Harta ku shfaqet Kosova pjesë e Serbisë, analisti “shpërthen” ndaj Ramës: Me kriminelët nuk bashkëpunohet, je luftënxitës

Politika

Harta ku shfaqet Kosova pjesë e Serbisë, analisti “shpërthen” ndaj Ramës: Me kriminelët nuk bashkëpunohet, je luftënxitës

Nga: N.E Më: 7 prill 2023 Në ora: 10:11
Edi Rama

Kanë kaluar 15 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ndërsa pesë shtetet e BE-së vazhdojnë të mos e njohin atë si shtet.

Një hartë ku Kosova shihet pjesë e Serbisë, ishte shfaqur të martën në Tiranë.

Harta në fjalë del se ishte e presidentit të gjigantit spanjoll “Melia Group” e që u prezantua në konventën e Turizmit në Tiranë.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka provuar të justifikojë një hartë të shfaqur sot në Tiranë ku Kosova paraqitej pjesë e Serbisë.

“Dihet që Spanja ashtu e ka hartën e rajonit po asgjë e keqe s’i erdhi kombit nga dalja 1 minutë e asaj harte!”, ka shkruar Rama.

Kinse patriotët kanë gjetur punë sot duke u marrë me një hartë të prezantimit të presidentit të gjigandit spanjoll Melia Group në konventën e turizmit, ku mungonte Kosova! Dihet që Spanja ashtu e ka hartën e rajonit po asgjë e keqe s’i erdhi kombit nga dalja 1 minutë e asaj harte!

Më tej, ai pretendon se nuk mund të kontrolloheshin prezantimet duke e bërë edhe një goditje drejt Iranit.

“Shqipëria s’është Irani ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet dhe as konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja!”, u shpreh ai.

Analisti politik, Muhamet Kelmendi, ka reaguar ndaj deklaratës së Ramës duke e quajtur jo normale.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas Kelmendit, Shqipëria e ka njohur Kosovën dhe ajo duhet t’i ketë politikat e veta sesi të sillet.

“Kosova është shtet i pavarur, z. Rama! Nuk e pashë shumë shqetësuese hartën që e vendosen subjektet nga Spanja, e ku figuronte, Kosova pjesë e Serbisë, sa u dëshpërova nga arsyetimet e z. Rama. Është gjë e qartë se Spanja e ka një politikë të vetën. Atë po e mbanë me fanatizëm. Edhe në Tirane, Kryeministri i Spanjës, u shpreh kundër pavarësisë së Kosovës. Kjo tash dihet. Mirëpo, edhe Shqipëria e ka një politikë të vetën. Ky shtet e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Duhet kështu edhe të sillet. Spanja nuk i lejon as sportet me flamur të Kosovës të garojnë në garat ndërkombëtare që organizohen me Spanjë. Kështu vepron edhe Serbia. Nuk ka fare dallime midis tyre. Asnjë shenjë e shtetit të Kosovës nuk lejohet në Spanjë”, thotë Kelmendi.

Sipas tij, Rama dëshiron të nxitë konflikte për të jetuar.

“Pse lejon Shqipëria hartat nga Spanja, e ku del Kosova pjesë e shtetit serb? Rama tha: “Për një minutë të paraqitjes së hartës nuk bëhet gjithë ky diskutim (…). Këtë po e bëjnë vetëm ata që dëshirojnë të tregohen patriotë(…)”. Pikërisht kjo është jo normale. Dihet se Shqipëria nuk është Iran. Por dihet gjithashtu se Spanja është anëtare e UE-së dhe nuk është Irani. Asnjëra nga këto shtete nuk janë Iran. Pse sjellja kështu e Spanjës dhe toleranca e Tiranës zyrtare? Spanja është mike e shtetit serb. Ka edhe probleme të brendshme nacionale të pazgjidhura. Po Tiranës, pse i kënaqë orekset e tilla? A mundet të jetë ndonjë interes ekonomik mbi atë kombëtar? Z. Rama e dinë këtë! Ai i bën me qëllim këto veprime! Dëshiron të nxitë konflikte për të jetuar. Njëherësh gjoja po tregon se nuk është nacionalist dhe se bashkëpunon edhe me armiqtë, si Vuçiq e Serbia, pavarësisht konflikteve të ashpra dhe dhunës së bërë mbi shqiptarët. A është e drejtë? Natyrisht se jo”, pohon analisti.

Qëndrimi i Ramës tregon që me kriminelët nuk bashkëpunohet dhe nuk ndërtohet asgjë.

“Ky qëndrim nuk tregon patriotizëm dhe as urrejtje. Tregon se dhunuesit dhe kriminelët e luftës duhet dënuar. Me kriminelë nuk bashkëpunohet dhe nuk ndërtohet asgjë. Është marri të pritet një gjë e tillë. Kriminelët e luftës, dhunuesit dhe gjenocidiale e kanë vendin në burg. Këtu nuk ka lëshim”, përfundon Kelmendi.

Kujtojmë se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një marrëveshje normalizimi në Bruksel e Ohër dhe çështja e pesë shteteve mosnjohëse tash po shihet si prioritare për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat