Kontrolli i ministrave të PDK-së e AKR-së, këto janë paralajmërimet për Ramush Haradinajn

Politika

Kontrolli i ministrave të PDK-së e AKR-së, këto janë paralajmërimet për Ramush Haradinajn

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 shtator 2017 Në ora: 13:10
Nënshkrimi i koalicionit PAN-AKR

Marrëveshja e nënshkruar mes Aleancës Kosova e Re dhe koalicionit PDK-AAK-Nisma, do t’i kushtojë Ramush Haradinajt, i nominuar nga koalicioni si kandidat për kryeministër të vendit.

Kjo pasi Haradinaj nuk do të ketë të drejtë që të shkarkojë ministrat apo zëvendësministrat që janë emëruar nga partia e Behgjet Pacollit, me të cilën PAN ka nënshkruar marrëveshje tri ditë më parë.

Në pikën 5 të marrëveshjes së nënshkruar, thuhet se ministrat e zëvendësministrat e AKR-së, do të emërohen dhe shkarkohen me kërkesë të liderit të kësaj partie, e jo nga kryeministri.

 “Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat, etj”, thuhet në Pikën 5 të marrëveshjes mes AKR-së dhe PAN-it.

Sipas kësaj pike, Behgjet Pacolli do të ketë fuqi mbi të gjithë ministrat që ai i emëron dhe i shkarkon vet.

Mirëpo, nga AKR-ja, kanë thënë se kjo pikë është keqinterpretuar në media, pasi sipas tyre, marrëveshja nuk do të thotë që kryeministri nuk do t’i menaxhojë ministrat e AKR-së.

AKR: Ministrat tonë me dy mbikëqyrës

Image
Vesel Makolli

Vesel Makolli nga kjo parti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nëse kryeministri e vëren mospunën e një ministri të AKR-së, ai përmes një konsulte me këtë parti, mund të ndikojë, qoftë edhe duke e shkarkuar.

“Nuk është kjo ashtu siç thuhet meqë marrëveshja ka qenë e publikuar. Aty është një nen që thotë se në rast nevoje, AKR-ja e ka të drejtën të bëjë ndërrimin e ministrave apo zëvendësministrave. Kjo është e kuptueshme, por kjo nuk do të thotë që kryeministri nuk ka qasje apo nuk i menaxhon ministrat. Ministrat bazën e kanë në parti, e cila i cakton dhe në qoftë se performanca e një ministri nuk është e kënaqshme, normalisht se ne do të kërkojmë që ai të ndërrohet. Kjo është për të mirën e qeverisë. Në anën tjetër, në qoftë se kryeministri e vëren mospunën e një ministri, normalisht në konsulltë me neve, e cila është diçka e kulturuar, mund të bëhen ndërrime. Nuk është apriori që Haradinaj nuk do të ketë qasje apo që do t’i menaxhojë ministrat tonë”, është shprehur Makolli.

Ai ka theksuar se ministrat e AKR-së, do t’i kenë dy mbikëqyrës.

“Nuk është ashtu siç po interpretohet. Në njëfarë forme, ministrat tanë do t’i kenë dy mbikëqyrës, edhe mbikëqyrësin nga partia, edhe mbikëqyrësin nga kryeministri, kështu që ata do të jenë të shtrënguar nga të dy palët që me ndejt në binarë të caktuar dhe të udhëheqin në mënyrë sa më efektive, t’i zbatojnë programet e harmonizuara dhe t’i çojnë gjërat përpara. Kjo është menduar për t’i nxituar ata që të jenë edhe më aktiv në punën e tyre dhe të tregohen më profesionist. Dua të them se është keqinterpretuar, në qoftë se çdo kush i menaxhon, atëherë kryeministri nuk ka kurrfare pune”, ka deklaruar Veseli Makolli nga AKR-ja.

PDK: Ministrat të punojnë shumë, kanë përballë opozitën më të fuqishme

Image
Bislim Zogaj

Ndërkohë, nga PDK-ja thonë se koalicioni PAN do të përzgjedh ministrat më të mirë nga katër partitë dhe se nuk do të ketë nevojë që të ndërhyjë kryeministri.

 Sipas ish-deputetit dhe anëtarit të kësaj partie Bislim Zogaj, kur një ministër nuk do t’i kryejë obligimet e tij, ndaj tij do të merren masa.

“Unë mendoj se derisa liderët janë deklaruar se ky do të jetë një qëndrim në të mirë të qytetarëve të Kosovës, ata llogariten se do t’i çojnë ministrat më të mirë nga partitë e tyre, do të thotë nuk do të ketë nevojë për të ndërhyrë kryeministri. Ndryshe, mendoj se në çdo moment kur një ministër nuk do t’i kryejë obligimet e tij, sigurisht kryetari i partisë gjegjëse, do të intevenojë dhe do të marrë masa”, ka deklaruar Zogaj.

Ai ka paralajmëruar ministrat e rinj, se duhet të kryejnë punën si duhet, pasi përballë tyre do të kenë opozitën më të fuqishme deri më tani në Kosovë.

“Secili ministër, duhet të llogarit se do ta ketë një opozitë mjaft aktive. Duhet të jetë shumë i interesuar që të kryej punën në mënyrë sa më të mirë të mundshme. Do ta ketë vështirë kjo qeveri të funksionojë për shkak të një opozite, që besoj se do të jetë më e fuqishmja deri më tash”, është shprehur ish-deputeti Zogaj në prononcimin përmes telefonit për gazetën “Bota sot”.

AAK: Haradinaj nuk do të amnistojë as AKR-në

Image
Anton Berisha

Ndërsa në partinë e Ramush Haradinajt, thonë se Qeveria do të funksionojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, ani pse do të formohet me marrëveshjen politike.

Anton Berisha, anëtar i AAK-së, duke folur për “Bota sot”, ka pohuar se kryeministri nuk do të amnistojë askënd, pavarësisht cilës parti i takon, nëse nuk punohet brenda kornizave ligjore.

“Qeveria do të formohet me marrëveshje politike, por kuptohet që do të funksionojë në bazë kushtetuese dhe ligjore. Askush, pra as kryeministri, nuk mund të amnistojë askënd, pavarësisht cilës parti i takon, në qoftë se nuk punon brenda kornizave ligjore”, është shprehur Berisha.

Kurse, sa i përket performancës, anëtari i AAK-së, ka thënë se aty do të ketë dakordim për secilin dikaster.

“Do të ishte gabim që ndonjëri nga liderët të mendojë se mund të performohet joprofesionalisht dhe pa rezultate. Kosova ka ecur përpara dhe shoqëria nuk ka tolerancë, siç ta zëmë, ka mundur të ketë para, gjë që u pa me qeverinë e fundit. Pra, vetëm ata që mendojnë të punojnë mirë, duhet të jenë pjesë e qeverisë, përndryshe shkurt do ta kenë”, ka theksuar Anton Berisha.

Burjani: Të ndryshohet sistemi zgjedhor, partive të vogla s’iu takojnë postet e mëdha

Image
Blerim Burjani

Ndërkohë, sipas analistëve politikë dhe njohësve ligjor, sistemi zgjedhor në mazhoritar, duhet të ndryshohet, në mënyrë që partitë e vogla, të mos mund të qeverisin.

Sipas Blerim Burjanit, analist politik, institucionet e reja, do të formohen në bazë të shantazhit. Ai ka vlerësuar se duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor, i cili “do t’i ndal partitë e vogla me apetite të mëdha”.

“Kjo qeveri që do të themelohet apo këto institucione që do të konstituohen, janë institucione shantazhi nga një grup njerëzish (3-4) që vijna nga një subjekt, që as pragun vet nuk ka mundur në zgjedhje ta kalojë. Kjo është e meta e sistemit zgjedhor. Patjetër duhet të ndryshohet sistemi zgjedhor në mazhoritar njëherë e përgjithmonë, që t’i ndalë partitë e vogla me apetite të mëdha. Çfarë qeverisje mund të jetë kjo, kur qeverise nga një parti e vogël që ka postin e kryeministrit. Kjo I bie ndarje e tallit e jo e qeverisë”, është shprehur analisti Burjani.

Sipas tij, AKR-ja ka përfituar shumë poste ministrore me 4 deputetë, të cilët “nuk janë unikë” në qëndrime.

“AKR-ja ka shantazhuar PAN-in, për të përfituar sa më shumë poste ministrore. Nuk ka problem se ata kanë vetëm 4-5 deputetë, të cilët nuk janë unik fare. Përçarja e PAN-it, vështirë të ndodhë tash me këtë situatë problemore. Kjo qeveri nuk I vyen askujt, e më së paku qytetarëve”, ka thënë më tej Burjani.

Ai ka vlerësuar se Qeveria e re po bëhet për përfitime personale.

“Kjo qeverisje është bërë për përfitime personale, e jo për qytetarë. Kjo shihet siç thuhet nga qielli. Dëm i madh u është bërë veprimeve dhe demokracisë në vend. Duhet ndal kësi lloj qeverisje absurdi që nuk i kryen punë askujt, përveç punët e veta që i kanë, Partitë e vogla në Kosovë, po kushtëzojnë pa të drejtë. Një njeri është në gjendje të kërkojë postin e kryeministrit për shkak se partia fituese nuk mund të arrijë shumicën relative, kjo është e meta e sistemit zgjedhor”, ka përfunduar për “Bota sot” Blerim Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat