Ramush Haradinaj miratoi marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi për demarkacion

Politika

Ramush Haradinaj miratoi marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi për demarkacion

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 23:52
Mbledhja e sotme e qeverisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e komisionit për shënimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015, duke e dëshmuar kështu në Kuvend për shqyrtim të mëtutjeshëm.

Kjo u bë pasi që para kabinetit qeveritar, raportuan për të gjeturat anëtarët e komisionit qeveritar për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror .

Kryetari i komisionit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, Shpejtim Bulliqi, i cili para kabinetit qeveritar paraqiti të gjeturat e punës së këtij komisioni, tha se puna e ish-komisionit është reflektuar me të meta thelbësore.

Bulliqi: Puna e komisionit të kaluar me të meta thelbësore

“Gjatë analizës së materialeve komisioni jonë ka ardhur në përfundim se puna e ish-komisionit është reflektuar me të meta thelbësore, të cilat dhe i kanë determinuar këto përfundime. Komisioni ka tejkaluar kompetencat e tij, gjykuar sipas nenit 40 të ligjit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke i lejuar vetës t’i futet procesit të delemitimit, përkatësisht caktimit të vijës së re të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake. Dy kjo për faktin se marrëveshjen e nënshkruar për kufirin, thuhet se çështja e demarkacionit është lënë të kryhet brenda dy vitesh, pasi të hyjë në fuqi kjo marrëveshje. Ish komisioni ynë ka qenë i thirrur të shënjoj vijën e dikurshme administrative mes dy njësive të ish-Jugosllavisë, e në asnjë mënyrë të bëjë kufirin e ri”, tha ai.

Bulliqi shtoi se komisioni i tyre ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes Kosovën dhe Malit të Zi, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-krahinës socialiste të Kosovës.

Bulliqi: Këto dokumente nuk i kemi prodhuar ne

“Si rezultat i të gjitha këtyre të gjeturave në punën e ish-komisionin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, komisioni ynë ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare, të ish krahinës socialiste autonome të Kosovës. ...Dua t’iu siguroj se asnjë nga materialet që do t’ua prezantoj, nuk i kemi prodhuar ne, por institucionet kredibile të kohës dhe se ato nuk mund t’i zhvlerësoja askush, as ata që pretendonin se Kosova nuk humb asnjë centimetër territor”, tha ai.

Bulliq më tej tha se nga materialet e ish-komisionit, konstatohet se nuk është trajtuar dokumentacioni i përkufizimit të kufirit administrativ mes Kosovës dhe Malit të Zi nga viti 45-46 dhe të dhënat shoqëruese gjeo-hapësinore.

Ndërsa tha se në negociata ish-komisioni ka ofruar dy variante të ndryshme të shtrirjes së vijës kufitare. Njërin variant të bazuar në hartën topografike dhe kufijtë administrativ dhe variantin e dytë e ka bazuar në kufijtë kadastral për zonat kufitare.

Antari i komisionit, profesori Zejnullah Gruda deklaroi se puna e ish-komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, është karakterizuar nga mos njohja e thellë e së drejtës ndërkombëtare, e së drejtës diplomatike dhe sidomos e së drejtës së traktateve.     

Ndërsa tha se bisedimet mes Kosovës dhe Malit të Zi, janë mbajtur fshehur .

Gruda: Bisedimet me Malin e Zi janë fshehur

‘Komisioni nuk ka ditur ose nuk ka respektuar mandatin, ngase afro dy vjet ka biseduar me delegacionin e Malit të Zi, për çështje që fare nuk kanë qenë në mandatin e tij. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe vendimin për vazhdimin mandatit të tij, ka qenë shënjimi dhe mirëmbajtja e kufirit shtetëror, e jo përcaktimi i kufirit. E ai ka biseduar për përcaktimin e kufijve, e jo për shënjimin e kufirit, për çka ka qenë i autorizuar. Kjo është fshehur nga opinioni publik por dhe nga Kuvendi i Kosovës, të cilët nuk kanë ditur asgjë, derisa nuk është dekonspiruar se me Malin e Zi po bisedohet për kufi. Derisa nuk është nënshkruar marrëveshja, e madje edhe shumë kohë pas nënshkrimit të saj”, tha ai.

Edhe Florim Jusufi tha se ajo që ia betonon bindjen për gabimin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, janë pagesat që buxheti i Kosovës, ka bërë për mirëmbajtjen e rrugës Pejë-Qakorr dhe Pejë- Kullë.

Jusufi: Kjo ma betonon që është bërë gabim janë  pagesat nga buxheti

“Ajo që e betonon këtë gabim në nxjerrjen e këtij kufiri, janë këto fotografi që po i shihni. Këto janë situacionet. Pagesa që i kanë bërë buxheti i Kosovës për mirëmbajtjen e rrugës Pejë-Qakorr dhe Pejë Kullë. Të gjitha janë, ne e kemi marrë dhe i kemi fut në dokumentet për dhjetë vite, por në listën në institucionet e Kosovës ishin për çdo muaj”, tha ai.

Të gjitha këto që i prezantuan për një orë anëtarë e komisionit, nuk ia mbushen mendjen aspak zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, i cili tha se dëgjoi vlerësime dhe jo ndonjë provë materiale apo ndonjë fakt konkret nga komisioni.

Hoxhaj: S’pash prova apo fakte

“Mandatin që keni marrë nga kryeministri, nga Qeveria përveç mandatit, i cili është i votuar në mbledhje të Qeverisë, ka qenë që të gjendet e vërteta dhe vetëm e vërteta. Unë personalisht dëgjova ka vlerësime shumë të përgjithshme, por dhe jo ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Meqë kam qenë anëtar i disa qeverive, ju jeni komisioni i 5 që merreni me ketë teme. Vërtetë iu dëgjova me vëmendje nuk ishit konkret dhe nuk pash ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim në mbledhje të Qeverisë, unë kam thënë se kur temat janë komplekse, është detyrë e komisionit dhe politikës që t’i thjeshtësoj. Sot e kam përshtypjen se e keni kompliku dhe më shumë“, tha ai.

E Bulliqi tha se nuk kanë ardhur ta akuzojnë askënd, por ta nxjerrin një të vërtetë.

Bulliqi: Ne s’po akuzojmë askënd, po e nxjerrim në shesh një të vërtetë

“Një çështje duhet ta keni parasysh, që esenca dhe puna jonë nuk është në këtë rast ta akuzojmë askënd. Ne nuk jemi ardh me qit këtu para gjyqit askënd. Ne kemi punuar për hirë të së vërtetës, për me mujt me nxjerr në shesh një të vërtetë reale rreth këtij procesi. Jemi shumë të brengosur për gjendjen në të cilën jemi”, tha ai.

Në fund Bulliqaj dorëzoi një kopje të raportit, derisa me një abstenim qeveria procedoi raportin dhe marrëveshjen në Kuvend.

Ndryshe Qeveria në këtë mbledhje ka miratuar edhe propozim vendimin për caktimin e zonës ekonomike të Gllogovcit, si lokacion për ndërtimin e stadiumi kombëtar të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat