Serbia ‘forcoi’ lidhjen me Amerikën me marrëveshjen e fundit, mësohen prapavijat e këtij vendimi – vjen thirrja për Kosovën!

Politika

Serbia ‘forcoi’ lidhjen me Amerikën me marrëveshjen e fundit, mësohen prapavijat e këtij vendimi – vjen thirrja për Kosovën!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 qershor 2023 Në ora: 09:24
Serbia dhe Amerika kanë themeluar Këshillin e biznesit amerikano-serb

Në kohën kur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë në pikën më të nxehtë pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq ka bërë të ditur se kanë themeluar Këshillin e biznesit amerikano-serb, gjersa tha se kjo shënon fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin ekonomik midis dy vendeve.

Marrëveshje u nënshkrua në praninë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Gjuriq në një postim në Twitter shkruan se kjo mishëron angazhimin e tyre të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta, për të promovuar tregtinë dhe investime si dhe për të përmirësuar mirëkuptimin e ndërsjellë.

“Themelimi i sotëm i Këshillit të Biznesit amerikan-serb shënon fillimin e një kapitulli të ri në partneritetin ekonomik midis dy kombeve tona të mëdha.

Ai mishëron angazhimin tonë të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta, për të promovuar tregtinë dhe investime dhe për të përmirësuar mirëkuptimin e ndërsjellë”, shkroi ndër të tjera ambsadori i Serbisë.

Kjo marrëveshje, padyshim që nuk është një lajm i mirë për Kosovën, pasi rritja e bashkëpunimin Serbi-SHBA, nuk do të shkonte në favor të vendit tonë, aq më pak pas gjithë tensioneve dhe sulmeve në veri.

Voca: Është një mesazh indirekt që tregon se ShBA po afrohet edhe me shtetin serb

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i shkencave dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca.

Së pari, ai tha se ky është një sinjal se Amerika po ndryshon orientimin e e politikës së jashtme ndaj Serbisë.

Image
Mirsad Voca

“Është një mesazh indirekt që tregon se ShBA po afrohet edhe me shtetin serb, dhe është normale që dinamika e raporteve Serbi - Shba të ndryshoj, sa i përket orientimit të politikës së jashtme serbe. Nuk duhet të hamendemi që Serbia ndoshta ka bindur faktorin perëndimor për orientimin e saj drejt perëndimit dhe ky është sinjal pozitiv nëse Shteti serb ka njëmend të afrohet më shtetet perëndimore duke parë që në vazhdimësi Rusia po humb territorin e okupuar në Ukrainë”, deklaroi doktori i shkencave gjeopolitike.

Sipas Vocës, nuk duhet nënvlerësuar këtë politika të shtetit serb, pasi rrethanat mund të ndryshojnë shumë.

Krahas kësaj, ai kërkoi kreativitet nga Kosova dhe përshtatje me zhvillimet e fundit në rajon dhe më gjerë.

“Politika serbe nuk duhet nënvlerësuar në këtë aspekt sa i përket ndërrimit të kursit në politkën e jashtme, dhe rrethanat mund të ndryshjojnë pa marrë parasysh se mund të mendohet që ajo nuk do të ndryshojë dhe me gjasë nuk do të ndryshojë substancialisht ndaj qëllimeve të saj ndaj Kosovës. Prandaj, Kosova duhet të tregoj kreativitet politik për t‘iu përshtatur rrethanave aktuale sa i përket politkës së jashtme dhe assesi të mos mendoj se Serbia nuk mund të krijoj marrëdhënie miqësie edhe me shtetet që kanë kontribuuar më së shumti në themelimin e Shtetit të Kosovës. Kosova nuk e ka ‘luksin’ të japë leksione lidhur me politikën e jashtme të Shba apo BE, anipse ka të drejtë të shpreh shqetësimet e saj”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, shtoi se Kosova nuk ka aleatë rezerëve, përveë perëndimit, për dallim që Serbia ka edhe Kinën, andaj kërkoi vëmendje të shtuar në këtë aspekt.

“Mbi të gjitha anipse Serbia do të mund të luante lojën kinse orientohet kah perëndimi, Kosova nuk ka asnjë aleat tjetër rezervë dhe nuk guxon as të mendoj në atë drejtim për aleanca tjera, ndërsa të gjithë e dijnë që Serbia ka aleatët e saj të besueshëm dhe të përhershëm siç është Rusia dhe Kina”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.

Mehazi: Rrezikshmëria më e madhe mund të jetë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, profesori dhe njohësi i cështjeve politike, Sulejman Mehazi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se themelimi i këtij këshilli është mesazh se shteti serb po i forcon lidhjet e tij me Amerikën.

“Pjesëmarrja e Emisarit të SHBA-së për Ballkani Perëndimor, Gabriel Escobarit dhe ambasadorit të SHBA-së, Christopher Hillit në Beograt me rastin e ceremonisë së themelimit të Këshillit Amerikano-serbe të Biznesit është mesazh i qartë se Serbia hovshëm jo vetëm politikisht, por edhe me anë të bizneseve tregëtare, ekonomike po futet brenda administratës politike dhe korporatave të fuqishme ekonomike të SHBA-së, përkundër shteteve e Lobeve Amerikane-Shqiptare të përçarë duke luftuar njëra tjetrën”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mehazi kritkoi dy shtete shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë, duke thënë s enuk po bëjnë mjaftueshëm për thellim të bashkëpunimit me SHBA-të.

“Dy shtetet shqiptare Shqipëria dhe Kosova as që mendojnë të themelojnë Lidhjet Politike dhe Ekonomike Korporatash të fuqishme Amerikano-Shqiptare aq sa verbëria e lidhjeve me amerikanët i ka stepur me kënaqësi inatesh shtetërore. Nuk e dimë se a ekziston në Shqipëri apo Kosovë ndonjë Këshill lidhjesh biznesesh me SHBA-në, ne nuk e dimë? Është e turpshme dhe thuajse armiqësore që dy shtetet shqiptare të mos bëjnë lidhje korporatash ekonomike, biznesesh tregëtare, politike e kulturore me aleatin më të madh të tyre sikurse që është SHBA-ja. Derisa shqiptarët shprehin një farë dashurie të zjarrtë teorike e pasive ndaj SHBA-se, në anën tjetër serbët me anë të lidhjeve aktive e praktike të ftohta e jodashurore themelojnë Këshillin Amerikano-serbe biznesesh për ju afruar e përvetësuar SHBA-në”, theksoi profesori.

Më tej, ai zbuloi prapaskenat e mesazhit të kësaj marrëveshje mes Serbisë dhe Amerikës.

“Kosova, Shqipëria, Lobet shqiptare dashuro thatë pa farë lidhjesh biznesesh amerikanët, gjersa Serbia me lidhjeve të korporatave, bizneseve afrohet me dinakëri për të shfrytëzuar amerikanët politikisht e ekonomikisht. Mesazhi i pjesëmarrjes së dy përfaqësuesve amerikanë Escobarit dhe Hillit me rastin e themelimit të Këshillit Amerikano-Serbe është mesazh vetëdijësimi për Kosovën e Lobin Shqiptaro-Amerikan të cilët nga Lobi i fuqishëm i Federatës Panshiqptare – VATRA, të Nolit e Konicës janë copëtuar e ndarë sipas bajraktarizmave krahinore, udhëheqësit e këtyre bajraktarëve lobist shqiptaro-amerikane vetëm që selfijosen me elitatat politike shqiptare duke na bërë me dije se janë udhëheqës të Lobeve krahinore e asgjë më shumë duke mos qenë të aftë të bashkëpunojnë me korporatat më të medha amerikane në të mirë të shqiptarëve”, nënvizoi Mehazi.

Në fund, profesori tregoi rrezikun më të madh që mund ta kenë shqiptarët, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

“Rrezikshmëria më e madhe mund të jetë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi se mos ndoshta themelimi i Këshillit Amerikano-Serbe në Beograd mund të bëhet më i fuqishëm sesa dhjetëra Lobe të përçara amerikane-shqiptare brenda SHBA-së”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat