Sulmi terrorist në veri, kërkohet koordinim dhe unitet ndërmjet spektrit politik në Kosovë

Politika

Sulmi terrorist në veri, kërkohet koordinim dhe unitet ndërmjet spektrit politik në Kosovë

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 30 shtator 2023 Në ora: 15:41
Situata në veri të Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të enjten ka takuar kryetarët e partive kryesore opozitare, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë në vend. Fillimisht u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, pastaj atë të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj, po ashtu me ftesë të Presidentes mori pjesë edhe drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit.

Presidentja Osmani ka theksuar se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku. Ajo i ka falënderuar partitë opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit me agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Po ashtu, Presidentja ka siguruar liderët opozitar se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve si dhe do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët tanë të cilët, në bashkëpunim me institucionet tona të sigurisë, janë garantues të paqes e stabilitetit.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike theksojnë se pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, duhet të ketë koordinim dhe unitet ndërmjet spektrit politik në vend.

Burjani: Mund të ketë zgjedhje

Analisti politik, Blerim Burjani, deklaron se uniteti politik duhet të funksionojë sa i përket temës së veriut dhe dialogut, sipas tij, për të mirën e shtetit po kërkohet bashkim i ideve dhe strategjive.

Image
Blerim Burjani

Derisa thekson se, për shkak të shumë dështimeve të mëdha duhet të mendohet edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Uniteti politik duhet të funksionoj sa i përket temës së veriut dhe dialogut, po kërkohet bashkim i ideve dhe strategjive për të udhëhequr politik unanime për të mirën e shtetit, tjerat tema trajtohen në garën kush po angazhohet më shumë për të shërbyer më mirë për qytetarët, angazhimet janë gara pozitë-opozitë për tema të shumta. Duhet të mendohet edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të shumë dështimeve të mëdha dhe ngecja në integrimet në BE dhe reformave sektoriale, tash për këto momente nuk mund të ketë zgjedhje, në vitin tjetër duhet patjetër të kemi zgjedhje”, deklaron ai për “Bota sot”.

Mehmeti: Të krijohet grupi i unitetit

Nga ana tjetër, analisti politik Faton Mehmeti, vlerëson se të gjitha partitë në Kosovë duhet të kenë unitet kur është fjala për dialogun dhe në përgjithësi raportet me Serbinë.

Image
Faton Mehmeti

Tutje ai insiston në formimin e Grupit të Unitetit me takime të rregullta, derisa përfundimisht të zgjidhet problemi me Serbinë.

“Natyrisht, të gjitha partitë në Kosovë duhet të kenë unitet kur është fjala për dialogun dhe në përgjithësi raportet me Serbinë. Kështu që, e kam theksuar edhe më parë nevojën për formimin e Grupit të Unitetit njësoj si në kohën e Rugovës. Presidentja Osmani ka vepruar mirë duke thirr në takim liderët e opozitës, megjithatë insistojë të formimi i Grupit të Unitetit me takime të rregullta derisa përfundimisht të zgjidhet problemi me Serbinë”, deklaron ai për “Bota sot”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas takimit me Osmanin theksoi se ka ofruar mbështetjen e plotë të gjitha institucioneve të sigurisë, dhe shtoi se për PDK-në interesi nacional është mbi të gjitha.

Krasniqi i bëri thirrje aleatëve ndërkombëtar që të rrisin presionin kundër Serbisë për dorëzimin e terroristëve.

Ai theksoi se nuk ka asnjë dyshim që shteti serb është i përfshirë në sulmin terrorist kundër Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit ka shkruar në Facebook se është informuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe për angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë ditës së diel në Banjskë.

“Jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm. Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve. Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren. Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë. Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, ka thënë se sulmi në veri ishte terrorizëm i pastër, dhe sipas tij, rreziku vazhdon edhe më tutje.

Haradinaj tha se biseda me presidenten Osmani ishte kryesisht lidhur me zhvillimet e sigurisë të ditës së diel, ku si pasojë e këtij sulmi terrorist u vra oficeri i policisë, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

Ish-kryeministri Haradinaj ka kërkuar hetim ndërkombëtar për sulmet terroriste në veri.

Kujtojmë se, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona, pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Policia e Kosovës ka njoftuar se 3 pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë nga ana e Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat