Tri rrëfimet e Goxhajt: Operacioni “Shigjeta”, mos pjesëmarrja e Pandeli Majkos dhe vrasja e ushtarit vullnetar të UÇK-së

Politika

Tri rrëfimet e Goxhajt: Operacioni “Shigjeta”, mos pjesëmarrja e Pandeli Majkos dhe vrasja e ushtarit vullnetar të UÇK-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 maj 2023 Në ora: 15:15
Foto ilustrim

Kanë kaluar 24 vjet që nga lufta në Kosovë, por plagët, kujtimet e rrëfimet e ish- viktimave, ish- luftëtarëve e njerëzve janë ende të freskëta në kujtesë.

Ish- ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, thotë se periudha e asaj kohe ka qenë më krenare e jetës së tij.

Ai ka ndarë tri rrëfime të kohës së luftës në një përgjigje për “Bota sot”.

Në rrëfimin e parë ai përmend Operacionin “Shigjeta” në mal të Pashtrikut.

“Mund t’ju them me plot gojën se ajo kohë në radhët e UÇK është periudha më krenare e jetës sime. Ju më kërkoni të ndaj me ju një rrëfim, i cili të më ketë mbetur në kujtesë edhe në ditët e sotme. Unë, me këtë rast, po ndaj me ju jo një, po tre rrëfime të asaj periudhe e të asaj rëndësie, të cilat besoj se do të tregojnë shumë më shumë për atë periudhë kohore të krenarisë sonë kombëtare”.

“Rrëfimi i parë ka të bëjë me kohën pak para se të fillonte Operacioni “Shigjeta” në mal të Pashtrikut. Në atë kohë Zv/Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Përkohshme së Kosovës ishte z. Fatmir Limaj, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK ishte koloneli Bislim Zyrapi. Të dy këta kuadro të larta të UÇK-së na ngarkojnë Musë Jasharin dhe mua me detyrë që të bisedojmë me komanduesit e forcave të FARK-ut, të cilat ishin dislokuar në kazermën e Ushtrisë së Republikës së Shqiptarisë, në Kolsh të Poshtëm, pranë vendit të quajtur Fushë Dukagjinë, që në rast se nuk do të hynin në luftë, duhej të largoheshin prej asaj kazerme dhe t’ia dorëzonin atë Divizionit të Kukësit pasi edhe atij i përkiste. Dhe të përgatiteshin për të luftuar në Koshare. Puna e parë që duhej të bëja, ishte e nevojshme që të kontaktoja përmes telefonit me Ministrin e Mbrojtjes të Qeverisë së Kosovës në Ekzil, (e drejtuar nga z.Bukoshi), me kolonel Halil Bica. Qysh në thirrjen e parë, ai pranoi të bisedonim. Pasi u përshëndetëm, e informova për çfarë e thirra, duke i shpjeguar se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së më ka ngarkuar me detyrë t’iu informoj që trupat e FARK-ut, të komanduara prej tij, të imbarkoheshin prej andej dhe të shkonin në frontin e Koshares, sipas një marrëveshjeje mes tyre. Luftimet në Koshare kishin gati dy javë që po zhvilloheshin. Zoti Bicaj e mirëpriti atë propozim, si dhe më tha se do të fliste menjëherë me komandantët e atyre forcave dhe do të na njoftonte. Nuk u desh të prisnim shumë. Pas dy-tri orësh më thërret në telefon dhe më thotë që ditën e nesërme të paraqiteshim te kazerma, dhe atje do të na presin disa persona të dërguar nga ana e tij, për të biseduar sesi do të veprohej. Të nesërmen kur mbërritëm aty na priste Shefi i Shërbimit Inteligjent i Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi, nëse nuk gaboj, më duket se quhej Skënder Hasimaj, po mos ma merrni fort i sigurt nëse nuk është ky emër. Ai ishte me dy persona të tjerë si dhe me komandantët e forcave që ishin dislokuar në atë kazermë. Ajo që më ka bërë përshtypje, ishte fakti se të gjithë ata, oficerë dhe ushtarë, ishin entuziastë për të shkuar në frontin e luftimeve. Kjo gatishmëri e tyre bëri që u dakorduam shumë shpejt, duke pranuar se ato forca, edhe pse ishin pjesë të FARK-u, do ishte nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. U vendos që trupat të niseshin drejt për në Koshare, por me një ndalesë të vogël te Uzina në Kukës, ku do të rihartoheshin listat dhe do pajiseshin me armatim, municion dhe mjete të tjera të nevojshme për të luftuar. Transporti do kryhej me kamionët e ushtrisë shqiptare që do t’i sillte Komanda e Divizionit të Kuksit. Dhe kështu ndodhi. Në mbrëmje të po asaj dite filloi lëvizja pa as me të voglin problem, dhe në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme, rreth 300 forca të FARK-ut zbarkuan në afërsi të Koshares, duke pasur në uniformë shenjat dalluese të UÇK-së. Ky ishte një bashkëpunim perfekt në kohën, në vendin dhe momentin e duhur. Këto veprime dhe koordinime më kanë lënë mbresë të pashkëputshme nga kujtesa, gjë që tregonte se vullneti për të çliruar Kosovën ishte i jashtëzakonshëm si nga QPK-ja ashtu edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë Bukoshi. Ai koordinim ishte mbresëlënës”, shprehet Goxhaj.

Image
Dritan Goxhaj

Në rrëfim të dytë ai përmend ditën kur filloi operacioni “Shigjeta” dhe entuziazmin e amerikanëve.

Ajo çka i bëri përshtypje dhe që mund ta harrojë, sipas Goxhajt, është si kryeministri i Shqipërisë në atë kohë, Pandeli Majlu, nuk pranoi të vinte, i cili pa arsye nuk shkoi, duke zgjedhur të drekonte me ministrin e tij të Kulturës, Ed(vin) Rama.

“Rrëfimi i dytë ka të bëjë me ditën që filloi Operacioni “Shigjeta” me forcat që sulmuan në mal të Pashtrikut. Sulmi filloi në datën 26 Maj 1999. Amerikanët ishin shumë entuziastë për këtë operacion dhe, me këtë rast, na kishin kërkuar që të mund të organizohej një lloj ceremonie ushtarake në Kukës ditën që do të fillonte ai operacion. U dakordësuam me komanduesit e Divizionit të Kuksit i Ushtrisë Shqiptare dhe pasandaj me Ministrinë e Mbrojtjes së R.Shqipërisë, që atë ditë të mbahej në Kukës një demonstrim force, parakalim trupash si nga ana e Ushtrisë Shqiptare ashtu edhe me forcat e UÇK-së. Atë ditë, në Atë ceremoni morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Rexhep Mejdani, Këshilltari i tij për sigurinë z.Sabit Brokaj, i cili bëri edhe ndërmjetësin që e gjithë kjo të bëhej e mundur, si dhe Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë z. Luan Hajdaraga. Ajo që bëri përshtypje për të gjithë pjesëmarrësit ushtarakë dhe në popull, e që nuk mundem ta harroj, në atë demonstrim force mungoi dhe nuk pranoi të vinte Kryeministri i Shqipërisë, z.Pandeli Majko, i cili nuk nxori asnjë lloj arsyeje, por, përkundrazi, atë ditë. Ai u largua për të ngrënë një drekë qejfi tek vilat qeveritare në Durrës me propozim, sikundër na shpjeguan, të Ministrit të tij të Kulturës të asaj kohe z.Ed(vin) Rama”, shprehet Goxhaj.

Ndryshe, sot është duke u mbajtur seanca ndaj ish- ushtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, që tashmë po dëgjohen dëshmitarët kundër tij.

Goxhaj përmend Shalën, i cili sipas tij, mbahet padrejtësisht për një vrasje, që sipas tij është bërë nga komandanti i Qendrës Stërvitore të UÇK-së, Ruzhdi Saramata.

Në rrëfimin e tretë, ai përmend dramën tragjike, një dhimbje dhe ngjarje e pa imangjinueshme, sipas Goxhajt.

“Rrëfimi i tretë ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në datën 2 Maj të 1999, në Qendrën Stërvitore të UÇK-së në Burrel. Komandanti i asaj Qendre Stërvitore ishte Ruzhdi Saramata. Ai, për arsye thjesht ordinere, vret një ushtar vullnetar të kontingjentit të UÇK-së që stërvitej në Burrel, si dhe plagos dy pjesëtarë të tjerë të saj! Dhe ajo që e ktheu atë dramë në tragjedi ishte se, vullnetarit që u vra nga komandanti i tij, atë ditë i kishte ardhur familja nga Evropa për ta përcjellë në luftën për çlirimin e Kosovës! Një dhimbje dhe ngjarje e paimagjinueshme! Dhe, çudia tjetër ishte, se për këtë ngjarje është dënuar në Kosovë dhe tashti po mbahet padrejtësisht në Gjyqin e Hagës Pjetër Shala, ndërsa Ruzhdi Saramatës edhe pse u ndalua nga policia ushtarake e UÇK me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, ai u lirua me ndërhyrjen direkte të Xhavit Halitit dhe jo vetëm që as që i ka hyrë gjemb në këmbë, por pas lufte po këta që e liruan e vunë zv/kryetar i Komisionit Shtetëror për Veteranët e Luftës!”, shton Goxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat