“Kompromis i realizueshëm dhe investim inteligjent”/ Mirëpritet propozimi i ri i Kurtit për Asociacionin

Politika

“Kompromis i realizueshëm dhe investim inteligjent”/ Mirëpritet propozimi i ri i Kurtit për Asociacionin

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 maj 2023 Në ora: 20:11
Foto nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka propozuar një ide të re për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.

Në takimin në Bruksel me presidentit serb, Aleksandër Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kurti si model e ka marrë Këshillin e Përbashkët i Komunave Serbe, i cili tubon komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë.

“Vizioni që propozova unë mund të them që është inspiruar nga një marrëveshje që ka bërë Serbia për normalizim. Është marrëveshja mes Serbisë dhe Kroacisë për normalizim. Unë jam inspiruar nga ai model […] Besoj se është modeli i duhur edhe për ne”, deklaroi Kurti, duke e pranuar se e ka dhënë këtë variant si “draft-vizion” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

E kjo ide e propozuar nga kryeministri Kurti po përkrahet edhe nga njohësit dhe studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Investim inteligjent

Image
Enver Bytyçi

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot” thotë se propozimi i Kurtit është një investim logjik dhe inteligjent.

“Është interesant fakti qe Albin Kurti më 2 maj paraqiti në Bruksel një projekt bazuar në statusin e serbëve në Kroaci, si bazë e formimit të një asociacioni të serbëve në Kosovë. Madje unë e quaj një investim logjik dhe inteligjent, sepse serbët në Kroaci dhe serbët në Kosovë kanë një lloj ngjashmërie midis tyre. Në Kroaci dhe në Kosovë përqindja e numrit të minoritetit serb para luftës ishte 12.1 përqind në Kroaci (1991), ndërsa në Kosovë 10 përqind (1991). Pas luftës numri i serbëve në Kroaci zbriti në 4.5 për qind, ndërsa në Kosovë (2006) 5 përqind. Në numër absolut Kroacia ka sot gjithsej 200 - 250 mijë banorë të etnisë serbe, ndërsa Kosova diku te 100 mijë. Kosova, në ndryshim nga Kroacia, është e banuar me qytetarë të etnisë serbe në disa pjesë të territorit të saj edhe në brendësi në formë enklavash. Vetëm 2 përqind e serbëve që jetojnë në Kosovë krijojnë një territor pak a shumë kompakt të lidhur me territorin e Serbisë. Ndërkohë që në Kroaci serbët janë të përqendruar në dy rajone thuajse kompakte, të kufizuara me Serbinë ose Bosnjë Hercegovinën”, thotë Bytyçi.

“Në Kroaci serbët u larguan prej vendbanimeve të tyre ende pa përfunduar lufta midis Serbisë e Kroacisë, në vitin 1995 dhe shumë pak prej tyre janë rikthyer në këto vendbanime. Ndërsa në Kosovë serbët u larguan prej këtu pasi u nënshkrua marrëveshja e paqes në Kumanovë më 9 qershor 1999. Shkaqet e largimit të serbëve nga Kroacia ishin sulmet e ushtrisë kroate në këto territore. Shkaqet e ikjes së serbëve nga Kosova ishte frika se mos shqiptarët me hyrjen e NATO-s do të hakmerreshin prej tyre. I përmenda këto fakte për të në funksion të argumentit se Kosova dhe Kroacia kanë të histori dhe aktualitet të ngjeshëm midis tyre në raportet me popullsinë në këto dy vende”, shpejgon Bytyçi.

Sic thotë ai, paraqitja e një projekti të bazuar në statusin e serbëve në Kroaci përbën një bazë objektive dhe shumë të arsyeshme për të përmbyllur përpjekjet për krijimin e asaj që quhet asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Megjithatë Kroacia nuk ka asnjë asociacion për serbët që jetojnë atje. Bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia e kërkojnë një gjë të tillë me ngulm e me presion të pastër, sepse Kosova nuk është Kroaci. Sipas marrëveshjes së vitit 1995 midis qeverisë kroate dhe Federatës Jugosllave të asaj kohe serbët kanë fituar të drejtën që të rikthehen në vendbanimet e tyre dhe të vetëqeverisën në kuadër të të drejtave të Autonomisë Lokale, bazuar në Kartën e Këshillit të Evropës. Ndërkohë që në momentin që me atë marrëveshje shteti kroat dhe shteti i Serbisë (Federata Serbi-Mali i Zi) vendosën që të njohin kufijtë e Kroacisë së sotme, përfshirë brenda saj dy rajonet serbe, 24 mijë serbë të këtyre rajoneve u larguan nga vendbanimi për të mos u kthyer kurrë më aty. Ato u larguan në drejtim të Serbisë dhe Republikës Srpska në shenjë revolte se nuk donin të ishin nën sovranitetin e shtetit kroat”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova duhet të kujdes që assesi mos të pranohet modeli i Vojvodinës.

Ndoshta këtë eksperiencë të hidhur ka parasysh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kur thotë se „qëllimi i kryeministrit Kurti është të dëbojë serbët nga Kosova“! Në fakt, në momentin që Vuçiqi do të nënshkruajë marrëveshjen e njohjes së kufijve dhe integritetit territorial të Kosovës, do të ketë serbë që mund të ikin prej vendbanimeve të tyre. Por kjo do të ndodh, nëse ndodh, për shkak se prej 24 vitesh politika serbe i ka ushqyer ata me “sovranitetin serb në Kosovë“! Ikja, nëse ndodh, do të kualifikohet si produkt i zhgënjimit të tyre me politikat ultranacionaliste të Beogradit dhe jo me ndonjë projekt të qeverisë së Kosovës. Unë mendoj se në çështjen e asociacionit për serbët në Kosovë duhet shumë kujdes. Eksperienca kroate duhet studiuar me vëmendje dhe në ato standarde duhet këmbëngulur me vendosmëri. Në fund të fundit është eksperiencë e një vendi anëtar i NATO-s dhe BE-së në raport me të njëjtin minoritet që jeton edhe në Kosovë. Modeli vojvodinas nuk mund e nuk duhet pranuar në asnjë mënyrë. Vojvodina është krahinë autonomë e Serbisë dhe aty banon gati 30 përqind e popullsisë të të gjithë vendit. Raportet e popullsisë vendase dhe minoritetit serb janë të njëjta vetëm në Kroaci e në Kosovë”, deklaron për “Bota sot”, profesor Enver Bytyçi.

Kompromis i realizueshëm

Image
Seb Bytyçi

Kurse sipas studiuesit të politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ideja që prezantoi kryeministri Kurti në Bruksel është një kompromis i realizueshëm.

“Një çështje tepër e rëndësishme është parimi i multietnicitetit. Parimi i multietnicitetit mund të plotësohet në disa mënyra. Së pari, mund të jenë pjesë e Asociacionit komunat ku ka pakica serbe (p.sh., Kamenica, Vushtrria), në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimeve edhe për ata qytetarë, ngjashëm me Këshillin e Përbashkët të Komunave në Kroaci, ku bëjnë pjesë edhe komunat me pakicë serbe. Ky është një kompromis i realizueshëm”, përfundon Seb Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat