Rezoluta e PE-së për Kosovën dhe Serbinë - Për herë të parë kritikohet ashpër Serbia për veprimet përshkallëzuese

Politika

Rezoluta e PE-së për Kosovën dhe Serbinë - Për herë të parë kritikohet ashpër Serbia për veprimet përshkallëzuese

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 maj 2023 Në ora: 20:57
Parlamenti Evropian

Për qytetarët e Kosovës, ky vit ishte shpresëdhënës, me vet faktin se u miratua liberalizimi i vizave në zonën Shengen.

Kosova tash e sa kohë ka luftuar për një të drejtë të tillë, gjë që iu ka mohuar ndër vite, pavarësisht detyra dhe obligimeve që ka pas dhe i ka përfunduar.

Por, tani “si një kusht i ri” është krijimi i asociacionit në komunat me shumicë serbe në veri.

Të mërkurën që kaloi, Parlamenti Evropian ka miratuar dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, është shprehur e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, tha ajo gjatë debatit.

Derisa nga ana tjetër vendet anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Shteti grek po bën lëvizje në drejtim të Kosovës madje këtë e shfaqi duke abstenuar në Këshillin Evropian për Kosovën.

Kurse, nga Spanja deri tani qëndrimi mbetet i njëjtë.

Duhanaj: Dialogu ka rrëshqitur tashmë nga kërkesa për njohje

Analisti Leon Duhanaj, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se rezolutat e miratuara nga Parlamenti Evropian janë sinjale orientuese rreth qëndrimeve të grupeve parlamentare rreth temave të caktuara.

“Kur flasim për rezolutat e Parlamentit Evropian, duhet të kemi parasysh se, në të kaluarën nuk është që kanë pasur edhe aq ndikim të madh në vendimmarrjen e BE-së. Megjithatë, nga to mund të nxjerrim sinjale orientuese rreth qëndrimeve të grupeve parlamentare rreth temave të caktuara. Në ketë kontekst, duhet parë edhe këto rezoluta, të cilat për mendimin tim, parashtrojnë qasjen e palëve në dialog”, thotë ai.

Image
Leon Duhanaj

Ai mendon se dialogu ka rrëshqitur nga kërkesa për njohje, ndaj edhe duhet të kërkohet llogari nga Qeveria për këtë.

“Pra duke qenë se dialogu ka rrëshqitur tashmë nga kërkesa për njohje, është hequr edhe nga diskursi parlamentarë. Për ketë duhet kërkuar përgjigje me shumë tek Qeveria e Kosovës e cila ka pranuar opsionin e njohjes reciproke nga dialogu. Natyrisht që në mënyrë implicite mendohet që kjo të ndodhë para se të ndodhë integrimi i plotë i rajonit në BE, megjithatë është shqetësues fakti se si Qeveria e Kosovës ka devijuar nga parimet bazë në dialog”, përfundon ai.

Mulliqi: Miratimi i këtyre rezolutave është sinjal i mirë

Analisti Skënder Mulliqi ka komentuar këtë duke thënë se pse Kosova mbeti e izoluar faj kanë edhe pushtetet e kaluara sepse qe shumë vite nuk kemi njohje, Kosova nuk pati ministri e diplomatë të duhur për të shtyrë proceset përpara.

“Kosova shumë gjatë si i vetmi shtet në Evropë, mbeti i izoluar nga bota demokratike. E kishim gjatë gjendje të status kuos politike për t’u inkuadruar në strukturat e ndryshme të BE-së. Pse nuk arritëm që të bëhemi pjesë e këtyre organizmave, pjesën më të madh të fajit e kishin pushtetet e kaluara korruptive. Që shumë vite nuk kemi njohje të reja, nuk patëm ministra të punëve të jashtme dhe as diplomatë të duhur, të cilët do t’i kishin përshpjetuar proceset. Nuk u lobua te 5 shtetet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Madje, e kam thënë disa herë këtë vakum politik dhe intitucional tonin, e shfrytëzoi Serbia e cila loboi, për të mos pasur njohje të reja, madje me lobimin e saj ndodhën 17 çnjohje, të cilat nuk kanë guxuar të na ndodhin”, thotë ai.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, shteti i pareformuar i Serbisë nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në takime me ndërmjetësit e BE-së.

“Serbia e Vuqiqit, me marrëveshje të firmosura ishte e detyruar që të mos lobon kundër Kosovës, por ja që ky shtet i pa - reformuar nuk po i zbaton as dy marrëveshjet e fundit, atë të Brukselit dhe të Ohrit. Po tregon për të satën herë se nuk i besohet pushtetit kriminal të presidentit, Aleksandar Vuqiq. Me pushtetin e ri kemi disa të arritura në politikat ndërkombëtare, siç është liberalizimi i vizave, dhe shumë afër jemi që të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës, një organizëm ky shumë i rëndësishëm. Pastaj, shumë është ndalur Serbia që t’i përcakton agjendat e dialogut. Ka indikacione pas disa takimeve bileterale që Greqia dhe Spanja më në fund ta njohin shtetësinë e Kosovës, të cilat shtete pak kohë më parë absetnuan në votim, që është shumë pozitive.

Në fund, ai thotë se miratimi i këtyre rezolutave është sinjal i mirë, se do të kemi një qasje më ndryshe, shumë më pozitive të BE-së, karshi Kosovës.

Mulliqi thekson edhe një herë se pavarësisht, nuk duhet të pranon asnjë lloj të asociacionit që e konteston kushtetutën e vendit.

“Parlamenti Evropian ka miratuar së fundi rezolutë në të cilën ju bëhet ftesë 5 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ta njohin Kosovën. Ky raport u miratua nga shumica e euro - deputetëve, të cilët edhe përshëndetën liberalizimin e vizave, dhe aplikimin e Kosovës për statusin kandidat në BE. Viola von Cramon raportuese për Kosovën në PE, që është një mike e jona, ka shprehur disa herë keqardhje pse vendi ynë, nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, duke kritikuar Serbinë njëkohësisht, se po lobon për ta mbajur Kosovën të izlouar. Kur jemi këtu duhet theksuar së BE-ja, duhet të jetë shumë më ashpër në raport më Serbinë së deri më tash, e cila nuk po i kryen detyrimet e zotuara. Me rezolutat në fjalë ndoshta për herë të parë nga Parlamenti Evropian kritikohet më ashpër Serbia për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake në veri, si dhe fushatën e çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Po ashtu ajo që duhet përshëndetur është se nga ky institucion ndërkombëtar kërkohet njohje e ndërsjellë që të kemi normalizim të plotë të marrëdhënieve. Të shpresojmë se këto rezoluta do të jenë sinjal i mirë, se do të kemi një qasje më ndryshe, shumë më pozitive të BE, pas shumë kohësh që ju bë presion vetëm Kosovës në bisedime me Serbinë. Këtij pushteti të Vuqiqit duhet bërë me dije se nuk do të ketë ndarje të Kosovës mbi baza etnike, me implementimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Kosova nuk duhet të pranon asnjë lloj të asociacionit që e konteston kushtetutën e vendit”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat