“Prokuroria të thyejë heshtjen, të zbardhë vrasjen e Bardhyl Ajetit”

Politika

“Prokuroria të thyejë heshtjen, të zbardhë vrasjen e Bardhyl Ajetit”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 qershor 2017 Në ora: 07:36
Gazetari Bardhyl Ajeti i vrarë 12 vjet më parë

Po mbushen 12 vjet nga vdekja e gazetarit të gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti. 25 qershori shënon ditën e vdekjes së tij, disa javë pas atentatit që iu bë në magjistralen Prishtinë Gjilan. Për 12 vjet me radhë familjarët dhe kolegët e Bardhylit kërkojnë drejtësi për vrasjen që iu bë pabesisht. Për 12 vjet me radhë, institucionet e drejtësisë heshtin për rastin, e as nuk veprojnë në zbardhjen e tij.

Prokuroria vazhdon të mos përgjigjet në pyetjet e gazetës lidhur me hetimet për vrasjen e gazetarit. Dosjen për vrasjen e Bardhylit duket ta ketë mbuluar harresa diku nëpër kthinat e ndërtesës së Prokurorisë.

Analisti politik Skender Zogaj duke folur rreth përvjetorit të vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti, ka theksuar se po kalojnë dekada dhe vrasjet politike vazhdojnë të mos zbardhen.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, kjo tregon se vrasësit kanë forcë për ndikimi te organet e drejtësisë, të cilat janë të detyruara të heshtin, përndryshe nuk ka asnjë arsye tjetër që, drejtësia të mos merret me veprat kriminale.

“Kjo është arsyeja kryesore dhe e vetme që edhe 12 vjet pas vrasjes, ende nuk është zbuluar se kush e ka vra dhe pse është vra Bardhyl Ajeti dhe, disa të tjerë kolegë të tij, si i madhi Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Bekim Kastrati, Shefki Popova, Ali Uka, Ismalj Berbatovci, etj., njerëz të penës e të pushkës, nga tabori i demokracisë rugoviane, që ishin botëkuptimi njerëzor e profesional i këtyre figurave të shquara intelektuale dhe atdhetare, që janë flijuar nga duart e fshehta të botës se krimit”, është shprehur Zogaj.

Dështimi i drejtësisë vendore

Ai ka thënë se mos zbardhja e këtyre vrasjeve është dëshmi e kulluar se, vrastarët janë më të fortë se institucionet e shtetit.

“Të tillët janë më të fortë se prokuroria e shtetit, e cila nuk ka bërë asgjë për zbulimin e vrasjeve, sepse nuk guxon të mirët me vrasjet, sikurse që nuk ka guxuar të mirët me zbulimin e plaçkitjes së Dhomës së dëshmive në Prishtinë e në Pejë, që janë rasti më eklatant dhe kryeveprat kriminale, që i bëhen "zemrës së shtetit" dhe që tregojnë se drejtësia nuk funksionon! Unë jam i bindur se, në një vend ku drejtësia vendore nuk donë që të funksionojë, nuk mund të kërkohet që funksionin e saj ta realizojë dikush tjetër i jashtëm! Kështu mendoj për UNMIK-un dhe EULEX-in, të cilat kanë dështuar sepse kanë pasur punë me një drejtësi vendore të dështuar, e cila në vend se të kryej misionin e saj, është bërë pararojë e krimit të organizuar, sepse, as edhe një rast nuk ka shprehur gatishmërinë që të mbrojë drejtësinë sipas ligjit dhe kushtetutës së vendit”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, kjo ka të ngjarë që ka ndodhur nga frika, por, kjo frikë e organeve të drejtësisë është kriminale, sepse në fajin e prokurorisë së shtetit mbeten të heshtura vrasjet e personaliteteve më të vlershme të vendit dhe popullit, pa të cilat, siç po e shohim dhe bindemi te gjithë, po rritet kriza politike, duke shkaktuar krizën ekonomike, sociale, morale dhe të gjithmbarshme shoqërore, duke e rrezikuar zhbërjen e shtetit të Kosovës, pas shekujsh robërie.

“Prokuroria e shtetit duhet ta ndjej këtë përgjegjësi dhe të guxojë të thyej heshtjen dhe, të zbardh vrasjen Bardhyl Ajetit dhe të gjitha vrasjet e tjera politike, që janë pengu më i hidhur i ndërgjegjes sonë shtetërore”, ka thënë Zogaj.

UNMIK dhe EULEX nuk ndërmorën asgjë

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj ka thënë se jo vetëm vrasja e Bardhyl Ajetit, por edhe shumë vrasje të tjera makabre të cilat ndodhen pas luftës e nuk u zbardhen asnjëherë, janë një dëshmi e dështimit të institucioneve të hetuesisë përkatësisht drejtësisë, qofshin ato vendore apo edhe ndërkombëtare.

Sipas tij, në fakt, për këto dështime më së shumti duhet të fajësohet faktori ndërkombëtar pasi që ka qenë përgjegjës kryesor.

“Natyrisht edhe faktori vendorë dhe ne si shoqëri në tërësi, nuk kemi arritur të dëshmohemi si të vullnetshëm dhe të aftë për ndërtimin e një shteti të mirëfilltë. Shteti i së drejtës ishte objektiv i proklamuar, por që për fat të mbeti vetëm dëshirë e nuk u shndërrua në realitet”, ka thënë Duhanaj.

Ndryshe opinionisti Nexhat Haziri ka pohuar se në çdo vend, ku drejtësia është e negociuar, nuk ka drejtësi të mirëfilltë dhe nuk ka funksionim të shtetit ligjor.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, që nga vendosja e administratës së UNMIK-ut, pas luftës , e më pas për gjithë këto vite në Kosovë , edhe pas pavarësisë , sistemi i drejtësisë është një sistem i negociuar, ndërmjet atyre që janë të thirrur për drejtësi, rend dhe ligj në njërën anë , dhe në anën tjetër njerëzve të pushtetshëm të politikës.

“Dhe kjo është e vetmja arsyeje që akoma nuk është zbardhur vrasja e kolegut tonë Bardhyl Ajetit, por edhe vrasjet e tjera të personaliteteve politike dhe shoqërore të Kosovës, si Enver Malokun, Xhemajl Mustafës, Shaban Manajt,Smajl Hajdaraj,Shefki Popova, e të tjerë . Ky negocim ka prodhuar institucione të drejtësisë të kapura dhe të shantazhuara nga politika, dhe nga një organizatë kriminale e në nëntokë s SHIK-u, e cila po ashtu është një nga organizatat e dyshuar e cila ka bërë ekzekutimin e kë tyre personaliteteve. Të njëjtin veprim e ka bërë edhe EULEX-i, mision ky evropian, nga i cili pritjet e qytetarëve kanë qenë shumë të mëdha, sidomos në luftën ndaj krimit të organizuar në Kosovë , por edhe zbardhjen e vrasjeve të pasluftës të personaliteteve politike e shoqërore, në mesin e tyre edhe zbardhjen e vrasjes së kolegut tonë , gazetarit Bardhyl Ajetit”, ka thënë Haziri.

Shpresa tek Gjykata Speciale

Sipas tij, edhe dështimi i EULEX-it ka qenë në këtë mënyre, për shkak të ruajtjes së një stabiliteti të brendshëm politik, dhe kjo fletë shumë se pas këtyre vrasjeve, dhe të vrasjes së Bardhyl Ajetit, që nderojnë njerëz të fuqishëm të politikës.

“Një shoqëri nuk mund të realizohet mbi krimet e pazbardhura dhe pa iu dhënë dënimin e merituar kriminelëve, të cilët nëse nuk ndëshkohen ata mbesin gjithnjë rrezik potencial për ti përsëritur krimet e tyre. Shpresoj se një nga sfidat e qeverisë së ardhshme, nëse ajo formohet pa njerëzit e inkriminuar dhe vrasësit e dyshuar, ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë , të pandikuar dhe të pashantazhuar nga politika, që do të bëjë zbardhjen e vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajetit dhe vrasjeve të tjera të pasluftës të konsideruara si vrasje politike. Në këtë aspekt një ndihmesë të madhe pritet dhe do të duhet të japë edhe Gjykata Speciale”, ka thënë opinionist Haziri.

Bardhyl Ajeti,  po shkonte rrugës për në Gjilan me saktësisht në fashtin Bresalc, kur u qëlla me armë zjarri ku mbeti i plagosur. I vetmi dëshmitarë i kësaj ngjarje ishte një taksist i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishje që kishe pësuar, megjithatë ky dëshmitarë M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë.

Më 25 qershor  Bardhyl Ajeti ndërroi jetë në Milano të Italisë ku ishte dërguar për trajtim. Prokuroria vazhdon të mos ketë përgjigje lidhur me hetimet për vrasjen e Bardhylit. Përgjigje nuk ka as Asociacioni i gazetarëve të Kosovës, në pyetjen se çfarë është bërë për vrasjen e gazetarëve duke përfshirë edhe vrasje e Bardhylit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat