Pse Thaçi, Veseli e Haradinaj po frikësohen të vizitojnë veriun e Kosovës

Politika

Pse Thaçi, Veseli e Haradinaj po frikësohen të vizitojnë veriun e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 nëntor 2017 Në ora: 09:05
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Në fushatën për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, politikanët vizituan komunat e Kosovës, derisa pjesa veriore në Mitrovicë mbeti pa vizita të tilla.

Krerët e shtetit nuk po realizojnë vizita të tilla në atë pjesë të vendit. Presidenti i Hashim Thaçi një vizitë në veri të Mitrovicës e ka realizuar në vitin 2016, mirëpo vizitë në këtë pjesë të Kosovës nuk ka realizuar deri tani që kur ka filluar punën si kryeministër, Ramush Haradinaj e as kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Të pyetur nëse mendojnë të realizojnë ndonjë vizitë në veri të Mitrovicës, asnjëra nga tre institucionet e vendit nuk janë përgjigjur.

Ndërsa, analistët kanë shprehur mendimet e tyre për arsyet e mundshme pse krerët e shtetit nuk po vizitojnë veriun.

Zogaj: E vizituan ose jo veriun, ajo pjesë është e Kosovës

Image
Skender Zogaj

Njohësi i zhvillimeve në vend Skënder Zogaj, ka thënë se mungesa e vizitave të tilla, është tregues i qëndrimeve armiqësore të serbëve, të udhëhequr nga Beogradi.

“Mungesa e vizitave të krerëve të shtetit në veriun e Mitrovicës, nuk mendoj se ka të bëjë me frikën as guximin, por është tregues i qëndrimeve armiqësore të serbëve të këtij rajoni, të cilët duke qenë të instrumentalizuar nga Beogradi, po e luajnë vallen e vetëmashtrimit, kinse nuk e pranojnë Qeverinë e Kosovës. Por në fakt, serbët atje janë bërë shkop i të verbërve, dhe të këtillët nuk e vlen të vizitohen nga krerët e shtetit, Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari apo ndonjë nga ministrat”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Sipas Zogajt, nuk nevojiten vizita në veri, pasi serbët duhet ta dinë se ajo pjesë është e Kosovës.

“Mos vizitat janë në dëm të serbëve atje, sepse herët a vonë kanë për ta kuptuar sa të manipuluar që kanë qenë, duke u yshtur që atë pjesë të territorit të Kosovës tash për tash ta shfrytëzojnë si një kopsht zoologjik. Pra, krerët e shtetit nuk kanë nevojë të shkojnë atje, derisa serbët të kuptojnë se, shkuan ose jo krerët e shtetit, ajo pjesë e territorit është e Kosovës dhe e qytetarëve të Kosovës”, ka vlerësuar Zogaj.

Krasniqi: Hashim Thaçi, fajtor për ndarjen de fakto të Mitrovicës

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, analisti politik Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe 18 vjet pas lufte, partitë politike në vend nuk kanë arritur ta fusin në juridiksionin e Republikës së Kosovës.

“Liderët partiakë dhe partitë në përgjithësi, kanë përdorur retorika boshe për atë pjesë që edhe sot nuk ka arritur të futet nën juridiksionin e Republikës së Kosovës, dhe 18 vjet pas çlirimit të vendit dhe 9 vjet nga pavarësia, institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë mundur të shtrijnë kontrollin në pjesën më të ndjeshme të vendit, veriun e Kosovës, me përjashtim të shtrirjes së ligjit në mënyrë kozmetike. Ndonëse janë kënduar edhe këngë “Jo nuk ndahet Mitrovica”, ky qytet pothuajse është i ndarë, sepse në veri shqiptarëve nuk u lejohet të kthehen në shtëpitë e tyre”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, liderët e partive e përdorin veriun për poena politikë dhe krerët e shtetit frikësohen të vizitojnë veriun, pasi atje “çdo gjë frymon thuajse si në Serbi”.

“Dhe liderët e njëjtë partiakë edhe sot veriun e Kosovës e përdorin për poena politikë, edhe pse ne nuk jemi naiv që mos ta dimë se serbët e veriut kurrë nuk do t'i përfillin ligjet e Republikës së Kosovës. Mjafton t'i shikojmë emërtimet atje duke filluar nga komunat ku asgjë nuk sheh në gjuhën shqipe, por veçse në gjuhën serbe, madje në çirilicë. Atje çdo gjë frymon sikurse të jesh në Serbi. Kjo është edhe arsyeja e krerëve të tanishëm, dhe atyre të djeshmit, që kurrë nuk bëjnë vizita në atë pjesë, sepse kjo kastë politike e sidomos Hashim Thaçi, është fajtori kryesor për ndarjen de fakto të asaj pjese nga pjesa tjetër e Kosovës”, është shprehur Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat