Përmendet një model tjetër Asociacioni/ Profesori flet për vizitat e ndërkombëtarëve – ja çfarë mund të ndodhë nga këto bisedime!

Politika

Përmendet një model tjetër Asociacioni/ Profesori flet për vizitat e ndërkombëtarëve – ja çfarë mund të ndodhë nga këto bisedime!

Nga: M.Haziri Më: 10 maj 2023 Në ora: 10:01
Foto ilustrim

Kosova ka qenë nikoqire kohëve të fundit të një sërë vizitash nga ndërkombëtarët.

Secila prej vizitave ka pasur për qëllim të mbështetjes së Kosovës mirëpo edhe sugjerimeve për të krijuar një raport të normalizuar me Serbinë.

Mirëpo gjatë ditës së djeshme Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë se aleatët duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Ai e ka thënë këtë derisa ka bërë të ditur që këtë javë do të ketë “vizitorë të rëndësishëm” në Prishtinë, ndër të tjera edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në qeverinë britanike.

E në lidhje me këtë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai u shpreh se temë diskutimi do të jetë shkarkimi i Ekipit Menaxhues për hartimin e statusit të Asociacionit.

“Këto ditë kishte disa vizita në Prishtinë. Ndërsa në Beograd më pak. Nuk mund të them nëse Beogradi anashkalohet për shkak të akuzave që ngre media amerikane për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe bandat kriminale, apo se duan të ushtrojnë trysni ndaj Prishtinës? Këtë do ta shohim në ditët në vijim. Por fakt është se ka diplomat perëndimorë, të cilët mendojnë se qeveria e Kosovës është fajtorë, pse shkarkoi grupin e hartimit të statusit të atij që quhet asosacion i iomunave me shumicë serbe në Kosovë”, u shpreha profesori.

Draft statusi për Asociacion, shkatërrues për Kosovën

Bytyçi thotë që shkarkimi i Ekipit Menaxhues ishte vendimi i duhur, pasiqë një draft i tillë është shkatërrues për Kosovën.

Ekipi menaxhues prezantoi me 2 maj në Bruksel variantin e tij të këtij asosacioni. Është një variant, me të cilin komunat me shumicë serbe në Kosovë marrin statusin e një shteti brenda shtetit. Megjithëse Lajçak, Borrell, Escobar e të tjerë e dinë këtë fakt, sërishmi këmngulin, kush më pak e kush më shumë, që projekti i këtij ekipi të jetë “bazë e mirë për negocim”! Kurti në vend të negocimit paraqiti modelin europian të Kroacisë. Nëse ai nuk do paraqiste asnjë alternativë, atëherë do të ishte në trysni të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe miratuar propozimin e Aleksandër Vuçiq për atë që serbisht quhet Zajednicë.

Kësisoj janë prishur balancat e negociatorëve, që fshehtazi, prapa shpinës së qeverisë së Kosovës, bashkë me Beogradin gatuan atë projekt shkatërrues për shtetësinë e Kosovës përmes propozimit të ekipit menaxhues të asosacionit. Ata janë vënë në pozitë mbrojtëse. Nuk mund të ishin në sulm kundër qeverisë së Kosovës, derisa kjo qeveri në mënyrë të argumentuar u dha variantin e saj të krijimit të hapësirës për liri politike e demokratikë të pakicës serbe në Kosovë”, shpjegon Bytyçi.

Pse Lajçak e Borrell u gjetën në vështirësi?

Në bised e sipër profesori shtjellon se pse Lajçak dhe Borrell u gjetën në vështirësi duke përmendur këtu edhe shtetin e Koracisë dhe trajtimin e serbëve atje.

Sepse modeli kroat i krijimit të një Këshilli të Përbashkët të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, njësoj si ai i komunave serbe në lindje të Kroacisë është një model bindës, i efektshëm dhe që garanton të drejtat e liritë njerëzore e kombëtare të minoritetit serb në Kosovë. Kroacia ka gjithsej më shumë se dyfishin e serbëve që jetojnë në Kosovë. Në përqindje, serbët në Kroaci zënë 4.5 përqind të popullsisë, nga 12 përqind para aksionit të ushtrisë kroate në zonat e banuara me serbë. Ndërsa në Kosovë ky minoritet është 5 përqind e popullsisë, nga 10 përqind para luftës. Pra përqindja e minoritetit serb në të dy vendet në raport me popullsinë shumicë është thuajse në të njëjtin raport.

Kjo do të thotë se të drejtat e tyre garantohen me modelin e Kroacisë të krijimit të Këshillit të Përbashkët të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Megjithatë thuhet se Kroacia ishte njohur si shtet i pavarur, ndërsa Kosova jo dhe kjo përdoret si alibi për lëshime më të shumta ndaj pakicës serbe në Kosovë në raport me atë në Kroaci. Por Kosova, me planin e Ahtisaarit e ka bërë lëshimin e saj për pavarësinë. Në parlamentin e Kroacisë deputetët e pakicave nuk mund të bllokojnë as ndryshimet kushtetuese dhe asnjë lloj ligji kombëtar. Në Kosovë pakica serbe bllokon ndryshimet kushtetuese. Në Kroaci gjuha serbe nuk është gjuhë zyrtare, në Kosovë serbishtja është gjyha e dytë zyrtare e vendit. Por ka edhe lëshime të tjera në fushën e trashëgimisë fetare e kulturore. Tani Lajçak e Borrell këmbëngulin edhe në krijimin e një asosacioni shkatërrues të shtetësisë së Kosovës”, shton profesori.

Nga ana tjetër profesori thekson që nuk duhet të imponohet nga ndërkombëtrët zbatimi i Asociacionit në kundërshtim me kushtetutën e vendit.

“Ndërmjetësit ndërkombëtarë po vijnë të njihen nga afër me propozimin e qeverisë së Kosovës dhe ta studiojnë atë. Më pas do të ndërtojnë edhe strategjinë e qëndrimeve të tyre. Por unë besoj se Serbia nuk është në situatë aq të përmirësuar sa të imponojë skemat e saj të imponimit ndaj Kosovës. Nuk mund ta imponojë as asosacionin në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Kjo për arsye se presidenti serb është vënë nën akuzë publike për lidhje kriminale me mafien dhe korrupsion, për autoritarizëm dhe dhunë kundër medies së lirë, për…. Shumë aktë destabilizuese në Serbi e në rajon”, tha ai.

Profesori potencon që disa delegacione që vijnë në Prishtinë janë të prirura që të këshillojnë pikërisht modelin kroat të asosacionit.

“Në të kundërtën qeveria e zotit Kurti është qeveri e pastër në këto pikëpamje. Si e tillë ka autoritetin, presitigjin dhe të drejtën morale të imponohet edhe në diskutimin sa i përket krijimit të asosacionit. Kam ndjesinë gjithashtu se disa delegacione që vijnë në Prishtinë janë të prirura që të këshillojnë pikërisht modelin kroat të asosacionit. Ministri i Jashtëm i Kroacisë jo rastësisht ishte në këtë moment në Prishtinë dhe ai jo pa qëllim dha përkrahjen e tij të modelit të vendit të tij për trajtimin e të drejtave të minoritetit serb në Kosovë. Unë besoj se edhe britanikët janë kundër dezintegrimit të shtetit të Kosovës dhe për pasojë kundër një asosacioni që e copëton territorn e saj. Po ashtu amerikanët dhe gjermanët”, tha profesori.

Në fund, Bytyçi nënvizon që asgjësimi i shtetit të Kosovës realizohet me shumë intrigë të besueshme përmes krijimit të një asosacioni, siç e dëshiron Beogradi, Serbia.

Ndërkohë Borrell dhe Lajçak luajnë për llogari të Beogradit, Madridit e Bratislavës. Ka shumë mundësi që ata të dy të jenë porositur edhe nga kryeqytetet e vendeve të tyre të bëjnë ç’është e mundur ta asgjësojnë shtetësinë e Kosovës, me qëllim që të lirohen nga detyrimi për ta njohur atë si shtet. Dhe asgjësimi i shtetit të Kosovës realizohet me shumë intrigë të besueshme përmes krijimit të një asosacioni, siç e dëshiron Beogradi, Serbia, presidenti serb, Vuçiq dhe qeveria e Beogradit.

Kur vijnë në Kosovë shumë delegacione e përfaqësues nga disa vende të perendimit veç e veç nga njëri-tjetri, ata synojnë secili për hesapin e interesave të vendit të tij të promovojnë zgjidhje të ndryshme. Qeveria e Kosovës duhet t’i dëgjojë të gjithë përfaqësuesit e këtyre vendeve, të klasifikojë pikëpamjet e qëndrimet e tyre dhe të përzgjedhë idetë që konsolidojnë shtetin e pavarësinë e Kosovës. Cilitdo vendi t’i konvenojnë këto ide, me ato vende qeveria e zotit Kurti duhet të bashkëpunojë ngushtë”, përfundoi profesori universitar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat