Pse veteranët kërkojnë kthimin e Speciales në Kuvend?

Politika

Pse veteranët kërkojnë kthimin e Speciales në Kuvend?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 mars 2017 Në ora: 09:26
Veteranët bllokuan më herë seancen e Kuvendit të Kosovës

Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së kohë më parë i është drejtuar me një kërkesë Kryesisë së Kuvendit nga e cila ka kërkuar që të rishqyrtohet Ligji për Gjykatën Speciale. Kjo për faktin se kjo gjykatë e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është e njëanshme dhe gjykon vetëm UÇK-në, përderisa serbët që kanë kryer krime deri në gjenocid amnistohen. Madje veteranët kanë bllokuar edhe Kuvendin e Kosovës gjatë një seance të mbajtur kohë më parë.

Përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta thonë se ata janë duke punuar dhe biseduar me deputetët, dhe tani janë në pritje të grumbullimit të nënshkrimeve që t’i drejtohen Kuvendit. Kurse sipas disa deputetëve kjo Gjykatë nuk është dashur të formohej fare, për vetë faktin se në Kosovë nuk po vepron aspak drejtësia. Por ndryshe mendojnë analistët politik të cilët vlerësojnë se ky miratim është gjëja më e mirë që ka bërë Parlamenti.

Flet Xhavit Jashari përfaqësuesi i OVL-së

Image
Xhavit Jashari, përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Xhavit Jashari, përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se ata janë duke punuar dhe biseduar me deputetë dhe tani presin vetëm nismën rreth grumbullimit të nënshkrimeve.

Sipas tij, në bazë të bisedave që ata kanë me deputetë në Parlamentin e Republikës së Kovës, në gjë e tillë do të ndodh shumë shpejt.

“Mendoj se kjo kërkesë e jona do të ndodh pasi veteranët nuk janë tërhequr nga kërkesa e tyre, sepse ato janë kërkesa të kahershme dhe të përditshme dhe një gjë e tillë do të ndodh, përndryshe nuk do të lejohet që një anshëm dhe në mënyrë selektive të krijohet një gjykatë e tillë”, ka thënë Jashari.

Ai më tej thotë se kjo gjykatë ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe se kjo gjykatë është e njëanshme.

“Assesi nuk do të lejojmë që kjo Gjykatë  të merret vetëm me luftën e Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës, sepse në këtë rast, Gjykata Speciale ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo Gjykatë është në shpërputhje me kushtetutën dhe  një gjë e tillë nuk do të lejohet dhe do duhej gjithsesi të korrigjohet, në mënyrë që mos të lejohet njëanshëm në aspekte politike dhe pretendimet e dikujt se UÇK-ja dhe pjesëtarët e saj gjoja paskan bërë krime. Ky është një gabim i madh dhe këtu duhet të korrigjohet nga Institucionet e vendit nga ata që i dhanë dritë kësaj Gjykate”, ka thënë Jashari.

Qeriqi përkrahë protestën e OVL-së

Kurse Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Invalidëve dhe Veteranëve të Luftës Xhevdet Qeriqi, ka thënë për “ Bota Sot” se nuk është në dijeni se çfarë po ndodh saktësisht me kërkesat e përfaqësuesve të OVL-së.

 “T’ju them të drejtën nuk e di se çfarë po ndodh me kërkesën e përfaqësueseve të OVL të UÇK-së, lidhur me këtë kërkesë. Ne qysh në fillim e kemi kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, bile edhe kemi protestuar, sepse e shohim si një padrejtësi që na u është bërë me iniciativën e ndërkombëtarëve për themelimin e kësaj gjykate, ku thuhet se do të merret me krimet e kryera nga ish luftëtarët e UÇK-së. Të gjithë jemi dëshmitar se kush ka kryer krime në Kosovë, pra është regjimi serb, ai i cili ka kryer krime masakra plaçkitje e shumë të tjera, ndaj popullatës shqiptare, për të gjitha këto krime që i ka kryer regjimi serb, është në dijeni të plotë bashkësia ndërkombëtare, por për fat të keq këta të fundit po heshtin para këtij krimi, dhe po mundohen ta fshehin këtë krim dhe në anën tjetër akuzojnë luftëtarët e UÇK-së, gjoja se kanë kryer krim. Ne vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë gjykatë dhe nuk do të pajtohemi asnjëherë me themelimin e saj”, ka thënë Qeriqi.

Sipas tij, sa i përket kërkesës të veteranëve për kthimin e Ligjit për Gjykatën speciale në kuvend, dhe paralajmërimit të tyre për protesta, ata e kanë përkrah këtë kërkesë, mirëpo nuk kanë njohuri se si kanë shkuar punët më tej.

“Nuk e di se si kanë shkuar punët rreth kësaj çështje, sepse ne krejt çka kemi parë rreth kësaj, ka qenë përmes mediave, për arsye se ka kohë që nuk kam pasur kontakte me ta, ky mos komunikimi në mes nesh është prej momentit kur janë pajtuar me qeverinë rreth kategorizimit me ligj të veteranëve të UÇK-së, e që ne nuk jemi pajtuar me këtë kategorizim, mirëpo nëse merret ndonjë iniciativë nga ana e tyre për ta kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale, normalisht që do ti mbështesim në protestë, por jo vetëm ketë, por kur e shohim që po i bëhet një padrejtësi vendit tonë, kushdo që do të organizoj protesta do ta përkrahim. Ne nuk e dimë se cili është qellimi i institucioneve, nëse e keni fjalën për ta, apo ka qenë qëllimi i  këtyre të fundit që ta tërheqin vëmendjen nga demarkacioni dhe asociacioni,besoj jeni në dijeni se sa i përket edhe demarkacionit edhe asociacionit, unë kam qenë kundër dhe vazhdoj ti kundërshtoj këto të fundit, I shoh si marrëveshje të dëmshme për republikën e Kosovës dhe nuk do të pajtohem asnjëherë. Mendoj se këto dy marrëveshje duhet të rishikohen edhe njëherë sepse ka dyshime që vendi ynë humbë territor, po ashtu edhe marrëveshja për asociacionin është tepër e rrezikshme për të ardhmen e vendit tonë.”, ka thënë Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Invalidëve dhe Veteranëve të Luftës Qeriqi.

Image
Protesta e veteranëve në Kuvend

Gjykatë politike

Kurse deputeti i PDK-së Shukri Buja, ka thënë për “ Bota Sot” se fillimisht duhet të analizohet ajo se  si u krijua Gjykata Speciale, e pastaj të shqyrtohen gjërat tjera, pasi në Kosovë nuk veproi aspak drejtësia.

Sipas tij, në Kosovë kanë ndodhur më së shumti ndjekje sesa çdo shtet tjetër , ku ka qenë konflikti i pjesëtarëve të UÇK-së.

“Në krahasim me vendet tjera po ashtu nuk ka asnjë zonë ku nuk janë burgosur dhe nuk janë hetuar e ndjekur eprorët e UÇK -së dhe ushtarët e saj. Dhe po ti krahasojmë me eprorët dhe politikanët serb, del se më shumë ka Kosova, sesa Serbia, më shumë ka Kosova se Kroacia dhe Bosnja. Prandaj mendoj se kjo Gjykatë është krijuar për trajtim regjionale për trajtim të shteteve që kanë qenë në konflikt me insistimin e Rusisë e Serbisë , për tu pajtuar të nesërmen edhe me politikat globale. Realisht kjo Gjykatë e ka bazën politike dhe është formuar me presion politik , nga një institucion politik dhe pak mund të besohet se nuk do të ketë ndikim të politikave në këtë Gjykatë” është shprehur deputeti Buja.

Kritika ndaj OVL-së

Kurse analisti politik Skënder Zogaj, ka drejtuar akuza dhe kritika në drejtim të udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të UCK-së, ku sipas tij kjo organizatë ka njerëz të dyshimtë, që pas luftës i kanë mbushur gjokset me nishane të UCK-s dhe e kanë vendosur në ballë fotografinë e Adem Jasharit, për ta fshehur fytyrën e tyre të vërtetë

Sipas tij, kjo tregon se këta njerëz, do të vazhdojnë të sabotojnë me të gjitha mënyrat dhe mjetet çdo zhvillim pozitiv të vendit, sepse, vetëm duke e mbajtur vendin në krizë, ata mund të vazhdojnë të përfitojnë pa meritueshëm.

“ Kjo kategori e infiltruar në radhët e veteranëve të lutës, është ajo që, pasi i ka bërë të gjitha faqet e zeza, tash kur po e sheh se, Kosova po dëshiron të funksionojë sipas ligjeve, këta maskarenjtë, hajna të pulave, janë ata që guxojnë me hy në Parlamentin e Kosovës dhe me i pengu punimet e institucionit më te lartë e të shenjt të vendit, që me të drejtë absolute e ka miratua Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Ky miratim është gjeja më e mirë që ka bërë Parlamenti, sepse, Gjykata Speciale ka me ua shky maskën veteranëve të rrejshëm dhe kriminelëve, për ta pastrua njëherë e mirë UCK-n dhe për t'ua dhënë vendin e merituar vlerave të shenjta të luftës çlirimtare”, është shprehur analisti politik Zogaj.

Sipas tij, kjo po ashtu, po u dhemb atyre që, në vazhdimësi, kur hetojnë ndonjë mundësi për zhvillime pozitive, u prishet gjaku dhe ngritin zërin e horrllëkut.

“Veteranët e vërtetë, ata që hakikat kanë luftua dhe janë sakrifikua për kombe e atdhe, e dinë se, institucionet e shtetit të Kosovës tash duhet të funksionojnë dhe të vendosin për të gjitha vendimet e duhura. Veteranet e vërtetë e dinë se, për të gjitha çështjet duhet të shprehin mendimin e tyre, por nuk u takon që të marrin rolin e Parlamentit dhe të institucioneve. Mirëpo, kuaziveteranët që kanë arritur të futen brenda shoqatës, aty janë për ta penguar funksionimin e shtetëror të Kosova dhe për ta fuqizuar propagandën serbe e cila shqiptarët e Kosovës kaherë i ka proklamuar se nuk janë të denjë për t'u vetëqeverisur! Ky është qëllimi i kolonës së pestë që është futur brena Shoqatës së Veteranëve të luftës dhe po bën përpjekje të fuqishme shkatërrimi”, ka thënë Zogaj.

Gjykata Speciale, diskriminuese

Ndërsa ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Naser Vllasi i njohur si komandant “Cobra”, ka thënë në luftë, e as tani nuk do të thotë se të gjithë veteranët i kanë pasur mendimet e njëjta dhe se patjetër duhet të jenë të gjithë të një fjale.

“Veteranët njëherë me ngulm kërkonin rishikimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por ka një kohë që i ka kapluar njëfarë qetësie e do Zoti të jetë për të mirë. Nuk besoj se ata e bën krejt këtë zhurmë vetëm sa për të tërhequr vëmendjen nga demarkacioni se tekefundit demarkacioni është temë në vete dhe zgjidhja e kësaj çështje i atribuohet direkt organeve të shtetit. Sa i përket Gjykatës Speciale kam dhënë edhe një prononcim se nuk jam pajtuar kurrë me mënyrën se si do funksionojë gjykata, ngase ashiqare është diskriminuese dhe në të nuk do gjykohen të gjithë ata që bën krime lufte gjatë luftës në Kosovë pa marr parasysh shtetësinë, por do gjykohen vetëm shqiptarët e që është padrejtësi e llojit të vet”, ka thënë Vllasi.

Sipas tij, pushtetarët tanë të momentit normalisht asnjë çështje nuk po e zgjidhin si duhet, sepse kryetari i Kuvendit mendon të paraqitet shumë gjentil para popullit.

“Kryetari i Kuvendit nuk arrin ta mbaj aspak nën kontroll gjendjen në Kuvend dhe aty zhvillohen filma të zhanrit aksion-aventurë. Kur është fjala për çështje të ndjeshme si Gjykata Speciale organet e shtetit duhet te veprojnë me maturi, se çdo lëshim çoftë edhe më i vogli mund të çojë në pasoja të rënda. Veteranët nuk mund të veprojnë gjithmonë me gjakftohtësi se dikur edhe atyre do ju bëhet boll kjo gjendje që po zgjat me vjet të tëra”, ka thënë Vllasi.

Kurse njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se është kundër kësaj Gjykate, pasi sipas tij ësjhtë karakterit politik dhe i shërbejnë qëllimeve të veçanta dhe njerëzve të veçantë të politikës.

“Unë jam i mendimit se OV te UÇK është dashur të bëjë kërkesa për rishqyrtim të tërësishtëm të Ligjit mbi Gjykatë Speciale dhe me këtë duke u kapur dhe dërguar në kompetente tërë shtetet e ish-Jugosllavisë do të ikej nga një padrejtësi. Analiza selektive nuk është e mirë, prandaj mendj se ata të OVC duhet që sa më parë ta parqesin kërkesën në Kuvendin e Kosovës për plotësimin e Ligjit mbi Gjykatën. Në të kundërtën shihet kjo vetëm si mjet i  politikave të interesave të ndryshme dhe shumë të rrezikshme për vendin”, ka thënë Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat