Korrupsioni i lartë, edhe një Gjykatë Speciale në Kosovë?

Politika

Korrupsioni i lartë, edhe një Gjykatë Speciale në Kosovë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 shtator 2017 Në ora: 09:12
Ilustrim

Krijimi i një prokurorie dhe i një Gjykate Speciale që do të luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë shihet si i nevojshëm dhe i domosdoshëm nga IKD, në mënyrë që të jepen rezultate konkrete në luftën kundër këtyre dukurive negative.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ndikimi i skajshëm politik dhe mungesa e rezultateve konkrete e kanë cenuar rëndë integritetin e sistemit të drejtësisë, që ka ndikuar në humbjen e besimit të publikut dhe qytetarëve, për sundim të ligjit.

Propozimi që të krijohet një Gjykatë Speciale për luftimin e krimit dhe korrupsionit është nxjerrë  këto ditë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) gjatë publikimit të “analizës së politikave dhe ligjeve rreth ndikimit politik në sistemin e drejtësisë.

 “E gjithë kjo përpjekje  është bërë për shkak të mungesës së rezultateve në luftimin e kriminalitetit dhe nevojës për krijimin e një Prokurorie dhe Gjykate Speciale me mandat ekskluziv dhe të kufizuar kohor, me qëllim të luftimit e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë”, ka thënë Musliu.

Image
Sami Kurteshi

Ndryshimet nëpërmjet Kuvendit

Deputeti i VV-së Sami Kurteshi ka thënë se krijimi i çfarëdo gjykate të re në Kosovë, me çfarëdo emri qoftë, kërkon ndryshime ligjore.

“Jo vetëm hetimin, por edhe luftimin e zhdukjen e korrupsionit në Kosovë dhe gjithkund, e bën vetëm një sistem i mirëfilltë i drejtësisë. Pikërisht i atillë çfarë i mungon Kosovës. Kosova e ka një sistem të drejtësisë tërësisht të kapur nga krimi i organizuar, qoftë ai institucionale apo jo-institucional. Jo, nuk mund të merret, sepse Kosova nuk duhet të kopjojë modelet e dështuara ballkanike. Kosova duhet të ndërtojë një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, duke marrë përvojat më të mira në Evropë. Ballkani kurrë nuk ka ofruar një sistem drejtësie të mirëfilltë, që do shërbente si shembull i mirë. Maqedonia ka bërë një hap të këtillë pikërisht për shkak të një sistemi të dështuar të drejtësisë që ka”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se kjo është e vetmja mënyrë.

Ai shprehur se ndikimi i politikës në drejtësi arrihet vetëm me pavarësimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë nga politika.

“Duhet vetëm të zbatohet fryma e Kushtetutës, as më shumë dhe as më pak. Drejtësia duhet të jetë njëra nga tri shtyllat e pushtetit shtetëror, e pavarur nga dy shtyllat e tjera, sidomos nga pushteti i kriminalizuar ekzekutiv dhe sistemi i kalbëzuar servil legjislativ. Derisa Drejtësia pret me dorën e zgjatur për paratë nga qeveria dhe parlamenti, nuk do të ketë sistem të pavarur të drejtësisë. Derisa ka gjykatës dhe prokurorë të  emëruar me telefon, të kriminalizuar, të shantazhuar, analfabetë funksionalë dhe profesionalë, edhe 100 Gjykata Speciale, apo sido që i quani ndryshe, nuk bëjnë punë”, ka thënë deputeti Kurteshi”, është shprehur Kurteshi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ndihmë profesionale nga BE-ja

Ndryshe njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se në këtë rast gjithçka ka mundësi.

“Ky uragan, sikundër që e ka krijuar Gjykatën Speciale, mund të krijojë edhe institucione të tjera dhe të kërkojë edhe ndihmë profesionale nga ana e UE a SHBA-së. Korrupsioni me mjetet dhe institucionet e rrejshme që janë e nuk luftohet. Kjo për faktin se mekanizmat prokuroria dhe gjyqësia janë të varur nga politika. Pa nxjerrjen e ligjit mbi pastërtinë e figurave politike kurrë nuk mund të krijojmë KPK dhe KGJK të pavarur. Nuk ka mundësi të futet ligji mbi pastërtinë dhe përgjegjësinë e prokuroreve dhe gjyqtareve pa përgjegjësi të politikanëve në vend. Jam i mendimit se këto shkojnë së bashku dhe këto e nxjerrin vendin nga gjendja e rëndë”, ka thënë profesor Kelmendi.

Image
Kushtrim Kadriu

Politologu Kushtrim Kadriu duke folur rreth asaj se a ekziston mundësia për formimin e një Gjykate Speciale për hetimin e krimit dhe korrupsionit ne Kosovë, ashtu siç ka propozuar Institucioni i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë,  për faktin se do të humbë arsyeja e ekzistencës së Gjykatave vendëse.

“Të them të drejtën nuk e besoj që do të ndodhë një gjë e tillë, pasi që do të humbë arsyeja e ekzistencës së Gjykatave vendës që janë të thirrura për tu marrë me punën e korrupsionit. Kurse Gjykata Speciale mund të zbus korrupsionin pasi që shumë zyrtarë të korruptuar janë të përfolur se do të arrestohen nga Gjykata Speciale”, ka thënë politologu Kadriu.

Kurse sa i përket asaj se a mund te merret parasysh shembulli i Maqedonisë lidhur me këtë çështje edhe për Kosovën dhe a është e vetmja mënyrë kjo, që të luftohet ndikimi i politikës në drejtësi, Kadriu ka thënë se Kosova është shumë larg Maqedonisë.

“Ne jemi larg nga Maqedonia e Shqipëria, dhe vet fakti që ne po merremi me institucione tash e shumë muaj është një adut për shtyrjen e proceseve të Gjykatës Speciale,” ka thënë politologu Kadriu.

Image
Faton Mehmeti

 Vetiingu, nevojë emergjente

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se Kosova ka nevoje emergjente për VETTING-un, që do të mundonte flirtimin e sistemit të drejtësisë nga të gjithë të korruptuarit dhe njerëzve me biografi jo të pastër.

Sipas tij, vetëm pas kësaj do të mund të krijohet Gjykata Speciale për krime dhe korrupsion, sic me të drejtë e ka propozuar  edhe IDK-ja.

“Pa VETTING-un nuk ka efekt të krijohet Gjykata Speciale për krime dhe korrupsion, pasi do të jenë të njëjtë gjyqtar që do të punojnë në këto Gjykata. E nëse këta Gjykatës do të ishin efektiv, të pa korruptuar dhe të pa shantazhuar nga politika nuk do të kishte fare nevojë për Gjykata Speciale. Po pikërisht se këta gjykatës dhe prokuror kanë dështuar do të duhet të krijohet VETTING-u. Dhe këto janë të lidhura me njëra- tjetrën, dhe në këtë rrjedhojë filtrimi i drejtësisë duhet të fillojë nga gjykatësit dhe prokurorët, të cilët duhet të jenë të dinjitshëm, të pa korruptuar dhe të pa shantazuar. Kosova ka nevojë për drejtësi, e cila është padrejtësia më e madhe në vend, dhe iniciues i të gjithë të këqijave në vend,” ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Image
Nexhat Haziri

Shembulli i Maqedonisë

Ndërsa opinionisti Nexhat Haziri nuk mendon se formimi i institucioneve shtesë apo të veçanta në këtë rast për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë , do të mund të jepte rezultat sipas propozimit të KDI-së.

“Jemi dëshmitar që edhe në të kaluarën janë formuar këshilla kombëtar e institucione të tjera qofshin konsultative apo edhe ekzekutive pikërisht kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përpos dëmit që I kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës për paga dhe mëditje, nuk kanë pasur as edhe një rezultat. Nuk mendoj se mund të tërheqim një paralele të qartë në mes institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe atyre në Maqedoni, pasi këto të fundit. Pra në Maqedoni, përpos që ishin të politizuara, janë edhe të nacionalizuara, që do të thotë në shërbim të një nacionaliteti të caktuar kundër nacionalitetit tjetër, në këtë rast kundër shqiptarëve, siç është rasti i proceseve të montuara ndaj shqiptarëve me rastin “sopoti” “Monstra’ e të tjerë”, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se një lloj “vetingu” si ai në Shqipëri që do të ishte pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë, do të mund të ndihmonte që sistemi i drejtësisë në Kosovë të pastrohej nga gjyqtar e prokuror të korruptuar dhe në shërbim të politikës dhe njerëzve të fortë të të ashtuquajturve “komandantët”.

“Sistemi drejtësisë në Kosovë patjetër që duhet të reformohet dhe të depolitizohet, pasi ky do të jetë edhe një nga kushtet e Brukselit për Kosovën në rrugëtimin e kësaj të fundit drejtë integrimit në BE,” ka thënë opinionisti Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat