“Kadri Veseli është dorëzuar në Skenderaj, por ajo çfarë e pret në Drenas është tronditëse”

Politika

“Kadri Veseli është dorëzuar në Skenderaj, por ajo çfarë e pret në Drenas është tronditëse”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 gusht 2017 Në ora: 13:01
Kadri Veseli në Drenas

Partia Demokratike e Kosovës është dorëzuar në vendlindjen e saj, në komunën e Skenderajt. Derisa si kundërkandidat i tyre doli të jetë djali i Hamëz Jasharit, ata nuk do të dalin me ndonjë kandidat për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Por një rrezik i madh atyre i kanoset edhe në basionin tjetër, komunën e Drenasit. Derisa PDK-ja do të kandidojë me kryetarin aktual, Ramiz Lladrovcin, atij i rrezikohet pozita nga kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj. Ky i fundit, në zgjedhjet e dhjetorit në Drenas kishte shkuar në balotazh me kandidatin e PDK-së. Isa Xhemajlaj do të garojë sërish për të parin e Drenasit.

Xhemajlaj: PDK e ka pranuar se ka rënë në Drenas

Image
Isa Xhemajlaj

I pyetur nga “Bota sot”, nëse PDK-ja do të ‘tronditet’ nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit, në Skenderaj, Drenas dhe komunat tjera, Xhemajlaj thotë se edhe vetë anëtarët e kryesisë së kësaj partie e kanë pranuar se për shkak të keqeverisjes, PDK-ja ka shënuar rënie.

“Kjo parti pra PDK për shkak të keqeverisjes ka shënuar rënie. Këtë e thonë edhe vetë anëtarët e kryesisë së Degës”, thekson ai.

Sipas tij, në zgjedhjet lokale, PDK-ja do ta humbas Drenasin.

“Ndërsa në zgjedhjet e tetorit do ta humb sigurt Drenasin”, thotë Xhemajlaj.

Bazaj: Lladrovci nuk e ka mbështetjen tonë

Image
Naim Bazaj

Edhe anëtari i kryesisë së PDK-së, në Drenas, ish kandidat për deputet, Naim Bazaj thotë se nuk e përkrahin kandidatin e partisë së tij, Ramiz Lladrovcin.

“Nuk e përkrahim kandidatin për kryetar Lladrovcin”, thotë Bazaj për “Bota sot”.

Dorëzimi i Veselit në Skenderaj dhe rreziku në Drenas

Njohësi i çështjeve politike, Nehat Hyseni thotë se, ndonëse është e tensionuar situata politike, ajo do të ‘nxehet’ edhe më tepër në vjeshtë, me mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

“Skena politike e Republikës së Kosovës aktualisht është e tensionuar për shkak të bllokadës politike e institucionale lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Por, temperatura politike do të ngritet edhe më tepër gjatë kësaj vjeshte, meqë zgjedhjet lokale janë caktuar për 22 tetor 2017”, thekson ai.

Image
Nehat Hyseni

Hyseni thotë se këto zgjedhje do të shkaktojnë tronditje në PDK, sidomos në basionet e saj, Skenderaj dhe Drenas.

“Ato realisht do të shkaktojnë tronditje sidomos në bastonin e deritanishëm të PDK-së në Skenderaj dhe Drenas. Aty, sa duket, ambiciet dhe interesat grupore e individuale janë tejet të mëdha dhe e rrezikojnë seriozisht unitetin partiak dhe pritet që të krijohen tensione të larta dhe përçarje e konflikte, të cilat kreu politik i kësaj partie do ta ketë shumë vështirë t'i menaxhoj dhe t'i mbajë nën kontroll”, vlerëson ai.

Sipas tij, PDK është dorëzuar në Skenderaj, ndërsa në Drenas rrezikon shumë të humbas.

“Prandaj, sa duket, PDK dhe kryetari i saj, Kadri Veseli, realisht është dorëzuar në Skenderaj, duke e tërhequr kandidatin e vet nga gara zgjedhore. Ndërsa, PDK në Drenas rrezikon të humbas, pasi që kundërkandidati Isa Xhemajlaj në zgjedhjet jashtëzakonëshme lokale vitin e kaluar arriti në balotazh me kryetarin e Drenasit”, tha Hyseni.

Ai përfundon se kjo parti humbje të njëjtë do të shënojë edhe në komunat e tjera.

“Reperkusionet dhe pasojat politike të këtyre fërkimeve dhe tensioneve politike nuk do të jenë vetëm në këto dy komuna, por do të reflektojnë shumë më gjërë”, thekson Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat