Dialogu duhet të vazhdojë i riformatuar dhe i kushtëzuar

Politika

Dialogu duhet të vazhdojë i riformatuar dhe i kushtëzuar

Më: 29 mars 2017 Në ora: 14:26
Debati për dialogun me Serbinë

Në një debat të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës u tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, por i kushtëzuar dhe i riformatuar.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) deklaroi se rezoluta e kaluar në Kuvendin e Kosovës që kërkon nga qeveria pezullimin e dialogut mund të prodhojë efekte nga më të ndryshmet, të cilat prekin procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ajo shtoi se  transparenca dhe gjithpërfshirja mbeten elemente kyçe për këtë proces.

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se Kosova e ka obligim brenda Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që të jetë faktor konstruktiv në procesin e dialogut, ashtu siç e ka edhe Serbia kapitullin e 35 të negociatave për anëtarësim në BE.

Sipas saj, dialogu është proces dinamik që në vazhdimësi do të plotësohet dhe do ta ushqejë procesin drejt integrimit evropian të Kosovës.

Deputeti Daut Haradinaj, ka theksuar se pezullimi i dialogut është i drejtë pasi që Kosova e ka për obligim që t’i bëjë me dije Serbisë se nuk mund të luajë me qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, BE-ja duhet t’i shtoj kërkesat mbi Serbinë dhe jo vetëm mbi Kosovën. Ndonëse ka theksuar se AAK-ja e ka përkrahur zhvillimin e dialogut, ai ka potencuar se ky dialog duhet të zhvillohet mbi bazat e reciprocitetit me Serbinë.

Kurse deputeti Nenad Rashiq, ka theksuar se dialogu duhet të vazhdojë dhe se nuk ka asnjë alternativë tjetër.

Sipas tij, në këtë proces mund të jepen kritika dhe të shikohet se çfarë mund të bëhet, por ndërprerja e dialogut ka thënë se vetëm sa i komplikon edhe më shumë raportet.

Deputeti Glauk Konjufca, ka thënë se ky dialog ka nisur keq për shkak se pala kosovare ka qenë tërësisht e papërgatitur.

Konjufca ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës, në mars të vitit 2011 kur ka filluar ky dialog, nuk ka pasur asnjë platformë për këtë dialog, ashtu siç kishte Serbia. Njëkohësisht ka thënë se dialogu është iniciuar njëanshëm.

Ndërkaq deputetja Njomza Emini, ka pohuar se Kosova ka treguar gjithherë përgjegjësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog  për dallim nga Serbia e cila nuk po i zbaton ato.

Ajo ka thënë se dialogu nuk është ndërprerë, por është kushtëzuar deri në lirimin e ish-kryeministrit Haradinaj dhe anulimin e fletarresteve të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Deputeti Elmi Recica, ka thënë se dialogu e ka dëshmuar se është i domosdoshëm mirëpo ka thënë se ndryshimi apo riformatimi në raport me Serbinë është po ashtu i domosdoshëm.

Sa i përket serbëve të Kosovës, ai ka vlerësuar se në vazhdimësi duhet të bisedohet me ta dhe vetëm me përpjekjen e Kosovës dhe tërheqjen e tyre nga vendimmarrja jashtë Kosovës marrëdhëniet do të përmirësohen.

Kjo tryezë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës organizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit, e që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat