Qeveria e Kosovës tregon "dhëmbët" për Haradinajn, ndërpret bisedimet me Serbinë

Politika

Qeveria e Kosovës tregon "dhëmbët" për Haradinajn, ndërpret bisedimet me Serbinë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 13 mars 2017 Në ora: 12:17
Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës në gjykatën franceze

Qeveria e Republikës së Kosovës do ta respektojë rezolutën e Kuvendit të Kosovës për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Bota sot”, Edita Tahiri, Ministre dhe kryenegociatore e dialogut me Serbinë.

“Qeveria dhe unë si krye-negociatore e respektojmë rezolutën e kuvendit të miratuar. Që nga fillimi i dialogut me 2011, ne si qeveri kemi respektuar te gjitha rezolutat e kuvendit dhe mbetemi të përkushtuar në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Ministres Edita Tahiri për gazetën  “Bota sot”.

Ndërkohë, subjektet politike opozitare janë shprehur skeptike nëse Qeveria do ta zbatojë rezolutën e Kuvendit, për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë.

Rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila kërkonte pezullimin e dialogut me Serbinë deri në lirimin e Kryetarit të AAK-së Ramush Haradianj, u votua njëzëri si nga pozita ashtu edhe nga opozita.

Kosova të mos bëjë lëshime kundrejt Serbisë

Për këtë arsye, Shpejtim Bulliqi, Deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se ka shumë rëndësi që e njëjta të zbatohet.

“Shpresoj që kjo rezolutë të respektohet nga institucionet, tek e fundit të gjithë bashkë e kemi votuar. Ka shumë rëndësi për Kosovën që kjo rezolutë të respektohet, përmes saj përçohet mesazhi i shumefishtë për të gjitha palët se kur na dëmtoni/pengoni ne ndërmarrim masa pse jo edhe si kjo e ndërprerjes se bisedimeve”, ka deklaruar Bulliqi.

Po ashtu, ai ka thënë se, Kosova ka bërë lëshime të shumta në dialog, ndërsa Serbia nuk i ka respektuar marrëveshjet e arritura.

“Pastaj nuk është se mund të krenohemi me të arriturat e dialogut, Kosova është ajo që ka bërë lëshime të shumta, ndërsa që pala serbe nuk i ka respektuar as marrëveshjet e arritura. Çfarë dialogu është ky, këndej dialogojmë,në anën tjetër Gebelsat e Millosheviqit lëshojnë fletarreste për qytetarët e Kosovës. Kemi po ashtu bllokadat e Serbisë në çdo forum ndërkombëtar, Serbia në vend të de-nacifikimit po sillet si fituese e luftës, fatkeqësisht bashkësia ndërkombëtare po i toleron të sillen kështu”, ka nënvizuar Bulliqi.

Shqipe Pantina, Deputete e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se përvoja e kaluar, tregon shumë raste kur rezolutat e Kuvendit nuk janë zbatuar.

“Qeveria e ka obligim t'i zbatojë të gjitha vendimet e Kuvendit qofshin ato ligje apo rezoluta. Përvoja e kaluar na tregon se ka shume raste kur kjo qeveri por edhe ato te kaluarat nuk i kanë zbatuar vendimet gjegjësisht rezolutat e Kuvendit dhe për këtë pasojat nuk i kanë bart qeveritaret por per fat te keq qytetaret”, ka thënë ajo.

Pantina theksuar, se në rastin e dialogut me Serbinë, qeveria nuk ka zbatuar interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përfaqësoj interesat e qytetareve te vet ndërsa zyrtarët e BE-së mbrojnë interesat e tyre, ka raste kur këto interesa edhe nuk përputhen. Ne rastin e dialogut me Serbinë deri me tani nuk kemi pare të jenë realizuar interesat e qytetareve të Kosovës. Ky dialog është dashur të ndërkrehet shumë më herët, bile te mos filloj fare pa u plotësuar disa kushte nga ana e Serbisë”, është shprehur ajo.

Kërkohet zbatimi i Rezolutës nga Qeveria

Ndërkaq, për zyrtarin e AAK-së Avni Arifi, zbatimi i kësaj rezolute e forcon kredibilitetin e Kosovës dhe parlamentit të saj.

”Është me interes që Kosova të respektoj vetveten. Zbatimi i kësaj rezolute e forcon kredibilitetin e Kosovës dhe parlamentit të saj. Kosova nuk duhet të përpij tallje të tilla. Nuk mundet që të ketë normalizim të raporteve në njërën anë e në tjetrën Serbia shërbehet me metoda të Millosheviqit. Serbia duhet të përcaktohet”, është shprehur ai.

Sipas tij, do të ishte gabim i rëndë nëse Qeveria do ta evitonte zbatimin e kësaj rezolute.

“Ne kemi kërkuar rezolutë sepse kemi dashur të besojmë se së pari do të aprovohej e më pas edhe do të zbatohej nga Qeveria. Do të ishte gabim i rëndë nëse Qeveria mendon që ta evitoj zbatimin”, ka nënvizuar Arifi.

Skepticizëm për zbatimin e Rezolutës

Ndërkaq, sipas politologut Mentor Tahiri, rezoluta e Kuvendit të Kosovës me të cilën kërkohet lirimi i z.Haradinaj, për shkak të përmbajtjes së saj, është e destinuar të jetë joserioze.

“Nuk kishte asnjë nevojë, që kërkesa për lirimin e z.Haradinaj të ndërlidhet me procesin e bisedimeve me Serbinë. Ky detaj i cili në thelb është një popullizëm naiv, e bënë këtë rezolutë jo vetëm të pakuptimtë, por edhe pa gjasa për t’u realizuar si e tillë, me ç’rast institucionet e vendit humbin shumë nga autoriteti i tyre. Përpilimi i tekstit të rezolutës aty ku përmendet pezullimi i dialogut me Serbinë, ishte krejtësisht amatoresk dhe pa asnjë nivel të gjuhës politike. Të rikujtojmë se dialogu me Serbinë nuk zhvillohet as për dëshirën e Prishtinës zyrtare e as të Beogradit, por është kusht i vënë nga komuniteti ndërkombëtarë, i cili jo vetëm që nuk do të tolerojë arrogancë politike por edhe do ta dënoj atë”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, momentumi politik në të cilin Kuvendi ka miratuar rezolutën, është i ndërlikuar dhe aspak i favorshëm, si pasojë e një varg veprimesh të papërgjegjshme të institucioneve të vendit.

“Reagimi i BE-së ishte i vendosur por edhe i pritshëm dhe për fat të keq shpërfaqë një dozë jo serioziteti të Kosovës, aq më keq që tanimë ka një përplasje qëndrimesh ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtarë edhe sa i përket çështjes së formimit të Ushtrisë”, është shprehur ai.

Skeptik në zbatimin e kësaj rezolute është shprehur edhe analisti Islam Krasniqi.

Sipas tij, rezolutat e parlamentit të republikës së Kosovës asnjë herë nuk janë respektuar nga qeveria, ato kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjë efekt më shumë.

“Pezullimi i dialogut më Serbin dhe ndërprerja e qdo aktiviteti ekonomik më ta, deri në lirimin e ish kryeministrit Haradinaj nga Franca do të ishte hapi më pozitivë që ka ndërmarr Kosova që nga pas lufta”, është shprehur Krasniqi.

Mirëpo, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta respektojë rezolutën e Kuvendit dhe të mos ulet në tavolinë pa u bërë të pa vlefshme të gjitha flet arrestet e lëshuara nga Serbia.

“BE-së nuk i intereson Kosova, ajo kërkon vetëm Serbinë ta marr në gjirin e saj duke e shkëputur nga Rusia, dhe për atë raportuesja e Parlamentit të Evropës për Kosovën, Ulrike Lunacek, u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të vazhdojnë procesin e dialogut. Serbia tërë kohen na kërcënon, na akuzon, BE-ja heshtë, dhe thotë ti ulin gjakrat Prishtina dhe Beogradi. Qeveria e Kosovës duhet ta respektoj rezolutën e Kuvendit dhe të mos ulet në tavolinë pa u bërë të pa vlefshme të gjitha flet arrestet e lëshuara nga Serbia, dhe ta kuptoj edhe  BE-ja që edhe ne jemi shtet dhe të na trajtoj të barabartë më të tjerët”, ka theksuar Krasniqi.

Megjithatë, ai ka potencuar, se edhe kjo rezolutë mund ta ketë fatin e atyre që dolën nga kuvendi i Kosovës, të cilat mbeten vetëm në letër, sepse, siç është shprehur ai, “kjo klasë politike nuk guxon ti mbyll sytë karshi thirrjeve të BE-së, dhe momenti kur i ftoin në Bruksel, e harroni rezolutën dhe shkojnë pa menduar dy herë!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat