dhe do ta përqendronte dialogun drejt njohjes së ndërsjellë”, shprehet Pantina.

Më tej, thotë se kryeministri Kurti, ka pranuar marrëveshje shumë më të keqe se çfarë ishte, ka pranuar “zajednicë” dhe vet-menaxhim.

“Ky edhe ka qenë dakordimi edhe me ndërmjetësit në vitin 2019, por Kryeministri Kurti me kryeneçësinë e tij dhe veprimet e pamatura sidomos në veriun e Mitrovicës e dobësoi pozitën e Kosovës në dialog dhe në fund pranoi një zgjidhje që është shumë më e keqe se çfarë kishim më herët, pra tash kemi edhe Zajednicë edhe vetmenaxhim”, përfundon ajo.

Mehmeti: LDK dhe PDK i kanë shkaktuar shumë dëme të mëdha vendit

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë se veprimet e LDK-së dhe PDK-së, janë pafytyrësi.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, ishin LDK dhe PDK të cilat nënshkruan marrëveshjet e dëmshme për vendin.

Tutje shton se ata dy parti do ta japin edhe vendin për pushtet.

“Pafytyrësi e quaj veprimin e opozitës, në këtë rast të LDK dhe PDK. Ishin po këto dy parti që nënshkruan marrëveshjet më të dëmshme për vendin, marrëveshje të trashëguar nga Kurti. Të akuzosh Albinin për marrëveshje të trashëguar e të lëna keq nga këta që e kritikojnë kjo s’ka asnjë fije morali dhe as etike. Dialogun e nisur teknik fillimisht nga Thaçi dhe pasuar nga Isa e kthyen politik po këto dy parti. Nuk befasohem nga veprimet e tyre, po të ishin në pushtet edhe vendin do e jepnin për të mbetur në pushtet. LDK dhe PDK i kanë shkaktuar shumë dëme të mëdha vendit”, nënvizon Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat