“Kadri Veseli, dëshmitar kundër Ramush Haradinajt e Zafir Berishës në Speciale?”

Politika

“Kadri Veseli, dëshmitar kundër Ramush Haradinajt e Zafir Berishës në Speciale?”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 nëntor 2017 Në ora: 12:20
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj

Sado që ende nuk janë numëruar të gjitha votat në zgjedhjet lokale, tashmë dihet qartë se PDK-ja ka shënuar rënien më të madhe. PDK-ja ka humbur shumë komuna të saj, kryesisht ato ia mori AAK-ja, partneri i saj në qeveri.

Duke ndodhur kështu, ka mundësi që ‘themelet’ e kësaj qeverie të lëkunden. Madje qysh në fillim, ky koalicion u vlerësua si një koalicion i zorit, që vështirë se mund të përfundojë mandatin katër vjeçar.

Por pas rezultatit të zgjedhjeve, a do t’i “hakmerret” Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, pasi ia ka marrë disa nga komunat që PDK i kishte më parë? Apo edhe mund të ndodhë tjetra, që Qeveria Haradinaj të rrëzohet?

Për këtë çështje nuk kanë folur asnjëra nga partitë. Të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, zyrtarët e PDK-së dhe AAK-së, nuk janë përgjigjur fare.

PDK-ja, humbësja më e madhe e zgjedhjeve

Image
Skender Zogaj

Megjithatë, analistët politikë kanë vlerësuar këtë gjendje pas zgjedhjeve lokale. Kështu, analisti politik Skendër Zogaj, ka thënë se në zgjedhje janë garë të gjitha partitë, por nuk fitojnë të gjithë.

Ai ka thënë se PDK-ja doli humbësja më e madhe nga zgjedhjet lokale.

“Garuesit duan të gjithë fitoren, prandaj rezultati i garës zgjedhore nuk do të duhej të krijonte hidhërim dhe të nxiste dikën për hakmarrje. As në zgjedhjet e fundit lokale nuk ka asnjë arsye që dikush të kërkojë hakmarrje nga dikush tjetër. Partia Demokratike e Kosovës kësaj here doli më humbësja, duke humbur disa nga bastionet e saj më të forta, siç ishin Prizreni, Klina, Vushtrria...”, ka thënë Zogaj.

Zogaj ka thënë më tutje se pas këtyre rezultateve Veseli mund të kërkojë hakmarrje ndaj AAK-së, por që kjo, sipas tij, do t’i kushtonte më së shumti PDK-së dhe vetë Veselit.

“Lideri i PDK-së, Kadri Veseli mund të mos ndjehet mirë, por ky nuk mund të jetë adut që të kërkojë hakmarrje ndaj fituesit, në rastin konkret nga AAK, e cila, i ka marrë komunë edhe LDK-së. Unë nuk mendoj se Kadri Veseli për shkak të humbjes së zgjedhjeve do të kërkojë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Por, nëse i shkon ndërmend një diçka e këtillë, atëherë do ta bëjë edhe një veprim tjetër të gabuar, që, më shumë se Haradinajt do t'i kushtojë personalisht Kadri Veselit dhe partisë së tij, e cila duhet të heq dorë nga shprehitë e këqija, prej të cilave ka pasur përfitime sporadike deri tash, mirëpo, në të ardhmen do t'i krijojë dështime papërmirësueshme”, ka vlerësuar ai.

Reformat në PDK

Sipas tij, nëse PDK-ja do të mbajë pushtetin, duhet të reformohet dhe moderohet.

“Lidershipi i PDK-së, nëse don që partinë ta mbajë në "sofrën e madhe", duhet të përqendrohet për t'u reformuar dhe moderuar, për t'u korrektësuar ndaj kërkesave të vendit dhe popullit, sepse Kosova është në gjendje të pakëndshme dhe nuk duhet të rëndohet me huqe partiake. Loja me gropa nuk është e mire, sepse, në të shumtën e rasteve, ai që i hap, vet bie ne të”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Mehmeti: Veseli do t’i hakmerret Haradinajt e Berishës

I të njëjtit mendim është edhe analisti Faton Mehmeti, i cili ka thënë se çdo tentativë e Veselit kundër Qeverisë, pjesë e të cilës është edhe ai vetë, do t’i kushtonte shtrenjtë atij dhe PDK-së.

Image
Faton Mehmeti

“Pas këtyre zgjedhjeve më nuk do të jetë njësoj për Kadri Veselin, si brenda partisë së tij ashtu edhe në raport në koalicion me Ramush Haradinajn. Duke u munduar ta djeg Ramushin, Kadriu po djeg veten duke pësuar humbjen më të madhe në karrierin e tij, PDK dhe vetë Kadriu. Andaj, në një apo në një mënyrë Kadriu do t’i hakmerret Ramushit”, ka vlerësuar Mehmeti.

Por ai ka thënë më tutje se hakmarrjen më të madhe do ta pësojë deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, pasi sipas tij, Veseli nuk do t’ia falë për humbjen e ‘Jeruzalemit’ të tij.

“Por, mendoj se hakmarrjen më të madhe do ta pësojë Zafir Berisha, pasi ai ndikoi që të humbas Jeruzalemin e saj kreu i PDK-së, dhe këtë Kadriu nuk e falë. Mund të falë çdo gjë, por jo humbjen e Jerusalemit të tij, andaj Zafa le të bëhet gati për hakmarrje”, ka vlerësuar Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Veseli, dëshmitar kundër Haradinajt e Berishës në Gjykatën Speciale?

Ai ka theksuar poashtu se nuk është interes i Kadriut tani që të rrëzojë Ramushin nga posti i kryemisntrit pasi edhe vetë do e përjeton fundin.

“Nuk guxon asgjë të veprojë Kadriu pa u kryer disa arrestime nga Gjykata Speciale, duke u munduar të fshihet pas pushteti. Gjithsesi, as Ramushi as Zafa nuk do të shpëtojnë pa hakmarrjen e Kadriut, se si dhe në çfarë forme, koha do ta vërtetojë. Mbase, Kadriu me bërjen dëshmitar i Gjykatës Speciale kundër Zafirit apo edhe Ramushit”, ka thënë analisti Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat