Zgjedhjet në veri dhe mungesa e Listës serbe, publicisti serb thirrje Perëndimit: Mos ju dorëzoni Vuçiqit dhe t’i shtyni

Politika

Zgjedhjet në veri dhe mungesa e Listës serbe, publicisti serb thirrje Perëndimit: Mos ju dorëzoni Vuçiqit dhe t’i shtyni

Nga: Naile Ejupi Më: 3 prill 2023 Në ora: 19:57
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zyrtarë të tjerë të kë tij subjekti politik gjatë një konference në veri të Mitrovicës. Fotografi nga arkivi.

Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Këto zgjedhje, të cilat vijnë pasi kryetarët e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje për për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës, do të mbahen pa këtë parti.

Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës, për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndaj, mos pjesëmarrëjes në zgjedhje ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e quan një shenjë të qartë se Beogradi ka kontroll mbi partinë në fjalë dhe ka ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës.

Sipas tij një gjë e tillë përbën shkelje të menjëhershme të Marrëveshjes Bazike.

‘’ Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në 4 komunat veriore të Republikës së Kosovës këtë Prill. Kjo është një shenjë e qartë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjen konstante në punët e brendshme të Kosovës’’- thotë Kurti në rrjetin social ''Twitter''.

Ai madje ka kërkuar që BE-ja të dënojë këtë sjellje të Serbisë.

Duke folur rreth mos pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje dhe kërkesës së Kurtit për ta dënuar Serbin, publicisti serb Zlatoje Martinov thotë se me mos pjesëmarrje nuk mund të ketë Asociacion të Komunave serbe.

Sipas tij, Kurti me qetësi mund të thotë “mirë, ju keni pasur mundësi që ligjërisht të ktheheni në institucione, nuk keni dashur”

“Tashmë në një shkrim timin e kam theksuar se bojkotimi i zgjedhjeve nga Lista Serbe është autogol tipik. Pse? Epo, nuk mund të kesh një Asociacion të Komunave me shumicë serbe nëse nuk ka serb në ato komuna apo struktura komunale. Dhe nuk i keni se nuk votuan! Theksova se kjo është shkelje flagrante e Marrëveshjes së Ohrit. Kurti tani me qetësi mund të thotë: mirë, ju keni pasur mundësi që ligjërisht të ktheheni në institucione, nuk keni dashur, pra si mendoni se formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe kur në ato nuk ka këshilltarë serbë. komuna (në veri) ose ka shumë prej tyre. Pra, ju në fakt nuk e dëshironi një Shoqatë të tillë!”, shprehet publicisti serb Zlatoje Martinov për “Bota sot”.

Image
Zlatoje Martinov

Ai ka kërkuar që BE dhe SHBA ta paralajmërojnë Serbinë se me mos pjesëmarrje në zgjedhje shkelet marrëveshja.

Sipas tij, perëndimi nuk duhet t’i dorëzohet Vuçiqit dhe t’i kërkojë qeverisë t’i shtyjë zgjedhjet.

“BE-ja dhe SHBA-ja do të duhet të paralajmërojnë Serbinë se me mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale po shkelet rëndë Marrëveshja për Normalizim. Ajo që nuk duhet të bëjë Perëndimi është t'i dorëzohet sërish Vuçiqit dhe t'i kërkojë qeverisë së Kosovës shtyrjen e zgjedhjeve të prillit! Vuçiq do ta kuptonte, si shumë herë më parë, si dobësi të Perëndimit”, përfundon Martinov.

Kujtojmë, se zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por vetëm u janë konfirmuar kandidaturat atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat