Tahiri “goditje” Kadri Veselit, tregon kur filloi rënia e PDK-së

Politika

Tahiri “goditje” Kadri Veselit, tregon kur filloi rënia e PDK-së

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 nëntor 2017 Në ora: 15:46
Kadri Veseli

Partia Demokratike e Kosovës do të udhëheqë vetëm 5 komuna të Kosovës, derisa në këto zgjedhje ka humbur tre komuna që prej kohësh i ka qeverisur. Bëhet fjalë për Prizrenin, që e fitoi Vetëvendosje, Vushtrrinë që e fitoi LDK dhe Klinën të cilën e fitoi AAK.

Edhe pse ka humbur këto komuna, lideri i partisë Kadri Veseli ka thënë se nuk janë të kënaqur me rezultatin por që kanë numrin më të madh të asamblistëve neper komuna.

Për një humbje të tillë të këtij subjekti politik, politologu Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rënia e PDK-së ka filluar prej kohësh, ndërsa që tani PDK për tu arsyetuar thotë se ka numrin më të madh të asamblistëve.

“PDK ka kohë që është duke shënuar rënie nga duket që strukturat e partisë nuk janë fare të ndërgjegjshme për këtë ose thënë ndryshe, strukturat qeverisëse të reja të saja janë në elanin dhe në entuziazmin e zgjedhjes dhe të ngritjes së tyre në parti dhe po e konsolidojnë pushtetin ngadalë, ndërsa proceset po ecin shpejtë dhe po ju rrëshqasin. PDK po i merr argumentet që po i shkojnë për shtati dhe tash po thotë se për nga numri i asamblistëve nëpër komunat e Kosovës është e para”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, PDK ka dëshirën për pushtet me çdo kusht dhe për këtë ka rrëzuar edhe qeverinë.

Image
Ramush Tahiri

“Tash ajo i shpalli zgjedhjet e brendshme partiake me thirrjen që të inkuadrohen të rinjtë dhe gratë më shumë në këto zgjedhje. Duket dëshira për të qenë me çdo kusht në pushtet po e djegë këtë parti duke i humbur konceptin bazik. E prishi koalicionin me LDK-në, e rrëzoi Qeverinë me arsyetimin që edhe kryeministri do të jetë i PDK-së pasi në ndërkohë sipas marrëveshjes u zgjodh lideri i PDK-së, Hashim Thaçi President i Kosovës në Kuvend, ndërsa në koalicion parazgjedhor ia dhanë këtë post liderit të AAK Ramush Haradinajt. Pra parimet për pushtet. Bashkëqeverisjen e shfrytëzoi shumë mirë AAK si në ristrukturimin e Qeverisë duke i futur njerëzit e vet dhe e mundi partnerin qeverisë dhe fitoi shtatë komuna me kryetar”, vlerëson politologu Tahiri për “Bota sot”.

Ai ka komentuar edhe humbjen në Klinë, të një komandanti të UÇK-së, Sokol Bashota.

“Krijimi i Nismës dhe marrja e elektoratit nga PDK nuk u morr seriozisht duke pasur qëndrim mospërfillës si dikur LDK me ndarjen e LDD. Humbja më e dhimbshme është komuna e Klinës, një bastion i fuqishëm e tradicional i PDK-së me një lider karizmatik dhe kuadër i luftës komandant i UÇK-së. Absurdi është që u mund nga kandidati i AAK-së me të cilin e ndajnë pushteti qendror ashtu si edhe rasti me Rahovecin”, ka thënë ai.

Sa i përket Prizrenit, sipas Tahirit kjo është dhimbja më e madhe për PDK-në, ndërsa që Vushtrria është meritë e LDK-së.

“Prizreni konsiderohet dhimbja më e madhe për PDK-në që nuk po e kompenson as fitorja e PDK-së në Ferizaj. Këtu duket janë bërë të gjithë kundër PDK-së, sidomos Nisma, ndërsa Vetëvendosje ishte organizuar mirë me strukturë dhe me kandidatin e saj. Vushtrria duket është merita e kandidatit të LDK-së Xhafer Tahiri dhe autoritetit dhe aktivitetit të tij të palodhshëm”, ka vlerësuar më tej politologu Tahiri.

Ai thotë se PDK me zgjedhjet e brendshme do të ketë turbullime.

“PDK duke ndenjur në Qeveri dhe duke organizuar zgjedhjet e brendshme duket se do të ketë turbullim koncepti dhe qartësie politike dhe mundet që të zgjidhen kuadrot klienteliste e jo kuadrot e mirëfillta e vizionare...LDK e ndërpreu këtë tendencë duke iu kthyer vetvetes dhe pastërtisë ideologjike”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat