“Serbia vazhdon të jetë rob i kësaj mendësie” / Avokati Bajraktari: Këtë gjë duhet të bëjë Kosova në fushën e sigurisë!

Politika

“Serbia vazhdon të jetë rob i kësaj mendësie” / Avokati Bajraktari: Këtë gjë duhet të bëjë Kosova në fushën e sigurisë!

Nga: A.SH Më: 8 janar 2024 Në ora: 20:01
Aleksandar Vuçiq

Serbia siç duhet ka nisur një fushatë agresive ndaj shqiptarëve.

Kjo me ç’rast, është arrestuar një shtetas i Kosovës, ish-ushtar i UÇK-së, Hasan Dakaj në kufi me Serbinë, duke u caktuar një muaj paraburgim për të, e pastaj edhe dhuna ndaj tre shqiptarëve të Shqipërisë në Mal të Zi, duke mos harruar as opozitarin serb Nikola Sanduloviqi, i cili pranoi krimet serbe të kryera në Kosovë, e më pas u dhunua e u rrah nga BIA serbe duke mbetur i palëvizshëm.

Prapa këtyre qëndron vet shteti serb, i cili pretendon të bëhet anëtar i BE-së.

Por, çfarë po ndodh dhe si duhet të veprojë Kosova?

Avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se nga Serbia nuk pritet diçka mirë, duke shtuar se politika e tillë nis që nga koha e Garashaninit e deri tani tek Vuçiqi.

Më tej, ai thekson se nga kjo Serbi nuk duhet pritur ndryshime të shpejta.

“Serbia është e njohur për politikën e saj, prej kohësh, andaj duke qenë se e njëjta vazhdon të jetë rob i kësaj mendësie, nuk pritet diçka e mirë. Një politikë e tillë është nga koha e Garashaninit e deri tek Vuçiqi, ish Ministri i propagandës së regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Është kjo politikë e cila jo vetëm që nuk është distancuar nga krimet e tmerrshme e gjenocidi në Kosovë, por nuk ka bërë as nuk bënë asgjë për zbulimin e mbi 400 varreza masive, si dhe zbulimin e mbi 1600 të zhdukurve gjatë luftës.

Andaj nuk mund dhe nuk duhet pritur ndryshime të shpejta, për aq kohë sa në krye të shtetit është një person i cili me propagandë dhe jo vetëm, i ka shërbyer atij regjimi”, thotë ai.

Image
Ardian Bajraktari

Derisa për shërbimet sekret serbe dhe mbrojtjen nga to, Bajraktari thotë se organet e sigurisë duhet të jenë në nivel të kryerjes së detyrave të koordinuara me partnerët strategjikë.

“Organet tona ligj zbatuese, përfshirë ato të sigurisë, duhet dhe besoj që janë në nivel të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive të tyre kushtetuese e ligjore.

Natyrisht se duhet të ketë veprime të koordinuara me partnerët tanë strategjik si dhe me institucionet të cilët kanë rol në fushën e sigurisë, siç është EULEX-i dhe KFOR-i”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat