Tha se Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova, analistët komentojnë deklaratën e Hill-it: Kanë një porosi për kryeministrin Kurti

Politika

Tha se Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova, analistët komentojnë deklaratën e Hill-it: Kanë një porosi për kryeministrin Kurti

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 mars 2024 Në ora: 18:00
Christopher Hill

Serbia agresore as nuk do të ia dijë për fqinjësi të mirë me Kosovën, pavarësisht mundit dhe thirrjeve të ndërkombëtarëve që një gjë e tillë të realizohet.

Me të gjitha ato që ndodhën nga sulmi i Banjskës, Kosovës iu vendosën edhe masa nga ndërkombëtarët, e Serbisë asgjë, dhe kjo lë dyshimet për një përafrim të Serbisë me ndërkombëtarët.

Madje, edhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar se Serbia është aktualisht një partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova dhe përsëriti se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet.

Nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova. Për momentin, po. Kjo është shumë e vërtetë tani. Ne punojmë me ushtrinë serbe çdo ditë, kemi pasur stërvitje, trajnime, një numër gjërash me ushtrinë serbe… Tani ne punojmë së bashku shumë më tepër…”, tha Hill.

Elezaj: Deklarata e Hill ishte sa miqësore, po aq dhe ledhatuese për Serbinë

Image
Rexhep Elezaj

Analisti Rexhep Elezaj, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e Hill ishin sa miqësore poaq edhe ledhatuese për Serbinë.

Ai thotë se ajo deklaratë është e vërtetë, duke e ditur se “ai ka qenë kundër bombardimit të Serbisë, si dhe kundër pavarësisë së Kosovës, por vetëm për një autonomi të zgjeruar”.

“Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, z. K. Hill, e dhënë dje në një intervistë në mediet e Beogradit, ishte sa miqësore, po aq dhe ledhatuese për Serbinë, i cili tha se SHBA-ja është ndër partnerët kryesorë në fushën e bashkëpunimit ekonomik të Serbisë, se është ndër investuesit e më të mëdhenj në Serbi, sidomos në fushën e teknologjisë moderne, duke deklaruar hapur se SHBA-ja ka bashkëpunim të ndërsjellë ushtarak me Serbinë, siç janë ushtrimet e përbashkëta ushtarake, dhe se Serbia aktualisht është më afër NATO-s se sa Kosova.

Unë jam i sigurt, se kjo deklaratë e ambasadorit Hill, është krejtësisht e vërtetë, dhe se kjo nuk është hera e parë që ky jep deklarata të këtilla në favor të Serbinë, siç ka qenë ajo posa e kishte marrë postin e ambasadorit në Beograd, se “ai ka qenë kundër bombardimit të Serbisë, si dhe kundër pavarësisë së Kosovës, por vetëm për një autonomi të zgjeruar”, siç vazhdon të insistojë në kërkesën e SHBA-së, se organet shtetërore të Kosovës duhet ta formojnë sa më parë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, etj., gjë e cila flet shumë qartë, se në agjendën politike-ushtarako-strategjike të SHBA-së në Ballkan, Serbia zë vend kyç, siç e tha dje shumë qartë, se vendi i saj është në BE dhe NATO”, thekson ai.

Tutje, ai ngre shqetësimin pse udhëheqësit tanë nuk i lexuan me kohë dhe në mënyrë të saktë planet dhe strategjitë amerikane në rajonin tonë dhe Evropë.

Nga e gjithë kjo po duket se, amerikanët po duan njëherë e përgjithmonë ta shkëpusin Serbinë fashiste nga ndikimi dhe orbita ruse.

Por, ajo që mua më shqetëson mjaft në kontekst të politikës amerikane në Ballkanin perëndimor, është mos-leximi me kohë dhe i saktë nga ana e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, i planeve dhe strategjisë amerikane në rajonin tonë dhe Evropë, sidomos kur është fjala për koordinim të duhur me miqtë tanë amerikanë, duke harruar faktin historik, se janë vetëm amerikanët, ata të cilët tri herë deri më tani e kanë shpëtuar kombin shqiptar nga zhbërja e tij fizike dhe etnike (me 1919, 1992, 1999). Prandaj këtu dhe në këtë rast, nuk bëhet fjalë vetëm për interesa amerikane në Ballkan, siç thonë disa majtistë shqiptarë, por bëhet fjalë edhe për miqësi të sinqertë shqiptaro-amerikane, siç e ka thënë vetë znj. Hillary Klinton në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 2019, ”Se miqësia shqiptaro-amerikane do të jetë e përjetshme.

Pra, sipas mendimit tim, amerikanët duan që me çdo kusht, mjet dhe mënyrë, Serbinë fashiste ta shkëpusin njëherë e përgjithmonë nga ndikimi dhe orbita ruse, qoftë duke i ndihmuar që të bëhet anëtare e BE-së, qoftë duke e futur në NATO, andaj nëse pushtetarët e Kosovës nuk dinë dhe nuk duan që t’i përshtatën kësaj strategjie që Kosovën ta bëjnë pikë kyçe të interesave dhe politikës amerikane në Ballkan dhe Evropë, atëherë do jenë ata të parët që do e pësojnë politikisht, por jo edhe Kosova dhe shqiptarët, gjë të cilën e kanë bërë të qartë disa herë funksionarë të lartë amerikanë, siç ishte i fundit edhe z. G. Escobar gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Kosovë”, përfundon Elezaj.

Latifi: Ambasadori Amerikan Hill, miku i shqiptarëve ka hise më shumë se kryeministri i Kosovës në bërjen shtet të Kosovës

I kundërt me mendime është Haki Latifi, i cili thotë se Hill ka më shumë hise në Pavarësinë e Kosovës sesa Kurti.

Image
Haki Latifi

 “Mendoj se Ambasadori Amerikan Hill, miku i shqiptarëve ka hise më shumë se kryeministri i Kosovës në bërjen shtet të Kosovës. Ky, pra Kryeministri Kurti me veprimet e deridjeshme sa ishte në opozitë më shumë e ka dëmtuar imazhin e Kosovës se sa e ka ndihmuar. Pra, nuk i njihte institucionet dhe simbolet e Republikës së Kosovës, ndërsa për fat të keq me ardhjen në pushtet të gjitha zotimet demagogjike që i kishte dhënë para qytetarëve me lehtësi i anash kaloi duke larguar Kosovën më shumë nga NATO.

Sjellja e tij prej shtetari, më tepër e ka vënë në pozitë Kosovën që të gjykohet dhe sanksionohet ekonomikisht nga vetë partnerët e shtetit të Kosovës në të cilën udhëtuam bashkë gjerë më tani në kuadër të integrimeve euro-atlantike dhe në aleancë me NATO-n dhe SHBA dhe jo në të kundërtën duke e rrezikuar edhe sigurinë e vendit.

Kryeministri Kurti i gjendur përballë perdes së popullizmit e propagandës; i ballafaquar me arrogancën e pushtetit, ndërsa Kosova e përballur me sulmet e përditshme ndaj themeleve të shtetësisë, Republikën e Kosovës dhe qytetarët po i shndërrohen në pengje kolektive të zymtësisë e paaftësisë”, deklaron ai.

Sipas tij, problemi qëndron te bisedimet ku ai thotë se të dyja palët po e përdorin për konsum të brendshëm.

Më tej, thotë se për shqiptarët sido qofshin amerikanët, pa ta vështirë se ekzistonim si komb.

 “Problemi qëndron se bisedimet me palën serbe të dyja qeveritë si e Kosovës ashtu edhe ajo serbe po i përdorin për konsum të brendshëm. Nga ana tjetër është shumë e qartë, se të dyja palët tashmë kanë rënë dakord për këtë, kjo është ajo që dëshiron BE-ja e SHBA dhe do të realizohet. Kuptohet trysnia vazhdon në themelimin e Asociacionit, për të cilën tashmë është rënë dakord në të kaluarën. Ku mendohet se do të zgjidhen të gjitha problemet tjera si strukturat paralele apo përdorimi i dinarit. Çështja është vetëm kur, jo nëse do të ndodhë.

Për ne shqiptarët, kush do që vjen ne pushtet në SHBA, Demokratët apo Republikanët, ishin, janë dhe do jenë të njëjta. Pa amerikanët vështirë se do ekzistonim si komb”, përmbylli ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat