A do t’ia realizojë koalicioni PAN-AKR kërkesën “tragjike” Listës Serbe?

Politika

A do t’ia realizojë koalicioni PAN-AKR kërkesën “tragjike” Listës Serbe?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 shtator 2017 Në ora: 15:39
Lista serbe

Aleanca Kosova e Re u largua nga koalicioni LAA të hënën, ku po atë ditë kjo parti iu bashkua koalicionit PAN, me të cilën nënshkroi një marrëveshje, në të cilën ndahen edhe ministritë për secilën parti që është pjesë e qeverisë.

Po ashtu, sipas marrëveshjes, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, do ta ketë postin e presidentit të vendit, pas përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit.

Pjesë e qeverisë është raportuar të jetë edhe Lista Serbe, e cila sipas mediave serbe ka kërkuar postin e zëvendës presidentit, më ndryshime kushtetuese, pasi ky post nuk ekziston aktualisht.

Por, për një kusht të tillë nuk janë në dijeni nga partitë politike që janë pjesë e koalicionit PAN-AKR.

Makolli: Kushte të tilla janë të pamundura

Image
Vesel Makolli

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se janë spekulime nga mediat serbe dhe se është e pamundur një kërkesë e tillë, pasi ky post nuk ekziston.

“Nuk jam në dijeni. Mediat serbe merren me spekulime të tilla, në një formë lloj shantazhesh sepse shtypit të Serbisë nuk i konvenon formimi i Qeverisë dhe ata janë ndër ata që dëshirojnë të mos e shohin mirë Kosovën. Sido që të jetë, edhe kjo kërkesë që është publikuar nga mediat serbe, ai post nuk ekziston, ne nuk e kemi në Kushtetutë postin e zv/presidentit. Ndryshimet kushtetuese e dini se çfarë pune marrin dhe çfarë shumice të votave duhet të kenë. Diçka që nuk ekziston nuk e di si mund ta kërkojnë, është diçka abstrakte. Unë nuk jam në dijeni, por logjikisht po them që kjo është një kërkesë abstrakte, por nuk jam në dijeni që kanë bërë kërkesë të tillë, por edhe nëse e kanë bërë një kërkesë të tillë, kjo nuk mund të realizohet, është e pamundur, askush nuk mund t’i bëjë këto pa ndryshime kushtetuese”, ka deklaruar Makolli.

Informacione nuk ka as anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Enver Hoti, i cili ka thënë se nuk beson se një kusht i tillë do të pranohej.

“Nuk jam në dijeni, nuk kam informacion, nuk jam pjesë e bisedimeve dhe nuk besoj se do të pranohen ato kushte. Gjithsesi, gjithçka do të jetë me kohë”, është shprehur Hoti për “Bota sot”.

Kelmendi: Fajtor për këtë koalicion është Isa Mustafa

Image
Jeton Kelmendi

E profesori Jeton Kelmendi mendon se është normale që Lista Serbe të kërkojë kushte ekstra, derisa një qeveri PAN-AKR dhe Lista Serbe e sheh tragjike për Kosovën, që bëhet për apetite të Kadri Veselit e Ramush Haradinajt.

“Ky koalicion i ashtuquajtur PAN apo koalicion fitues, ia ka dhënë për dy deputetë e gjysmë që i ka Behgjet Pacollit, është i barabartë me pushtet sa PDK-ja, aleati më i madh. Sigurisht është e drejtë edhe e Listës Serbe që të kërkojnë kushte të tilla, madje mund ta kërkojë edhe presidentin para Pacollit apo pas Pacollit. Çështja qëndron se kjo qeveri është tragjike për Kosovën, sepse kjo garniturë prej 22 partish politike të rrethuara, të cilat e bëjnë pakicën shqiptare dhe shumicën shqiptare e lanë në opozitë, është tragjike për faktin se nuk i kanë numrat dhe janë në gjendje të bëjnë çdo gjë, çdo lloj koncesioni, vetëm e vetëm për t’i ushqyer apetitet e sëmura të Ramush Haradinajt për të qenë kryeministër dhe të Kadri Veselit për të qenë edhe një mandat kryetar i Kuvendit”, është shprehur Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Por, sipas profesorit, kjo kërkesë nuk mund t’i plotësohet Listës Serbe, mirëpo i hap mundësinë për kushte të tjera.

“Lista Serbe nuk mund t’i plotësohet kjo kërkesë, por kjo taktikë për ta marrë zëvendës presidentin, ndërsa ajo kërkon 2/3 për ndryshime kushtetuese, madje 2/3 e shumicës dhe 2/3 e pakicës, kësisoj serbët hedhin në qarkullim diçka që s’munden, për të ardhur tek një propozim i dytë, për ta pasur një pushtet më të madh dhe jam i sigurt se ky koalicion do t’ua jap të gjitha kushtet e mundura minoritetit serb, vetëm për ta mbajtur edhe 3 vite më shumë pushtetin”, ka vazhduar më tej ai.

Sipas Kelmendit, fajtor për këtë koalicion është Isa Mustafa, ndërsa që sipas tij kryeministër është dashur të jetë Albin Kurti dhe në qeverisje koalicioni me shumicë shqiptare, LAA-Vetëvendosje.

“Mendoj se për gjithë këtë cirk që ka ndodhur në Kosovë, fajtor është Isa Mustafa, i cili e ka neglizhuar koalicionin dhe mendoj se për inatet e tij primitive ai e ka shtyrë deri më tani. Qeveria është dashur të krijohet dhe kryeministër është dashur të zgjedhet Albin Kurti, sepse kështu ka vendosur sovrani, njeriu më i votuar, e deshëm apo se deshëm dhe një koalicion i shumicës shqiptare që ka 61 vota, pra koalicioni LAA-Vetëvendosje, pastaj edhe minoritetet si kategorik kushtetues. Ndërkaq, kjo që tani ka bërë Behgjet Pacolli, në njëfarë mënyre i ka blerë koalicionin. Të këqijat kanë filluar në momentin që është nënshkruar kjo marrëveshje dhe derisa të prishet kjo marrëveshje, të këqijat për Kosovën nuk do të ndalen”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Zogaj: Bashkëqeverisja PAN-AKR, "minë me sahat"

Image
Skender Zogaj

Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj thotë se partitë e mëdha janë të kushtëzuara nga minorancat, andaj ato e kanë rastin për përfitime, sikur kërkesa e Listës Serbe.

“Bashkëqeverisja në rrethanat e krijuara është "minë me sahat" sepse rezultati zgjedhor është tepër i disfavorshëm për subjektet shqiptare që të mund të gjejnë zgjidhje minimalisht të qëndrueshme, sepse, partitë e mëdha janë të kushtëzuara nga minorancat partiake, të cilat siç po shihet e kanë rastin e përfitimeve përrallore, siç është rasti i AKR-s, e cila me 4 deputet merr pjesën më të madhe dhe më të rëndësishme të kulaçit qeverisës. Duke parë këtë mundësi, është krejtësisht normale që, edhe paritë e tjera, e sidomos Lista Serbe të ketë kërkesa absurde, mbi kushtetuese, siç është kërkesa e postit të zëvendës presidentit të Kosovës që Kushtetuta nuk e parasheh”, është shprehur ai.

“Haradinaj të mos u nënshtrohet serbëve”

Ai thotë se Haradinaj nuk mund të kthehet prapa dhe duhet të vazhdojë me shumë kujdes e të mos pranojë tu nënshtrohet serbëve, të cilën kanë thënë se do të veprojnë sipas porosive të Beogradit.

“Haradinaj është në zgripc të madh, sepse tashmë nuk mund të shkojë as para as prapa, sepse, përpara me "tërnakopa" nuk shkohet, ndërsa prapa nuk mundet sepse, me nënshkrimin e koalicionit me AKR-n, ka hipur në biçikletë e cila nuk ecën mbrapa! Pra, i mbetet vetëm ecja përpara që Haradinaj, mendoj unë, duhet ta menaxhojë me shumë kujdes dhe pa ekuivokë, sidomos ndaj "grabujave" të cilat nuk do ta kursejnë së shkrryeri deri në asht! Haradinaj pranë Ibrahim Rugovës, dikur me 100 ditë ka mbetur në kujtesë si kryeministër i mirë. Këtë vlerësim duhet ta ruaj me kujdes dhe ta tregoj tani, gjatë procesit të krijimit të Qeverisë, dhe si i nominuar për kryeministër,, të mos iu nënshtrohet apetiteve të ngushta partiake dhe qëllimeve të pista të Listës serbe, e cila po e thotë hapur se do të veproj sipas porosive të Beogradit zyrtar. Mbështetja e këtillë duhet të jetë e papranueshme për Ramush Haradinajn, i cili më shumë se gjithkush tjetër e ka të njohur armiqësinë serbe. Serbëve duhet dhënë atë që e meritojnë, por asgjë më shumë. Shumica shqiptare është gjithmonë e mundur të sigurohet..., ose zgjedhjet të bëhen zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat