Ndryshime në dialogun Kosovë-Serbi?

Politika

Ndryshime në dialogun Kosovë-Serbi?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 prill 2017 Në ora: 08:53
Foto arkiv, Takim i mëhershëm i delegacionit të Kosovës me atë serb

Në një debat të organizuar ditë më parë nga Instituti Demokratik i Kosovës u tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, por i kushtëzuar dhe i riformatuar. Këtë madje e kanë kërkuar deri me tani qytetarët e Kosovës, partitë politike e organizatat të tjera të ndryshme. 

E kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, se a duhet Qeveria të pranoj një dialog të kushtëzuar dhe të reformuar, Ministria për Dialog, Edita Tahiri ka thënë, se tashmë ka pezulluar gjitha deklarimet për dialog.

“Ministrja Tahiri thekson se ka pezulluar deklarimet për çështjet e dialogut, në respekt të rezolutës së kuvendit e cila ka pezulluar dialogun”, thuhet në përgjigjen për ”Bota sot”. Se duhet të ketë ndryshime dhe reforma në dialog e pohojnë edhe analistët. Sipas tyre, Serbia duhet kushtëzuar, madje ky kushtëzim është dashur të ndodhë qysh në fillim të dialogut.

Kërkohet dialog i riformatuar

Kështu njohësi i çështjeve politike, Albrim Badallaj ka thënë se qytetarët e Kosovës ka kohë që e kërkojnë një dialog të riformatuar dhe të kushtëzuar. “Pasi që sa herë që Kosova ështe sjellur tolerante me palën serbe, ata e kanë keqpërdorur këtë mirësi diplomatike të palës kosovare. Riformimi i bisedimeve nuk nënkupton që bisedimet të kalojnë në një nivel më të lartë, siç është përmendur në atë presidencialë, por ky riformatim i bisedimeve duhet të ketë në vete edhe procesin e kushtëzimit. Ky kushtëzim është dashur të ndodh, që në fillim të bisedimeve, por edhe tani mund të aplikohet, siç janë kërkimfalja e Serbisë për krimet në Kosovë dhe njëherësh dëmshpërblimi për viktimat dhe dëmet materiale, kthimi i regjistrave civil dhe librave kadastral, fati i viktimave të pagjetura, ndalimi i provokimeve duke e cënuar sovranitetin dhe integritetin e vendit, moslobim kundër Kosovës për anëtarësim në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë dhe shtuar kësaj largimi i aktakuzave ndaj pjesëmarrësve të luftës së fundit në Kosovë”, thekson ai.   

Sipas Badallajt, në paketën e re të bisedimeve, përveç këtyre kushtëzimeve duhet të bisedohet edhe për reciprocitetin i cili nuk aplikohet në të gjitha dimensionet nga marrëveshjet paraprake, për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë, shuarjen e strukturave paralele që ende veprojnë në Kosovë me theks tek arsimi paralel, si dhe ndalimin e synimeve territoriale ndaj Kosovës, të cilat i shfaqin haptaz liderët politik serb dhe thërrasin në jehtësimin e saj.  “Këto dhe shumë pika të tjera në bisedime mund të arrihen vetëm nga një diplomaci pragmatike nga pala jonë dhe bërjes me dije edhe ndërmjetësuesve europianë, që pala kosovare nuk shkel mbi vijat e kuqe të cilat ajo i ka caktuar dhe mbi bazën e saj nuk ka qka të negociohet”, vlerëson ai.

Duhet seriozitet në implementimin e marrëveshjeve

Ndërkaq analisti politik, Leon Duhanaj  ka thënë,  se ky dialog duhet të merret me seriozitet. Sipas tij, për të qenë më ekspeditiv, kishte me qenë mirë që në kuadër të formatit të bisedimeve të parashihet edhe aspekti kohorë si dhe marrëveshja për respektimin e palëve në bazë të së drejtës ndërkombëtare.  

“Është thënë shumëherë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të vazhdojë. Ky dialog është në agjendat e kancelarive  të rëndësishme vendimmarrëse në marrëdhëniet ndërkombëtarë, Bruksel,  Washington e Berlin. Bisedimet janë të parapara edhe në agjendën e Qeverisë së Kosovës. Ajo çfarë për mendimin tim, duhet të ndodhë është se, duhet të ketë më shumë seriozitet në implementimin e marrëveshjeve”, thekson Duhanaj. 

Ai thotë, se nuk ka asnjë logjikë dhe nuk ka asnjë nuancë të së drejtës, nëse palët negociojnë, marrin vendime, bëjnë marrëveshje ndërshtetërore dhe, në fund njëra palë shantazhon tjetren si të ishte padron. “Kjo duhet marrë fund. Ndërkombëtarët dihet të tregohen më të ashpër në kërkesat dhe qëndrimet e tyre përballë palëve përkatësisht, Serbisë. Kosova nuk ka nevojë as mundësi të mbetet peng i kalkulimeve të fuqive të mëdha”, vlerëson ai.

 Duhanaj në këtë rast thekson edhe arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, rast për të cilin thotë se është sinonim i gjëndjes në të cilën ndodhet e drejta dhe ligjet ndërkombëtare kundrejtë ndikimit të politikave ditore.  “Këndej pala kosovare, duhet të jetë me këmbëngulëse në kërkesat e tyre dhe të mos ua bëj aminin secilit propozim apo dëshirë që u sillet mepër tavolina bisedimesh, por t'u qëndroj besnike interesavë të vendit”, vlerëson ai.  Ndryshe, rreth një muaj më parë Kuvendi i Kosovës, i ka dhënë mbështetje rezolutës se propozuar nga AAK në të cilën ishte kërkuar nga Qeveria qe të pezullojë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në lirimin e ish kryeministrit Ramush Haradinajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat