Drafti i Ramës për asociacionin, vjen reagimi i opozitës: Do të duhej të koordinohej, gabim trashanik i qeverive

Politika

Drafti i Ramës për asociacionin, vjen reagimi i opozitës: Do të duhej të koordinohej, gabim trashanik i qeverive

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 qershor 2023 Në ora: 10:15
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Edi Rama

"Jam këtu për t'ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin e kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane", është shprehur kryeministri shqiptar Edi Rama të enjten gjatë një konference drejtuar medieve.

Sipas Ramës dokumenti është konfidencial, por është "një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën".

Kaq ka mjaftuar që reagimet ndaj kreut shqiptar të jenë të menjëhershme, si negative, ashtu edhe të një anshme e pozitive.

Gjersa, drafti i propozuar nga Rama tashmë ka arritur në Berlin, nga qeveria e Kosovës thonë se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.

Në ekzekutivin e Kosovës thonë se Asociacioni është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe se ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë do të kuptojnë qëllimin e Serbisë për krijimin e një “Republika serbe” në Kosovë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për median thotë se qëllimi serb për Asociacionin shihet edhe së fundmi me nonpaper-in e Akademisë së Shkencave dhe të Artit të Serbisë ku flet për “Botën serbe”.

“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republika Srpska në Kosovë dhe së fundmi me nonpaperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për ‘Botën serbe’. Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, thuhet në përgjigjen Kryeziut.

Në anën tjetër, ky draft i Ramës shihet i mirëseardhur nga opozita (AAK).

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, shprehet se iniciativa e Ramës mund të jetë lajm i vogël, por de facto ka peshë të madhe për Kosovën.

“Çdo ide dhe plan i cili është i mirë për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës është i mirëseardhur për ne si AAK. Iniciativë e z.Rama për një lloj drafti të asociacionit është një hipotezë dhe një lajm i vogël i cili po qarkullon nëpër media, por që de fakto e ka peshën e madhe për Kosovën”, pohon Lekaj.

Image
Pal Lekaj

Ai paraqet disa kënde të këtij drafti, ku pos tjerash thotë se ai do të duhej të koordionohej me institucionet e Kosovës, por në anën tjetër kritikon qeverinë se nuk kujdeset për gjendjen e brendshme të shtetit.

Sipas tij, qeveria e Kosovës ka nevojë për mbështetje, për miq dhe ide e plane.

“Këtë draft unë e shohë në disa kënde: E para, një dokument i një rëndësie jetike për fatin e shtetit tonë, duhet të jetë përmes kanaleve zyrtare, madje konfindenciale deri sa të përgatitet për t’u prezantuar në publik, dhe jo të qarkullojë si lajm i thjeshtë në rrjete sociale. E dyta, kryeministri Rama duhet që në disa hapa që lidhet me Kosovën, me patjetër të koordinohet paraprakisht me Institucionet e vendit tonë dhe spektrin politik pa dallim, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe vendosë vetë për fatin e vet. E treta, ne si AAK nuk e dimë materien dhe përmbajtjen e këtij propozimi, prandaj është herët të gjykojmë anët pozitive dhe negative për politikën dhe proceset e vendit tonë, që mund të këtë ky plan nëse vërtet ekziston. E katërta, Qeveria e Kosovës nuk po kujdeset për gjendjen e brendshme të shtetit, nuk po ka kontroll dhe nuk po ka strategji veprimi as me ndërkombëtarët, dhe madje as me fqinjët e as me Tiranën. Raportet mes dy vendeve kurrë nuk kanë qenë më të ftohta sesa në kohën e fundit dhe ky është gabim trashanik i të dy qeverive. E pesta, të mendosh që Qeveritë e të dy vendeve do të takohen brenda disa dite në Gjakovë, dhe që niveli më i lartë i komunikimit është virtualisht në rrjete sociale, nuk janë mesazh i mirë as për Kosovën e as për Shqipërinë. Qeveria e Kosovës ka nevojë për mbështetje, për miq dhe ide e plane që e zhvillojnë vendin dhe jo për inate politike e armiqtë që mund t’i shkaktojnë dëme të parevokueshme, ndërsa edhe Shqipëria ka nevojë për një Kosovë të fortë e të pavarur”, thekson Lekaj.

Marrëveshja për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, me gjithë thirrjet e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë, Kosova vazhdimisht ka refuzuar me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat