Koalicioni PAN, në rrezik të shpërbëhet!

Politika

Koalicioni PAN, në rrezik të shpërbëhet!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 qershor 2017 Në ora: 12:13
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Dita e zgjedhjet në Kosovë po afrohen dhe skena politike në Kosovë tashmë është ndarë në tri blloqe.

Në njërën anë Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar koalicion me AKR-në, dhe në listë ka edhe Alternativën e Lëvizjen për Drejtësi.

Ndërsa, në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës, ka nënshkruar atë që po njihet si “koalicion i territ”, së bashkë me AAK-në dhe NISM-në, dhe një numër të partie të vogla. 

Kurse Lëvizja Vetëvendosje vendosi që në këto zgjedhje të shkojë e vetme, duke mos hyrë në koalicion me ndonjërën nga partitë politike në Kosovë.

Një ndër koalicionet që ka “quar peshë” është ai i PDK-së me AAK-në dhe NISMA-në, për faktin që këto tri parti vazhdimisht kanë akuzuar njëra tjetrën për proceset e ndryshme politike që ka kaluar vendi, duke fajësuar PDK-në për gjendjen e mjerueshme që ka sjellë Kosovën.

Por, nga ekspertët vihet në dyshim se ky koalicion do të mund të funksionojë e të krijojë Qeverinë, në rast fitoreje, pasi sipas tyre ky koalicion mund të shpërbehet e të vijnë në “lojë” koalicione të reja. Ndërsa zyrtarë nga këto dy parti e mohojnë një gjë të tillë.

Image
Nait Hasani

Besojnë në PAN

Për një koalicion të ri pas zgjedhjeve, Nait Hasani, kandidat për deputet nga Partia Demokratike të Kosovës ka thënë për “Bota sot” se koalicioni PAN është i mjaftueshëm për formimin e Qeverisë.

“Koalicioni është i mjaftueshëm për të bërë qeverinë se do t’i fitoj zgjedhjet bindshëm”, ka thënë Hasani.

Për këtë, është i  bindur edhe zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi i cili ka thënë se PAN do të jetë koalicioni që do ta formoj Qeverinë.

“Koalicioni me nr 12 e krijon qeverinë”, ka thënë shkurt Arifi për “Bota sot”

Image
Mentor Tahiri

Arsyet që mund ta shpërbejnë PAN-in

Kurse, analisti Mentor Tahiri ka thënë se  shkaqet personale ndërmjet  liderëve  të koalicionit PAN nuk mund të qojnë në prishje të këtij koalicionit. Por, Tahiri thekson se  çka mund të qojë në prishje të këtij koalicioni jenë humbja e zgjedhjeve.

“Sidoqoftë, animozitetet ndër-personale së paku në këtë fazë nuk mund të kenë fuqinë sa të dëmtojnë koalicionin, ngase partitë e “krahut të luftës” e kanë pas të qartë çështjen e raporteve ndër-personale para akordimit të koalicionit, por i ka bashkuar interesi i përbashkët për pushtet dhe frika e humbjes së pashmangshme të zgjedhjeve sikur të garonin të vetmuara. Te zhbërja e funksionimit si koalicion, respektivisht si grup parlamentar i përbashkët, mund të vijë vetëm pas humbjes eventuale në zgjedhje”, ka thënë Tahiri për “Bota sot”.

Ai po ashtu  ka thënë se ndarja e PDK-së nuk ka ndodhur për shkak të programeve apo për strategjitë politike, por për arsyeje personale.

“Çarjet e mëparshme në PDK, nuk kanë ndodhur për shkak të ndonjë dallimi eventual në konceptimin e politikave programore e as për ndonjë strategji politike, ato ishin animozitete ndër-personale. Këtu ka origjinën edhe vetë krijimin i Nismës si subjekt i pavarur politik”, ka thënë Tahiri.

Image
Nexhat Haziri

Mospërputhje ndërmjet liderëve të tri partive

Ndërsa, analistit tjetër Nexhat Haziri ka thënë se në koalicionin PAN shihet se ka mospërputhje ndërmjet liderëve të tri partive. Sipas tij këto mos përputhje vijnë nga marrëdhëniet dhe akuzat e mëparshme.

“Shihet se përbrenda koalicionit të territ (PDK, AAK dhe NISMA) dhe ne mes liderëve të këtyre subjekteve që përbëjnë këtë koalicion ka divergjenca të mëdha, si pasojë marrëdhënieve të tensionuara  në të kaluarën dhe akuzat që këta I bënin njeri-tjetrit dhe po ashtu mosbesimin që kanë ndaj njeri tjetrit”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se kjo shihet sidomos në mes liderit të PDK-së, Kadri Veselit dhe Fatmir Limaj, të NISMA-s, gjë që ky i fundit për proceset e përballjes së tij me drejtësinë gjithnjë i ka akuzuar PDK-në dhe SHIK-në.

“Përmes ndërhyrjeve dhe sipas tij monotimeve të këtyre proceseve, Hashim Thaçi dhe PDK-ja, po dëshirojnë ta eliminojnë nga skena politike. Dhe si duket kjo  çështje akoma nuk është mbyllur në mes Limajt dhe Veselit. Më pas injorimi që po i bëhet z. Limaj, nga dy partnerët e tjerë Veseli e Haradinaj, është një tregues i qartë se jo për gjithçka partnerët e këtij koalicioni kanë dakordancë, në përpilimin e listave për kandidatë, sidomos për ndarje të pushtetit, sepse këtu nuk flitet për program qeverisës, pas një të tillë po shihet se nuk e kanë”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai mendon se këto mos pajtime do të thellohen më shumë pa marr parasysh se a do të fitojnë apo do të humbin në zgjedhjet e qershorit.                                                         

“Këto hendeqe do të thellohen edhe në rast së ky koalicion është fitues apo edhe humbës,pasi e vetmja gjë që I ka bashkuar është kapja e pushtetit dhe gllabërimi sa më shumë i mesoreve kryesore, gjë që do të bëjë që ky koalicion do të jetë I pa qëndrueshëm. Kujtojmë se mos koordinimi apo mos pajtueshmëria për ndarje të  barabartë ndërmjet tyre ,të zhvatjes që I bënin pasurisë shoqërore dhe anës materiale nga format korruptive, në të kaluarën kanë quar në “luftën” ndërmjet këtyre liderëve, sidomos të PDK-së me klanin e Fatmir Limajt”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat