Skenari i errët për destabilizimin e veriut dhe frika e madhe e Listës serbe/ Ekspertët alarmojnë për rrezikun

Politika

Skenari i errët për destabilizimin e veriut dhe frika e madhe e Listës serbe/ Ekspertët alarmojnë për rrezikun

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 prill 2023 Në ora: 08:07
Mitrovicë, 2 prill.

Më 2 prill, në orët e hershme të mëngjesit një mjet shpërthyes është hedhur në drejtim të zyrtarëve policor në Mitrovicë të Veriut.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate.

Ata kanë thënë se ndaj Policisë është hedhur shok bombë.

Kjo nuk është hera e parë që kanë ndodhur sulme ndaj Policisë së vendit, ka pasur edhe raste tjera.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka informuar të hënën se është caktuar një muaj paraburgim ndaj një personi, i cili dyshohet se ka kryer pesë vepra penale.

Sipas gjykatës, i pandehuri M.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentative”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” si dhe “Zjarrvënie”.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake, kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.B e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Paraburgimi të pandehurit i llogaritet prej kohës së ndalimit dhe atë prej datës 01.04.2023 deri me datë 01.05.2023.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Lidhur me këto zhvillime ka pasur reagime të shumta. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se incidentet në veri janë të orkestruara nga “strukturat ilegale të mbështetura nga Beogradi”.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij dënon “djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës”.

Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që t'i mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto akte kriminale”, ka shkruar ai në Twitter.

Kurse, edhe ambasadori gjerman, Jorn Rode, tha se pse Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - nuk i dënoi incidentet në komunat në veri!

Është shumë shqetësuese që Lista Serbe nuk e dënoi përsëri djegien e veturave të qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar në dënimin e kësaj praktike”, shkroi ai në Twitter.

Halimi: Serbia qëndron prapa sulmeve në veri

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, thotë se prapa sulmeve që po ndodhin në veri, qëndron Serbia, e cila ka për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë atje.

Përkundër propagandës së shtetit të Serbisë se gjoja ka pakënaqësi dhe revoltë nga qytetarët serbë të Kosovës, asnjëherë nuk ka arritë të fshehë ndikimin direkt të orkestrimit të çdo akti kriminal a terrorist në Kosovë.

Andaj, edhe rastet e fundit janë avaz i agjendave të Serbisë për të ngjallë frikë te qytetarët serbë që janë lojalë ndaj shtetit të Kosovës, si dhe për të nxitur kryengritje të serbëve”, thotë ai.

Tutje, Halimi këto i konsideron akte të pa-tolerueshme të cilat bashkësia ndërkombëtare duhet t’i dënojë.

Ai deklaron se me këto veprime Lista Serbe duhet të futet në listën e organizatave terroriste.

Sigurisht që këto akte janë të pa-tolerueshme, gjë që bashkësia ndërkombëtare duhet t'i dënojë ashpër, deri te sanksionimi i Serbisë për qasjet agresive e destabilizuese karshi Kosovës dhe rajonit. Realisht Serbia edhe po i harxhon nervat perëndimit për mos përmirësimin e saj, përkundër përkëdheljes së pamerituar.

Çdo akt i dhunshëm në veri të Kosovës, ka mbrapa si organizator Listën Serbe dhe mbështetëse shtetin e Serbisë. Gjithë kjo ka këtë varg përgjegjësie dhe hierarkie.

Andaj, konsideroj se Lista Serbe do të duhej të futet në listën e organizatave terroriste dhe t’i pamundësohet ndikimi apo pushteti legal”, përmbyll Halimi për “Bota sot”.

Shala: Institucionet e vendit duhet të marrin hapa konkretë dhe mos të bien pre e provokimeve nga këto grupe

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot”, rendit dy arsye pse sulmi ndaj Policisë në veri është i dirigjuar nga Lista Serbe.

Image
Drizan Shala

Ai tutje thotë se situata mund të rrëshqasë në një situatë të 2021-2022, ku kishim bllokim dhe sulme kundër zyrtarëve policorë të vendit.

Sulmi në veri të vendit po dëshmon që kërcënimi publik i Listës Serbe është duke u zbatuar për ketë arsye:

1. Frika e humbjes se kontrollit në pjesën ku jetojnë qytetarët e komunitetit serb

2. Rikthimi i ashtuquajtur "lidershipi" i  Milan Radojqiqit brenda komunitetit dhe tregues për presidentin serb që në veri duhet të konsiderohet partner i Serbisë.

Situata mund të rrëshqasë në një situatë të 2021/2022 ku patëm bllokim dhe sulme kundër zyrtarëve policorë të vendit.

Por gjitha këto kanë edhe qëllimin diplomatik, që për veriun dhe mos pjesëmarrja e Listës Serbe në jetën politike, do të prodhojë tensione të ndryshme në aspektin e sigurisë.

Pra, institucionet e vendit duhet të marrin hapa konkretë dhe mos të bien pre e provokimeve nga këto grupe, duke zbatuar planin e tyre për të ofruar dhe garantuar rend dhe siguri”, përfundon Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat