Ballkani, “plani B” i Rusisë/ NATO dhe BE paralajmërohen për rrezikun që po i kanoset Kosovës

Politika

Ballkani, “plani B” i Rusisë/ NATO dhe BE paralajmërohen për rrezikun që po i kanoset Kosovës

Nga: M.Lakna Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 21:05
Ushtarët amerikanë të NATO-s duke patrulluar pranë një barrikade rugore afër Zubin Potokut, më 1 gusht 2022

Eksperti austriak Gunther Fehlinger, ka thënë se dy javët e ardhshme do të jenë të vështira për Ballkanin, duke apeluar që SHBA të shtojë trupat dhe t’i tregojë vendin Serbisë nëse do të bëjë përpjekje për të marrë territore.

“Dy javët e ardhshme do të jenë shumë të vështira. Rusia do që të ketë Serbinë gjithmonë në anën e saj, deri tani ka qenë e suksesshme, por dhe vetë Rusia është në prag të kolapsit ekonomik dhe gjëja e fundit që i duhen, janë sanksionet nga Serbia. Prania ruse dhe bashkëpunimi që po i ofron Serbia përbën rrezikun më të madh në Ballkan. Serbia kërkon ta kthejë Kosovën në një lloj Donbasi, ndaj duhet një prani më e madhe e trupave të SHBA në Ballkan për t’i treguar Serbisë se çdo përpjekje për të marrë territore do të marrë përgjigjen e merituar, kjo është mënyra e vetme për ruajtjen e paqes”, tha eksperti austriak të premtën.

Ditëve të fundit ka pasur disa deklarata paralajmëruese për qëllimet destabilizuese të Serbisë.

Madje, deklarata të tilla kanë ardhur edhe nga vet krerët e shtetit të Kosovës.

Në lidhje me këto zhvillime në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike, Amir Shabani.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Amir Shabani.

Ai tha se deklarata e ekspertit austriak, Fehlinger, është shumë paralajmëruese për sigurinë e Kosovës dhe mesazh për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor për ta parandaluar Serbinë drejt një sulmi të radhës.

“Incidenti i fundit, i provokuar nga agresioni i Serbisë, do të thotë gjithashtu se Kosovës më në fund duhet t'i ofrohet një udhërrëfyes për anëtarësimin në NATO si një nxitje reale dhe përshpejtimin e procesit së fillimit të bisedimeve për në BE. Kosova në fakt ka avancuar si një demokraci e lirë – sipas indekseve relevante globale, shumë më tepër se sa homologët e saj në Ballkanin Perëndimor. Miqtë perëndimorë të ranonit mund të dëshirojnë gjithashtu të emërojnë një raportues special në Këshillin e Evropës për të hetuar rrethanat e sulmit terrorist në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, si dhe monitorues parandalimi nê rast të ndonjë tentimi për sulm të ri”, ka thënë Shabani për “Bota sot”.

Sipas tij, Serbia është thelluar në kriza të rënda, sidomos pas zgjedhjeve të fundit.

Kjo ka qenë një karakteristikë e politikës serbe për mbi 100 vjet, që nga luftërat e para ballkanike në fillim të shekullit të 20-të.

“Vuçiqi po përballet me krizën më të madhe të karrierës së tij. Ai i mbijetoi epokës kur shërbeu nën kriminelët e luftës Slobodan Milosheviç dhe Vojislav Sheshelj dhe u riemërua si një demokrat pro-perëndimor, duke shtrënguar duar me njerëz si Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, por këto manovrat e fundit vdekjeprurëse e vënë të gjithë këtë në rrezik”, ka thënë ai.

Shabani ka theksuar po ashtu se perëndimi, respektivisht SHBA-ja dhe BE-ja duhet të shtojnë kujdesin, sigurinë dhe mbështetjen financiare ndaj Kosovës, në mënyrë që sulmet e paramenduara nga Serbia të mos kenë Sukses.

“Siç ka theksuar analisti austriak, Serbia është linja e vetme e përshtatshme e Rusisë dhe pasiqë Rusia po përjeton humbje dhe rrezik ushtarak e ekonomik, s'ka dyshim se shfrytëzimi i një kanali tjetër për destabilizim, në këtë ras inicimin e Serbisë për krizë në Ballkan, është mënyra e vetme e saj për të fituar kohë në vazhdimin e konfliktit që e ka krijuar në nivel global”, ka përfunduar analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat