Ahmeti: Haradinaj duhet ta presë vendimin e Vuçiqit për t`u bërë kryeministër

Politika

Ahmeti: Haradinaj duhet ta presë vendimin e Vuçiqit për t`u bërë kryeministër

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 21:01
Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës ka komentuar zgjedhjen e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit të Kosovës dhe ditën e shtunë kur edhe pritet të votohet për Ramush Haradijn kryeministër.

Ahmeti ka thënë se Veseli nuk ka qenë zgjidhje e mirë për të qenë kryeparlamentar sërish. Kurse, lidhur me postin e kryeministrit për Haradinajn, Ahmeti ka thënë se ai do ta ketë pothuajse të pamundur të krijojë reforma me PDK-në dhe Listën Serbe.

Ai në një intervistë për RTV Dukagjinin ka kujtuar arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia. Aleksandar Vuçiq, tash kryeministër i Serbisë kishte kërkuar ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Lidhur me këtë, Ahmeti ka thënë se Haradinaj ka ardhur në një pikë ku po e pret Listën Serbe që t`i marrë informatat pikërisht nga Vuçiqi se si të veprojë në Kosovë. Andaj, Ahmeti ka thënë se Haradinajt nuk i duhet posti i kryeministrit kur duhet ta pyesë Listën Serbe dhe PDK-në.

“Për shkak të rolit të Veselit në Kosovë në vitet e fundit, nuk ka qenë zgjedhje e mirë. Paramendojeni në çfarë situatë kemi ardhë, Vuçiqi e ka kërkuar ekstradimin e Ramush Haradinajt kurse tash ai duhet ta presë vendimin e Vuçiqit për tu bërë kryeministër. Lista Serbe ka thënë se po e pret Vuçiqin t`iu tregojë çka të veprojnë. Ramushit nuk i duhet posti i kryeministrit kur duhet ta pyesë PDK-në dhe Listën Serbe”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, ai ka komentuar raportin e tij me Haradinajn duke thënë se kanë mospajtime të mëdha politike.

“Ne e dimë rolin e Haradinajt në luftë dhe sakrificën e familjes së tij. Kjo nuk ndryshon, por tani kemi mospajtime të mëdha politike. Ne i kemi thënë edhe Nismës edhe AAK-së që në momentin që ndahen nga PDK do të ulen për të biseduar për krijimin e një qeverie më stabile. Nuk ka pasur takime.  Është gati e pamundur që me PDK-në e me Listën Serbe të bëjë diçka të mirë e reformatore që e ndihmon zhvillimin e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka kujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 e cila i jep të drejtë vetëm grupit fitues të zgjedhjeve të kandidojë anëtarin e tyre për kryetar të Kuvendit. Ahmeti ka thënë se Kushtetuta duhet të ndryshohet para zgjedhjeve të ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat