“Haradinaj rehaton militantët e AAK-së në poste publike”

Politika

“Haradinaj rehaton militantët e AAK-së në poste publike”

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 2 nëntor 2017 Në ora: 16:44
Ramush Haradinaj

Qeveria aktuale e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj llogaritet si qeveria më e madhe që ndonjëherë ka pasur vendi. Secila parti që ka ardhur në pushtet, në vendin më të varfër në rajon, rritjen më të madhe që ia ka sjellë Kosovës është numri i ministrive. Madje për këtë mban rekordin në Evropë. Krejt kjo, sipas raporteve të organizatave jo qeveritare, bëhet për t’i rehatuar militantët partiak në pozitat udhëheqëse.

Kështu edhe Qeveria Haradinaj që përbëhet nga koalicioni PAN dhe AKR-ja, do të ketë numër të madh të ministrive. Më saktësisht, do të ketë 22 ministri.

E numri i madh i tyre përveç që është vlerësuar si i panevojshëm nga monitorues të ekzekutivit, i kushton Kosovës edhe në aspektin financiar.

Rreth 1 mijë e 474 euro është paga e një ministri, pa llogaritur këtu mëditjet. Që i bie se për çdo muaj nga Buxheti i Kosovës vetëm për pagat e ministrave do të ndahen mbi 30 mijë euro.

Edhe më shumë buxhet nga praktika e deritashme shpenzohet për të gjithë zëvendës ministrat e stafin tjetër politik.

Stafi 16 anëtarësh

Përveq kësaj ditëve të fundit vetë kryeministri ka kompletuar stafin me të cilin do të punojë, janë gjithsej 16 persona me të cilët do të ketë punë kryeministri Haradinaj.

1. Avni Arifi, këshilltar politik dhe Shef i stafit, 2. Gani Demaj, shef kabineti, 3. Selim Selimi, këshilltar ligjor, 4. Meliza Haradinaj, këshilltare politike, 5. Halil Matoshi, këshilltar politik dhe për media, 6. Alban Dermaku, këshilltar politik, 7. Haki Shatri, ekonomi, 8. Diellza Hoti, çështje të rinisë, 9. Arber Vllahiu, këshilltar politik dhe zëdhënës i Qeverisë, 10. Nita Himaduna, këshilltare politike, 11. Hysen Gashi, këshilltar për siguri, 12. Jahja Lluka, këshilltar për diasporën, 13. Gazmend Syla, këshilltar për kategoritë e luftës, 14. Arben Shabani, këshilltar për minoritete;

Të jashtëm; 15. Agron Jaha, shëndetësi, 16. Gazmend Abrashi, biznes.

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Besa Gaxherri ka thënë se kjo qeveri është krijuar në llojin e vet dhe se për ta nuk është një risi.

Image
Besa Gaxherri

Sipas saj, bëhet fjalë për një qeveri që ka është qeveri që ka mazhorancen më të vogël të mundshme dhe përfaqësim e ultë në Kuvend, kurse numrin më të madh të stafit të ndonjë qeverie që ndonjëhre  pasur në Kosovë.

“Ne prej fillimi kemi thënë se kjo qeveri është punë bastesh në mes individëve, grupeve dhe interesave të caktuara prandaj është një numër kaq i madh në qeveri sepse disi duhet te kënaq egot e secilit prej tyre,dhe konsideroj se këtu nuk ka te bëjë fare më realizimin e një programi  dhe përgjegjësitë që zakonisht ka qeveria por është e orientuar që ti plotësoj kërkesat e individëve. Pa dyshim se është tepër e dëmshme për qytetaret e këtij vendi dhe për Republikën e Kosovës. Duke pas parasysh që kjo qeveri ka vetëm ka vetëm herë 60 e herë 61 vota në Kuvend ndërsa qeverinë e ka sa dy herë Kuvendi më gjithë atë staf më këshilltarë e zëvendësa të ndryshëm” ka thënë Gaxherri.

Rehatimi i militanteve

Sipas saj nëse mendohet edhe për krijimin e një ministrie të asaj të veteraneve ajo ka thënë se është tepër dhe se s’mund të kem koment për ketë.

“Nëse dikush tenton të bëjë ministri të veteraneve atëherë dhe kjo normalisht nuk është e pranueshme. Sa ishin në opozitë thoshin se Qeveria e Kosovës është e madhe dhe se ka nevojë të zvogëlohet derisa tash jemi dëshmitarë të asaj se çfarë qeverie  kemi, dhe mendoj se një ministri e vetme e veteraneve mendoj se është qesharake”, ka thënë ajo.

Kurse, Shqipe Pantina nga Vetëvendosje e cila është anëtare e Komisionit për Administrate Publike ka thënë për “Bota sot” se Qeveria Haradinaj është tepër e madhe në numër dhe se kjo nuk garanton qeverisje të mirë.

Image
Shqipe Pantina

“Unë e kam thënë edhe me rastin e diskutimit të parimeve qeverisëse në Kuvend se qeveria e re Haradinaj është tepër e madhe në numër dhe kjo nuk garanton qeverisje të mirë e as efikasitet të saj, përkundrazi është ngarkesë e panevojshme e buxhetit të shtetit. Për me tepër unë mendoj se numri I ministrive është rritur vetëm për të rehatuar militantët politike në poste publike” ka thëne Pantina.

Sipas saj, Kosovës nuk i duhet një qeveri më e madhe se 15 ministri dhe për shumicën e ministrive nuk ka nevojë t`i kenë 2 zëvendës ministra, përderisa numri i këshilltarëve politikë nuk duhet të jetë më i madh se 5.

Kelmendi: Është akt patriotik rrëzimi i kësaj qeverie

Image
Jeton Kelmendi

E njohësi i çështjeve politike në vend Jeton Kelmendi ka shpjeguar se nëse flasim më numra është qeveria më e dobët që nga pas lufta e këtej ndërsa në anën tjetër Qeveria më glamuroze ose më e madhja për nga numri i personave.  

“Sigurisht me përjashtime të vogla aty këtu të tjerët asnjë nuk janë profesionist në këtë qeveri dhe kjo është një qeveri e krijuar për apetitet e shumta të grupeve të ndryshme sepse kjo është bërë në formën se sa për ti ep gjithkujt nga pak pushtet. Gjithë këta zëvendëskryeministra sepse një do të mjaftonte por këto janë vetëm për ti kënaqur apetitet e aleateve të shumtë. Mendoj se është akt patriotik rrëzimi i kësaj qeverie sepse sigurisht deri më tani  kemi pas një përformancë jashtëzakonisht të dobët edhe të kryeministrit edhe të ministrave të tij pa dallim prandaj kjo është realiteti” ka thënë Kelmendi.

E analisti politik  Leon Duhanaj ka shtuar se Kosova e ka të njohur megalomaninë në krijimin e qeverive të mëdha në numër.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, në këtë aspekt, nuk bën dallim asnjëra nga subjektet. Problemi duhet koncentruar në realizueshmërinë programore. Pra është me rëndësi dinamika në qeverisje, për të cilën ka qenë e pritshme që z. Haradinaj të bëj punë të madhe të cilën gjerë me tani nuk po mund ta dëshmojë.  Ndoshta sepse ka qenë kohë fushate zgjedhore, por të cilën duhet ta kompensojë sa më shpejtë.  Ndryshe ëndrra e tij për t'u bërë Kryeministër i ndryshimeve pozitive, mund të zëvendësohet me atë të dështimeve. Posaçërisht duhet të ketë shumë kujdes nga ndikimet që i vinë nga jashtë, ku kërkohet arrestimi i kundërshtarëve politik të Erdoganit” ka  treguar Duhanaj.

Sipas tij Kosova nuk e ka luksin, e as nuk guxon të lëshohet në këso aventurash. Këndej kujdes i madh!

Ndryshe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës lidhur me këtë cështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat