Vazhdojnë përplasjet LDK-AAK për Istogun, KQZ pa zgjidhje për manipulimet

Politika

Vazhdojnë përplasjet LDK-AAK për Istogun, KQZ pa zgjidhje për manipulimet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 dhjetor 2017 Në ora: 12:43
Haki Rugova dhe Gani Dreshaj

Komuna e Istogut do të ketë edhe një herë zgjedhje dhe kjo pas ankesës së LDK-së për t’i anuluar votat me postë në zgjedhjet e raundit të dytë të mbajtura me 19 nëntor.

PZAP-ja ka urdhëruar KQZ-në ta përsëris votimin për kryetar të komunës së Istogut, ndërsa ankesën e kandidatit të Listës serbe për kryetar të komunës së Kllokotit PZAP ka refuzuar këtë kërkesë.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kandidati i saj, Haki Rugova i cili kishte dalë fitues pas numërimit të votave nga balotazhi i 19 nëntorit, nuk pranojnë rezultatin që doli me numërimin e votave përmes postës, që pothuajse të gjitha i shkuan Gani Dreshajt të AAK-së.

Votat përmes postës përmbysën rezultatin në Istog, duke dalë fitues Dreshaj. 

Ankesa e LDK-së, përmes së cilës thotë se ka pasur manipulime, është pranuar nga PZAP-ja, duke u përsëritur votimi në Istog.

Përkundër që Lidhja Demokratike ka kërkuar që të mos bëhet rivotimi, por vetëm anulimi i votave me postë, ata vendimin e PZAP-së e konsiderojnë të pritshëm sepse kanë dëshmi që ka pasur manipulime.

Image
Valentina Bunjaku- Rexhepi

Istogu kala e pa mposhtur e LDK-së

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku- Rexhepi, ka thënë për “Bota sot” se dikush duhet të përgjigjet për manipulimet të shumta në Istog.

Sipas saj, LDK-ja asnjëherë nuk e ka dëmtuar procesin zgjedhor.

“Rivotimi në Istog me vendimin e PZAP-së ishte i pritshëm dhe i sigurtë.Aty u panë jo vetëm dëshmi e manipulime të shumta, por u pa qartë se si u shkel vendimi qytetar. Dhe,  për këtë dikush duhet përgjigjur para organeve të drejtësisë. LDK asnjëherë nuk e ka dëmtuar një proces zgjedhor gjatë historikut të saj dhe shumë herë  kjo u bë nga oponentet e saj. Kjo ndodhi edhe tash në Prishtinë”, ka theksuar  Rexhepi.

Sipas saj, Rugova ka marrë besimin qytetar dhe duhet ta vazhdojë punën e tij.

“Kryetari Haki Rugova mori besimin qytetar dhe në vend që të vazhdojë punën e tij i duhet që edhe njëherë t'i obligojë ata që edhe më fuqishëm të  rifitojë atë besim para kundërshtarëve politikë të cilët si duket nuk zgjedhin mjete dhe forma manipulative për ta mundur. Kot e kanë. Istogu është kala e pamposhtur e qytetit të presidentit Rugova dhe qytetarëve të Istogut”, ka shtuar deputetja e LDK-së për “Bota sot”.

Image
Pal Lekaj

AAK: Vendim absurd i PZAP-së

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila me vota me postë doli fituese e zgjedhjeve, këtë vendim të PZAP-së, e konsideron absurd.

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për “Bota sot” se vendimi nuk ka bazë praktike dhe ligjore.

Sipas tij, ky vendim nxjerrë demokracinë si koncept me dy fytyra.

“Është vendim absurd që nuk ka bazë praktike e ligjore. Vendim i cili nxjerrë demokracinë si koncept me dy fytyra. Janë të njëjtit votues që kanë votuar në të dy raundet. Arsye të vërteta e të mëdha ka patur për ta lënë që verdikti i qytetarëve të materializohet, por siç duket dikush nuk është i interesuar ta dëgjojë e ta lexojë besimin e qytetarëve si të tillë por po tentohet të shtrembrohet” ka thënë Lekaj.

Ai ka shtuar se, qytetarët kanë vendosur që Gani Dreshaj të bëhet kryetar i Istogut.

“Istogasit kanë vendosur që ta shporrin shpuren e Haki Rugovës nga qeverisja e Komunës. Gjithë kohën e kaluar i kanë "fituar" (e shpesh edhe duke keqpërdorur besimin e qytetarëve) në emër të presidentit të ndjerë Rugova, e ndërsa kanë keqqeverisur që sa vite këtë Komunë. Gani Dreshaj nuk ka ardhë në Kosovë e nuk ka konkuru për të parin e Istogut pse ka nevojë për diçka personale, por sepse ka qenë e vetmja mënyrë për të bërë diçka për Istogun dhe qytetarët e tij, prandaj nuk ka patur arsye që të ketë keqpërdorime nga ana jonë, këtë çka po na akuzojnë neve e kanë bërë vetë LDK, por prapë pa sukses, sepse qytetarët i dhanë goditjen e vet. Istogasit jam i bindur që e njohin z.Dreshaj dhe për ta e për ne ai është tashmë kryetar i zgjedhur i Istogut” ka theksuar Lekaj.

Ndërsa, njohësit e zhvillimeve në vend e kanë mirëpritur vendimin e PZAP-së për rivotim në Istog, duke thënë se ky veprim i shuan polemikat që janë ngritur me akuzat për vjedhje.

Sipas tyre, përgjegjësit duhet të japin përgjegjësi.

Image
Mentor Tahiri

KQZ pa zgjidhje

Politologu Mentor Tahiri, ka thënë për “Bota sot” se procesi i votimit në Istog është i komprementuar dhe për këtë KQZ-ja nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për manipulimet.

“Është mesë e qartë se procesi i votimit në Istog është i kompromentuar. Duket se vetë KQZ nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për manipulimet që po bëhen në votimet me kushtë dhe sidomos në ato me postë. Këtë e tregon edhe fakti se KQZ, respektivisht PZAP, mori vendim që i gjithë procesi i votimit të përsëritet, pa një instrument i cili do të trajtonte thjesht vetëm pjesën problematike të votimit”, ka pohuar Tahiri.

Sipas tij, është paradoksale të bëhen manipulime dhe të mos japë përgjegjësi askush.

“Në anën tjetër, është shumë paradoksale që njëkohësisht të gjenden manipulime gjatë votimit, e njëkohësisht askush të mos thirret në përgjegjësi. Kjo lë shijen e një kompromisi karshi akterëve potencial të këtij manipulimi. Me këtë KQZ nuk po jep një shembull të mirë. Potencialisht po nënkuptohet se manipulimi si veprim kundërligjorë mund të dështoj, por që akterët të shpëtojnë pa u përballur me ligjin” ka theksuar Tahiri.

Image
Faton Mehmeti

LDK koalicion me Vetëvendosjen

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se vendimi i PZAP-së është i mirë dhe kësisoj zgjedhjet e reja do të vërtetojnë edhe njëherë se kush ka vota më shumë.

Sipas Mehmetit, tashmë mundësia për të manipuluar në zgjedhje në Istog do të jenë të pakta.

“Besoj se vendimi i PZAP-it është korrekt, duke pasur parasysh dyshimet e shumta që janë ngritur me përfundimin e zgjedhjeve në Istog. Një veprim i tillë shuan të gjithë polemikat që janë ngritur me akuzat për vjedhje, dhe do t’i mundësonte  të dy kandidatëve që të vërtetojnë dhe njëherë se kush i ka votat më shumë. Me këtë rast mundësia për të manipuluar zgjedhjet në Istog do të jenë më të pakta, marrë parasysh faktin se do të ketë mbikëqyrje më të madhe të rezultatit, që nënkupton se kush do që të fitojë do të jetë kryetar legjimit”, ka pohuar Mehmeti.

Sipas tij, LDK-ja duhet të bëjë koalicion me VV-në, nëse dëshiron fitoren e sigurtë.

Mehmeti ka shtuar se Gani Dreshaj këtë radhë do të ketë vështirë ta fitojë Istogun.

“ LDK-ja duhet të bëjë koalicion me VV-në në Istog, nëse dëshiron që ta ketë fitoren e sigurtë, përndryshe rrezikon shume. Gjithesesi vendimi i PZAP-it është i drejtë dhe si i tillë është për t’u përshëndetur. Mendoj se këtë radhë Gani Dreshaj do ta ketë të vështirë të fitojë, përveç nëse nuk bënë koalicion me VV. Mendoj se fitues do të jetë ai që bënë koalicion me VV, duke marrë parasysh rezultatin e ngushtë që kanë dy kandidatët”, ka përfunduar Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat