Pse BE i foli me “tone të ashpra” Haradinajt?

Politika

Pse BE i foli me “tone të ashpra” Haradinajt?

Nga: Arbnore Zhushi Më: 15 shtator 2017 Në ora: 22:10
Ramush Haradinaj

Zyrtarë nga Bashkimi Evropian, ia kanë kujtuar kryeministrit Ramush Haradinaj proceset e rëndësishme, për të cilat duhet të punojë Kosova.

Në deklaratën e saj, BE ka përmendur Demarkacionin dhe Asociacionin, të cilat sipas tyre, duhet të kryhen urgjentisht, për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët.

Lidhur me “tonet e larta”, me të cilat foli BE, ka komentuar publicisti Faik Krasniqi. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Demarkacioni dhe Asociacioni janë procese që duhet t’i kryejnë institucionet e Kosovës, derisa e ka quajtur normale deklaratën me “tone të ashpra” nga BE.

Image
Faik Krasniqi

“Mospërmbushja e proceseve të rëndësishme nga Qeveritë e kaluara si Demarkacioni, Asociacioni etj, normal që nga Bashkimi Evropian do të përmenden si çështje që duhet të kryhen urgjentisht, sepse Demarkacioni është edhe kusht i vënë prej BE-së për liberalizim të vizave. Janë procese që institucionet tona kanë marrë përsipër që do t'i kryejnë. Dhe është normale që Bashkimi Evropian do të flas me tone ''të ashpra'' rreth këtyre çështjeve të rëndësishme”, është shprehur Krasniqi.

Ai më tej ka përmendur edhe çështjen e urimeve nga ana e zyrtarëve dhe shteteve mike, për Qeverinë e cila u zgjodh, falë votave të deputetëve të Listës serbe.

Faik Kransiqi ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, kishte marrë shumë urime kur ishte zgjedhur, por sipas tij, ai është fajtor për gjendjen e mjerueshme të Kosovës.

“Nëse Haradinaj arrin që me sukses t'i përmbush këto çështje të rëndësishme dhe premtimet tjera që i ka bërë, pak do të jetë e rëndësishme sasia e urimeve. Edhe Thaçi ka marrë urime për zgjedhjen në postet që ka udhëhequr deri më tash, madje nga shtetet më të fuqishme të botës, por ai dhe partia e tij janë fajtorët kryesorë për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet vendi ynë!”, ka thënë Faik Kransiqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat