Ligji për Specialen, kërkesa e vonuar e OVL-UÇK-së!

Politika

Ligji për Specialen, kërkesa e vonuar e OVL-UÇK-së!

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 19 dhjetor 2017 Në ora: 11:53
Ilustrim

Peticioni i nisur nga ana e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, ku po kërkohen nënshkrimet e qytetarëve të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, është i destinuar që të dështoj.

Kështu thonë deputet dhe njohës të çështjeve juridike në vend, pasi që sipas tyre Gjykata Speciale është në prag të ngritjes së aktakuzave ndaj atyre personave që dyshohen se mund të kenë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Organizatat e dala nga lufta, ditë më parë kanë nisur peticionin për ndryshimin e këtij ligji.

Ata thonë, se themelimi i kësaj gjykate është një padrejtësi për Kosovën, sepse me këtë dënohen vetëm krimet e pretenduara që janë bërë nga shqiptarët, por jo krimet dhe gjenocidi serb gjatë luftës në vend. 

Image
Nënkryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj

“Në atë që e kërkon populli duam ta bëjmë realitet, është hera e fundit, është shansi i fundit i atyre që kanë gabuar në nënshkrimin e kësaj gjykate. Dëshira jonë dihet që moti, dëshira jonë është që Gjykata Speciale të mos ndodhë fare, të hiqet tërësisht dhe ato punë t’i kryej gjykatat e Kosovës, por meqë ka ardhur deri këtu puna atëherë Gjykata Speciale që është aprovuar në Kuvend ka bërë shkeljet e para, shkeljet njerëzore. Mund të them se i ngjason një gjykate të një kohe të fashizmit kur atëherë shpallët një anshëm një popull fajtor”, është shprehur, Nasim Haradinaj, nënkryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së.

Por, deputetët e partive shqiptare thonë se ky peticion është i vonuar, dhe nuk mendojnë se përmes këtij peticioni do të arrij të bëhet ndonjë ndryshim sa i përket speciales.

Peticioni i vonuar

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Ali Lajçi thotë se ky peticion është i vonuar.

“Kuvendi e ka miratuar këtë ligj para dy viteve, e Gjykata Speciale është në prag të ngritjes së aktakuzave, kurse këta të shoqatave të dala nga lufta tash po dalin me peticion për ndryshimin e këtij ligji. Unë mendoj se kjo është vonuar. Le të bëjnë përpjekje, nuk është problem por mendoj se kjo është kotë”, thotë Lajçi për “Bota sot”.

Por, Lajçi thotë se kjo gjykatë nuk është dashur të votohej në fillim, sepse sipas tij është e njëanshme.

Image
Deputeti i Vetëvendosjes, Ali Lajçi

“Kjo gjykatë është e njëanshme sepse është vetëm për një komunitet po tash ka është bërë kjo punë sepse institucionet tona kanë qenë pa një përfaqësim dinjitoze dhe e kanë sjellë formimin e Gjykatës”, shtoi Lajçi.

Kurse, në Lidhjen Demokratike të Kosovës ende nuk kanë një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje, por ata thonë se kjo iniciativë është e kotë dhe nuk do të gjej mbështetje në kuvend.

“Ne në LDK ende nuk kemi një qëndrim zyrtar lidhur me peticionin, por unë mendoj se kjo iniciativë për ndryshimin e Gjykatës Speciale është e kotë dhe nuk do të marr mbështetje në kuvend. Plus një gjë e tillë nuk do të lejohet edhe nga ndërkombëtarët, sepse tashmë kjo gjykatë pritet shumë shpejt të startojë me aktakuzat e para”, thotë për “Bota sot”, një burim i brendshëm i LDK-së që nuk ka dashur të deklarohet publikisht.

AAK e përkrah peticionin

Ndryshe, nga kolegët e LDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, mendon shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi.

Ai thotë se themelimi i kësaj instance ndërkombëtare të drejtësisë për të gjykuar krimet e pretenduara të UÇK-së, është i padrejtë.

Image
Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi

“Në si aleancë kemi qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, sepse ishim të bindur se po bëhet një gjykatë, e cila gjykon vetëm shqiptarët e Kosovës, konkretisht pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por jo kriminelët e vërtetë që kanë bërë krime në Kosovë”, thotë Isufi për “Bota sot”.

Ai thotë se AAK do të përkrah, peticionin e organizatave të dala nga lufta.

“Prandaj, çdo tentim i ndryshimit të projektligjit normalisht që do ta përkrahim me kusht që në Kosovë të jetë Gjykata Speciale dhe të ketë argumente të fuqishme të cilat nuk e dëmtojnë lirinë e Kosovës dhe luftën e drejtë të popullit shqiptare”, shtoi Isufi.

Gjoshi: Gjykata Speciale çështje e kryer

Nga ana tjetër, avokati Adrian Gjoshi thotë se çështja e speciales është punë e kryer.

“Gjykata Speciale dhe përmbajtja e ligjeve me të cilat do të punoj kjo gjykatë janë çështje e kryer. Tashmë çdo peticion, mocion dhe miratim potencial për plotësim-ndryshim të këtij ligji është i kotë. Për më tepër, ky forum dhe juridiksion nuk ka qenë asnjëherë më afër ngritjes së aktakuzave”, thotë avokati Gjoshi për “Bota sot”.

Sipas Gjoshit, nga Gjykata Speciale subjekt i akuzave mund të jenë edhe pjesëtarët e komuniteteve tjera në Kosovë, jo vetëm shqiptarët.

Image
Avokati, Adrian Gjoshi

“Një çështje duhet sqaruar një herë e mire: Subjekt i aktakuzave të Gjykatës Speciale mund të jetë kushdo që dyshohet se ka kryer ose ka filluar kryerjen e krimeve në Kosove. Sipas nenit 9 të ligjit me të cilin u krijua kjo gjykate, asnjë nacionalitet dhe asnjë shtetas nuk është i përjashtuar nga juridiksioni i Gjykatës Speciale. Pra, juridikisht, mund të ndiqen edhe serbët për krimet e kryera në Kosovë”, thotë më tej Gjoshi.

Ai thotë, se duhet të angazhohet edhe Prokuroria Speciale e Kosovës në mënyrë që të ngritën aktakuza ndaj serbëve për krimet në Kosovë.

“OVL E UÇK-se nuk duhet të kërkoj diçka që tashmë veç ekziston (mundësia e ndjekjes se krimineleve serb), por duhet të kërkoj atë që për neve është e panjohur - se a po kryen Kosova detyrat e saj? OVL Duhet të kërkoj dhe të brengoset se a është aktivizuar Departamenti për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, në dërgimin e materialeve provuese (fakte, prova dhe dëshmi) që do të dëshmonin përtej çdo dyshimi krimet e kryera të serbëve në Kosovë. Nëse nuk do të ndiqen kriminelet serb një pjesë të fajit mund ta bart edhe Republika e Kosovës”, shtoi Gjoshi.

Kelmendi: Deputetët aktual nuk kanë guxim të ndryshojnë Ligjin për Specialen

Kurse, profesori i së drejtës juridike, Muhamet Kelmendi shprehet skeptik sa i përket përbërjes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, deputetët nuk kanë guxim të votojnë për ndryshimin e projektligjit që po kërkohet nga shoqatat e dala nga lufta.

“Ndryshimi i këtij ligji nuk ka mundësi që të ndodhë, sepse e njoh natyrën e tyre, e njoh frikën e tyre, pozicionin e tyre, interesat e tyre financiare për rrogat që marrin dhe nuk mendojë se ata kanë guxim për të bërë një gjë të tillë”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Njohësi i cështjeve juridike, Muhamet Kelmendi

Por, sipas tij deputetët nuk mund mos të marrin parasysh këtë peticion nëse ai përkrahet nga një numër i madh i qytetarëve në vend.

“Unë mendoj se nëse arrijnë organizatat e dala nga lufta që të bëjnë një numër konsiderueshëm të nënshkruesve të peticionit, atëherë kuvendi e ka për detyrë që të diskutojë për këtë çështje”, shtoi.

Ndryshe, në vitin 2015, me 82 vota për, Kuvendi ka votuar  është miratuar për ndryshimet kushtetuese për ngritjen e Gjykatës së Speciale.

Kurse, Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në vizitën e saj në Kosovë ka thënë se specialja është gati, dhe mbetet tek prokurorët e saj për të filluar me aktakuzat e para ndaj atyre që dyshohen se mund të kenë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat