Profesor Bytyçi tregon kur Serbia do ta njohë Kosovën, dhe kur pranohet Kosova në OKB

Politika

Profesor Bytyçi tregon kur Serbia do ta njohë Kosovën, dhe kur pranohet Kosova në OKB

Nga: Nehat Shaqiri Më: 5 gusht 2023 Në ora: 14:07
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Tensionet e fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut të kaluar në veri të Kosovës kanë tërhequr vëmendjen e BE-së dhe SHBA-së për shkak të frikës së një konflikti të ri në këtë rajon, konflikt i cili është synim dhe interes i Rusisë, me qëllim tërheqjen e vëmendjes nga agresioni rus kundër Ukrainës.

Kështu thotë profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, i cili shton se Evropa sidomos e përjetoi krizën dhe konfliktin e fundit midis Kosovës dhe Serbisë me ankth të paparë.

Ai shton se, mira është se mesa duket disa diplomatë të apasionuar për ta shpërblyer Serbinë me territore të Kosovës kuptuan se kjo është e pamundur të bëhet pa luftë.

Profesori thotë se këtë mesazh e dha Albin Kurti me qëndresën e tij ndaj provokimeve të Beogradit dhe ndaj “këshillave” të këtyre diplomatëve.

“Tensionet e shkuara kanë bllokuar dialogun. Kjo shihet qartë. Por mesa duket çeshtja e dialogut pret edhe për interlokutorët e BE-së dhe SHBA-ve. Besoj se është më mirë kështu. Së paku në procesin e ardhshëm nuk do të jetë më Escobar. Shumë njerëz më thonë që kritika ndaj diplomatëve amerikanë është anti-amerikanizëm. Por duhet ta kuptojmë se liria në Amerikë shkon deri te e drejta e diplomatëve për të manovruar sipas bindjeve dhe interesave personale, vetëm me një kusht, të mos preken interest jetike të SHBA-ve. Nuk funksionon politika dhe diplomacia në SHBA njësoj sin ë Europë”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Borrell duhet të jetë diku andej nga Majorka dhe nuk ka kohë të udhëheqë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, kurse Lajçak gjithashtu dëshiron të fitojë kohë e të mburret me zgjidhjen për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, sepse e kupton se qasja e tij ndaj dialogut është e dështuar.

“Pra, ai është i kënaqur me suksese pjesore. Dialogu le të shkojë si të dojë, të shtyhet e të mos përfundojë kurrë. Mjafton të thotë se “Unë e parandalova një konflikt të dytë midis Kosovës e Serbisë”! Pra të hiqet si guardian i paqes në Europë. Propagandë e shpifur është kjo! Pijar i stilit të Sorosit! Por bllokimi i dialogut është interes i Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Ai nuk dëshiron të përballet me opozitën serbe, e cila dëshmoi një forcë të madhe gjatë protestave të fundit kundër politikave autoritariste dhe arrogancës së pushtetit. Borrell dhe Lajçak ia bëjnë presidentit serb një lloj shërbimi duke e larguar pak vëmendjen nga dialogu. Vitet e shkuara Kurti dhe Vuçiq janë takuar edhe në muajin gusht, megjithëse muaj pushimesh. Tani prej kohësh ata nuk takohen e nuk flasin për implementimin e marrëveshjes së shkurt-marsit të këtij viti të Brukselit e Ohrit”, potencon ai.

Bytyçi thekson se, kjo ndodh, sepse nuk ka presion, kur nuk ka presion, nuk ka as dëshirë e vullnet për dialog.

“Nuk e di nëse Kurti ka apo jo interes të zhvillohet dialogu. Por së paku ai nuk është bërë pengesë e tij. Ata që janë bërë pengesë kanë emra dhe mbiemra të tjerë. Megjithatë qeverisë së Kosovës, institucioneve të saj dhe kryeministrit të vendit u intereson që sovraniteti i shtetit të shtrihet në të gjithë territorin. Ata duan dhe duhet të kontrollojnë çdo metër katëror të vendit të tyre. Sa më i plotë integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror në Kosovë, aq më shpejt arrihet marrëveshja përfundimtare midis saj dhe Serbisë, edhe pse kjo marrëveshje nuk e zgjidh përfundimisht njohjen e plotë ndërkombëtare për Kosovën”, thotë ai.

Sipas tij, njohja e plotë nuk do të ndodhë para përfundimit të luftës në Ukrainë.

“Vetëm pasi të jetë zgjidhur çështja ukrainase, do të mund të pranohet Kosova në OKB. Edhe sikur Kosovën ta njihte Serbia, ajo nuk merr ulëse në OKB pa një vendim të Këshillit të Sigurimit. Prandaj BE dhe SHBA hoqën në një farë mënyre dorë nga kërkesa për njohje dhe hartuan një marrëveshje njohjeje de facto, pra të normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Megjithatë qeveria e Kosovës duhet të përgatitet për dialogun dhe të kërkojë njohjen e plotë nga ana e Serbisë të shtetit të Kosovës, sepse vetëm kështu krijohen garanci për stabilitet, paqe, siguri, bashkëpunim rajonal dhe integrime euro-atlantike. Së paku hiqet çdo pengesë që Kosova të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat