Profesori tregon fajtorin për mos hapjen e urës së Ibrit, ja çfarë kërkon nga qeveria Kurti

Politika

Profesori tregon fajtorin për mos hapjen e urës së Ibrit, ja çfarë kërkon nga qeveria Kurti

Nga: P.R Më: 1 maj 2023 Në ora: 22:03
Ura e Ibrit

Me 11 pro dhe një kundër, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut mori vendim për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve, urë kjo e mbyllur për qarkullim tash e 23 vite.

E vendimin e Kuvendit komunal të Mitrovicës po e sheh si të domosdoshëm, por të vonuar profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

“Vendimi që mori kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të lirë ishte një vendim i vonuar, i shumëpritur, i domosdoshëm, produktiv, dhe në shërbim të qytetarëve. Imagjino një rajon të izoluar, në të cilin nuk lejohen të lëvizin lirshëm njerëzit, autoveturat, autobusët, kamionët, e madje ku është i ndaluar dhe bllokuar edhe lëvizja me trena. Një territor ose rajon i tillë nuk ekziston as në Afrikë. Por prej 24 vitesh gjendet diku në mes të Evropës, në Kosovë, në veriun e saj, ku ligjin e bëjnë bandat e Sllobodan Milosheviçit dhe të Aleksandër Vuçiqit”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, ura e Ibrit ishte dashur të hapej qysh në vitin 2013, atëherë kur edhe u nënshkrua marrëveshja për hapjen e saj, për çka e fajëson ish presidentin, Hashim Thaçi.

“Ishte dhe mbetet një akt turpi për Serbinë, por edhe për Evropën që ndodh kjo. Një urë e ndërtuar në kohën e Luftës së Ftohtë për të lidhur njerëzit dhe qytetarët e një vendi, nuk shërbeu si e tillë në kohën kur Evropa shet vlera të demokracisë. E ve theksin te Evropa, sepse më 19 prill 2013, pra para dhjetë vitesh, u nënshkrua marrëveshja për hapjen e urës së Ibrit dhe kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi, sepse Serbia kishte dhe ka ende sot në projekt ndarjen e Kosovës. Nuk ndodhi, sepse lidershipi i Kosovës që nënshkroi marrëveshjen e 19 prillit 2013, pra ish-presidenti Hashim Thaçi “kur ujku ra në torishtë u bë me ujkun për t’i ngrënë delet“! Pra presidenti i vendit iu bashkua politikës serbe të ndarjes së Kosovës dhe “harroi” se u kishte thënë shqiptarëve asokohe si kryeministër, se „Prej sot Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës“!”, shprehet Bytyçi.

“Hapja e Urës së Ibrit na kujton se Serbia jo vetëm nuk e ka njohur Kosovën si shtet, por gati sa nuk e zhbëri shtetësinë e saj me ndihmën e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Sot jemi këtu ku jemi. Qeverisë Kurti, presidentes Osmani dhe institucioneve të Kosovës u duhet të përballen me pasojat e vetë paraardhësve të tyre. Hapja e kësaj ure është kështu e vonuar. Duhej hapur para dhjetë vitesh. Nuk u bë atëherë, sepse vetë evropianët “flinin me Vuçiqin për inat të Kosovës”! Është e paprecedentë që shtetet evropiane u pajtuan me bllokimin e lëvizjes së qytetarëve brenda territorit në Kosovë, thjesht për ta përkëdhelur sedrën dhe prestigjin e Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, ai e kritikon edhe qasjen e ndërmjetësuesit, Miroslav Lajçak, i cili ka dalur kundër hapjes së urës së Ibrit.

“Kam vënë re se shumë kundërshtarë të shtetit e të pavarësisë së Kosovës janë shprehur edhe kundër hapjes së Urës së Ibrit. Nuk e di nëse Lajçak bën pjesë në këtë kategori anti-Kosovë. Por edhe ai guxoi ta quajë një vendim të parakohshëm. Në videon që të thoshte se është vendim i pa kohshëm në një dekadë të shkuar, thotë se është vendim i parakohshëm. Nuk e di si do të ndjehej, sikur pakica rumune në Sllovaki ta bllokonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit të tij në territorin ku ata jetojnë?! Ndërkaq kishte reaguar edhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut kur thoshte se për hapjen ose jo të urës vendimin e marrin serbët. Ndoshta dëshiron të bëjë politikë e të mashtrojë votuesit e tij të etnisë serbe në këtë komunë. Por nëse ai do të donte të merrte vendime, atëherë nuk do duhej të bojkotonte zgjedhjet e 23 prillit. Për këtë arsye ai nuk mund të marrë vendime. Vendimet merren prej atyre që zgjidhen, jo prej atyre që bojkotojnë. Ky është rregulli i demokracisë. Nëse ish-kryetari i komunës ka parasysh përdorimin e dhunës, këtë do të duhet ta harrojë pas 18 marsit të shkuar, kur u pranua marrëveshja e Ohrit. Me atë marrëveshje nuk ka shans që Serbia të hyjë më në Kosovë”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, hapja e urës së Ibrit, do të krijojë mundësi e shanse që Kosova të unifikohet si tërësi territoriale.

“Hapja e urës së Ibrit u bë pak kohë mbas marrjes së vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Logjikisht pas kësaj nuk mund të kishte asnjë vendimmarrje tjetër. Sepse është irracionale që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në të gjitha vendet e zonës Shengen, përjashtuar Spanjës, dhe nga ana tjetër të mos lejohen të lëvizin lirshëm në atdheun e tyre. Nuk e di nëse këtë e kanë parasysh Lajçak dhe Borrell, të cilët nuk qenkan të kënaqur me vendimin e marrë. Ndërkohë lëvizja e lirë përmes kësaj ure do të krijojë mundësi e shanse që Kosova të unifikohet si tërësi territoriale. Pa hapjen e urës nuk kanë logjikë as marrëveshjet midis Serbisë dhe Kosovës. Hapja do të shërbejë për të normalizuar jetën qytetare, për të rrit kontaktin social midis nacionaliteteve, për të krijuar një atmosferë pajtimi dhe integrimi të të gjithë qytetarëve. Dhe të gjitha këto janë mësime dhe hapa të rëndësishëm në çdo vend të botës demokratike. Ne ishim të brengosur që serbët bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, por duket se çdo e keqe e ka një të mirë”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta implementojë vendimin për hapjen e urës që bashkon qytetin e Mitrovicës.

“Nëse në Mitrovicë do të ishte një kuvend komunal i dominuar nga serbët nuk paska pasur gjasa që ura të hapej. Tashmë është marrë një vendim legjitim. Qeveria duhet ta implementojë atë. Nuk ka rëndësi nëse bashkohet ose jo Mitrovica, me rëndësi është se ku vendim bashkon Kosovën dhe shtrin sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e vendit”, përfundon për “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat