Ramush Tahiri “godet” koalicionin: Marrëveshja PAN-AKR, antikushtetuese

Politika

Ramush Tahiri “godet” koalicionin: Marrëveshja PAN-AKR, antikushtetuese

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 shtator 2017 Në ora: 10:59
Ramush Tahiri

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar të hënën mes koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe AKR-së, ministrat e zëvendësministrat e AKR-së, do të emërohen dhe shkarkohen me kërkesë të liderit të kësaj partie, e jo nga kryeministri.

Në pikën 5 të marrëveshjes, thuhet se Pacolli do të ketë fuqi mbi të gjithë ministrat që ai i emëron dhe i shkarkon vet.

“Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat, etj”, thuhet në Pikën 5 të marrëveshjes mes AKR-së dhe PAN-it.

Duke folur në lidhje me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë se marrëveshja mes PAN-it dhe AKR-së, është bërë për interesa partiake, nga e cila ka përfituar më së shumti AKR-ja.

Ai ia thënë se Pacolli qe nga fillimi hyri në koalicion me LDK-në, për shkak se e dinte që nuk mund të kalonte i vetëm pragun zgjedhor.

“Marrëveshja PAN-AKR është një marrëveshje koperativiste, një marrëveshje e interesave partiake, në të cilën më shumë ka përfituar AKR-ja.

Pra, Pacolli ka dalë shumë i zoti dhe parimet e biznesit me sukses i ka përdorë në politikë: një herë i vetëdijshëm që i vetëm nuk mund ta kalojë pragun zgjedhor dhe s' mund të bëhet parti parlamentare, atëherë ka hy në koalicion me LDK-në, duke marrë më shumë vende për kandidatë për deputetë nga 110 gjithsejt... kur u sigurua me katër deputetë duke e përfshirë edhe veten atëherë ngriti krye si subjekt i veçantë politik duke i vënë kushte partnerit të koalicionit LDK, por edhe kundërshtarit PAN”, është shprehur Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, Pacolli ka pasur sukses edhe me PAN-in, për shkak se votat e deputetëve të tij, konsiderohen magjike për këtë koalicion.

“Pati sukses me PAN-in për shkak se votat e deputetëve të tij ishin ato vota magjike që i kapërcejnë 61 votat e nevojshme që me u zgjedh Qeveria në Kuvend. Krejt liderët e subjekteve të PAN-it u pajtuan me kushtet e Pacollit dhe nënshkruan marrëveshje me shkrim, të cilën marrëveshje Haradinaj si me humor e vlerësoi si kapitullim. Duket se dëshira për të qenë në pushtet, për të bërë Qeverinë dhe për të pasur kryeministër liderin e AAK Ramush Haradinajn, është vënë mbi respektim të ligjit e të Kushtetutës që qartë e përcaktojnë se kryeministri e formon kabinetin qeveritar të ministrave që votohen bashkërisht në Kuvend me shumicën e votave të të gjithë deputetëve pra me 61 vota, ndërsa më vonë Kryeministri ka të drejtë të shkarkojë e emërojë ministrat vet e pa i votuar në Kuvend por të cilin vetëm e njofton”, ka thënë politologu Tahiri.

Ndërkaq, lidhur me nenin 5 të marrëveshjes mes PAN-it dhe AKR-së, Tahiri ka thënë se ai është antikushtetues, duke shpjeguar edhe arsyen.

“Me marrëveshje PANA e ka rregulluar me partnerët duke e ndarë përgjegjësinë që secila parti i emëron dhe i shkarkon ministrat e vet, ndërsa kryeministri e bënë miratimin formal. Ky parim marrëveshje me shkrim është antikushtetues dhe e bënë punën e Qeverisë jofunksionale, ndërsa përgjegjësitë e obligimet e kryeministrit i zvogëlon në kompetencat e liderit të AAK-së, duke anashkaluar ato shtetërore si mandat burimor i dalë nga vota e popullit, sepse s’ka të drejtë të shkarkojë një ministër që e vlerëson të paaftë nëse nuk pajtohet partia nga e cila vjen”, ka shtuar Ramush Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat