Paralajmërojnë analistët, ja çfarë mund të ndodh në rast të përsëritjes së zgjedhjeve në veri

Politika

Paralajmërojnë analistët, ja çfarë mund të ndodh në rast të përsëritjes së zgjedhjeve në veri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 qershor 2023 Në ora: 08:11
Foto ilustrim

Qytetarët serbë në katër komuna në veri të Kosovës ka mundësi që përsëri t’i drejtohen kutive të votimit.

Pas krizës atje që u përshkallëzua me dhunë, në momentin kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë, protestat në ato pjesë edhe pse qetësisht dhe me një numër të vogël njerëzish nuk po ndalen.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.

"Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth [këtyre] ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen".

"Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte", u shpreh ai.

Escobar ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale.

Ndërsa, analistët politikë thonë se zgjedhjet e reja vetëm do ta dëmtojnë buxhetin e Kosovës dhe se serbët do të vazhdojnë ta “kushtëzojnë” Kosovën.

Serbët mund t’i bojkotojnë sërish zgjedhjet

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se kryeministri Kurti mund të pajtohet që të përsëriten zgjedhjet lokale, por problemi mund të qëndrojë të bojkotimi i sërishëm i serbëve.

“Edhe pse zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në katër komunat në veri nga qeveria e Kosovës ishin të koordinuara, të lejuara e të pranuara ndërkombëtarisht nga KUINT-i, BE-ja dhe SHBA-të, dhe ja pas situatës tensionuese e të egërsuar nga serbët rebelë, i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar, jo që nuk i pranon zgjedhjet, por kërkon të mbahen zgjedhje të reja pa fajin e qeverisë së Kosovës. Albin Kurti me siguri do pajtohet të përsëriten dhe një herë zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut, por problemi është se po qe se prapë serbët e veriut bojkotojnë zgjedhjet dhe përsëri fitojnë kandidatët shqiptatë në këto komuna, atëherë si do veprojnë BE-ja e SHBA-të a do dalin në anën e serbëve bojkotuas, apo do pranojnë legjimitetin e kryetarëve shqiptarë?, Pyesim përfaqësuesin amerikan Escobarin, po nëse edhe pas zgjedhjeve të reja serbet turbullojnë me trazira veriun atëherë kush do fajësohej qeveria e Kosovës apo serbët rebelë të veriut”, shprehet Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas Mehazit, amerikanë dhe evropianët me zgjedhjet e reja në veri vetëm do ta dëmtojnë buxhetin e Kosovës.

“Habitemi se si SHBA-të e BE-ja nuk e kanë të qartë se serbët e Kosovës të dirigjuar nga Vuçiqi përsëri do t'i bojkotojnë e nuk do dalin të votojnë duke kushtëzuar qeverinë e Kosovës me asociacionet ekzekutive të llojit të republikës serbe në veri, si nuk e kanë të qartë Escobari e Lajçaku se serbët e këtyre komunave nuk e njohin qeverinë e Kosovës dhe se 100 herë të ripërsëriten zgjedhjet në veri, 100 herë nga serbët do bojkotohen këto zgjedhje lokale. Amerikanët dhe evropianët me zgjedhjet e reja në veri vetëm që do ta dëmtojnë buxhetin e Kosovës për shkak se serbët e veriut përsëri do bojkotojnë zgjedhjet e organizuara e të dala nga qeveria e Kosovës, këmbëngulja bojkotuese e tyre është për një republikën serbe në Kosovë”, thekson Mehazi.

Lista serbe si partia më e madhe serbe kishte bojkotuar zgjedhjet në veri me dirigjim të Beogradit, duke kërkuar formimin e asociacionit fillimisht.

Ende nuk dihet nëse ata do të marrin pjesë në rast të zgjedhjeve të reja, por i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është "kërkesë ligjore" për Qeverinë e Kosovës.

"Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme", u shpreh Escobar.

Qarri: Pjesëtarët e rebeluar të pakicës serbe, do të nxiten dhe motivohen të vazhdojnë ta “kushtëzojnë” në forma e mënyra të lloj-llojshme edhe më tej Kosovën

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri, thotë se Escobar është i vetëdijshëm se asociacioni mund të formohet vetëm me pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet komunale.

Sipas tij, nëse pakica serbe nuk është duke u manipuluar nga Serbia dhe bandat kriminale do të respektojë thirrjen e Escobarit.

Por, sipas tij, ata edhe mund ta kushtëzojnë në forma të ndryshme Kosovën.

“Në fakt pa mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pjesëmarrjen e pakicës serbe në to dhe formimin paraprak të institucioneve komunale, asociacioni as që mund të formohet, ngase ato duhet të jenë pjesë përbërëse e të ashtuquajturit "asociacion" formimi i të cilit, çuditërisht kërkohet me aq këmbëngulje edhe nga emisari amerikan Gabriel Eskobar. Kështu që edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin perëndimor, Gabirel Escobar, i vetëdijshëm se asociacioni mund të formohet vetëm me pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet komunale, ai ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet e reja dhe pjesëtarët e minoritetit serb të mos t’i bojkotojnë më ato. Prandaj nëse pakica serbe, vërtetë nuk është duke u manipuluar nga Serbia dhe bandat e saj kriminale në krye me Milan Radojçiqin dhe listën serbe si dorë e zgjatur e Serbisë, për gllabërimin e veriut dhe ndarjen përfundimtare të Kosovës, atëherë ajo medoemos, duhet ta respektoj thirrjen e Eskobarit, për pjesëmarrje në zgjedhje, në mënyrë që pas formimit të asambleve komunale të mund të formohet edhe asociacioni!

Por, duke njohur qëllimet e përhershme të bandave kriminale, sjelljet e listës serbe dhe pretendimet e sëmura territoriale të Aleksandër Vuçiqit, si dhe mbështetjen formale të opozitës së inkriminuar e të grupeve shqipfolëse të rrjeteve të krimit të organizuar në Prishtinë dhe gjithandej Kosovës, të cilat për më tepër se dy dekada, kanë kooperuar dhe kooekzistuar bashkë me bandat kriminale të veriut, kohë kur edhe kryebanditi Milan Radojçiq pritej si hero në zyrën e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, pjesëtarët e rebeluar të pakicës serbe, do të nxiten dhe motivohen të vazhdojnë ta “kushtëzojnë” në forma e mënyra të lloj-llojshme edhe më tej Kosovën”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas Qarrit, opozita po ndihmon në rrëzimin e qeverisë Kurti dhe vendosjen e Kosovës para aktit të kryer, në mënyrë që asaj t’i imponohet ndarja e gllabërimi i veriut dhe pjesëve më vitale të saj.

“Për aq më tepër, të ekzaltuar nga presioni i paskrupullt i McGonigalit të ri amerikan Gabriel Eskobar ndaj Qeverisë Kurti vetëm pse kryeministri ynë, po e mbron me kaq dinjitet dhe këmbëngulje tërësinë territoriale, rendin kushtetues dhe shtetin tonë të pavarur nga pretendimet e Serbisë fashiste, për bosnjëzimin e Kosovës dhe krijimin e një "republika srpska" brenda për brenda vendit tonë, si hap paraprak për gllabërimin e veriut dhe ndarjen e Republikës së Kosovës, opozita e inkriminuar e cila ka hy plotësisht në shërbim të Serbisë dhe presidentit kriminel serb Aleksandër Vuçiqit, ashtu siç ka vepruar gjithmonë në mënyrë tinëzare, serish, po përpiqet që në kooketim me bandat e Radojçiqit dhe ndërkombëtarët edhe në këtë gjendje të tensionuar, në të cilën ndodhet aktualisht Kosova, njëjtë si me dylberin Grenell, ta rrëzojnë serish edhe Qeverinë Kurti 2!

Dhe me shpresën për arritjen sa më parë të kësaj katrahure, ato në krye me politik-bërësin e llojit "harakiri" Ramush Haradinaj, kanë iniciuar edhe njëfarë të ashtuquajturi "mocion" harambash, për rrëzimin e qeverisë Kurti, duke u premtuar Serbisë dhe emisarit Eskobar, se po qese ato vijnë edhe njëherë të vetme në pushtet, do ta formojnë "zajednicën" kundërkushtetuese një etnike serbe me kompetenca ekzekutive, pikërisht dhe pikë për pikë, siç e kanë miratuar edhe në Kuvend kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati Isa Mustafa, me bashkimin e votave të deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe listës "srpska", ani pse atë marrëveshje debile, me 2015, e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës!

Prandaj, krejt kjo uverturë klandestine, do të zhvillohet në vijimësi e forma të ndryshme, të tilla dhe të ngjashme, të kooketimit të vazhdueshëm të banditëve serb e shqiptar, me qëllimin final për rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe vendosjen e Kosovës para aktit të kryer, në mënyrë që Kosovës ti imponohet ndarja e gllabërimi i veriut dhe pjesëve më vitale të saj, nga Serbia hegjemoniste, si Trepça e Ujmani, pa të cilat, nuk do të mund të mbijetojë shteti ynë i vogël e me resurse të mangëta, dhe do të shuhet përfundimisht edhe Republika e Kosovës, që edhe është qëllimi kryesor i Serbisë hegjemoniste”, shton Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat