“Vota kundër SHBA-së skandal diplomatik, dëmton rëndë interesat e shqiptarëve”

Politika

“Vota kundër SHBA-së skandal diplomatik, dëmton rëndë interesat e shqiptarëve”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 dhjetor 2017 Në ora: 14:49
OKB

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbrëmë miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA-së.

Për këtë vendim, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria votoi pro rezolutës.

"Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran", tha ambasadorja e SHBA Nikki Haley në komentet e bëra në sallën e mbushur plot para votimit.

Lidhur me votimin e Shqipërisë kundër SHBA-së, ka pasur reagime të shumta, ndërsa për gazetën “Bota sot” këtë e ka komentuar profesori Enver Bytyçi.

Ai e ka quajtur skandal diplomatik dhe politik votën e Shqipërisë në OKB, një votë që dëmton interesat kombëtare të shqiptarëve.

Image
Enver Bytyçi

“Shqipëria votoi mbrëmë kundër vendimit të presidentit amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Rezoluta e paraqitur nga Turqia dhe Jemeni mori shumicën e votave, dy të tretat në Asamblenë e Përgjithshme, por pati edhe vota pro SHBA-ve dhe vendimit të Tramp si dhe abstenime. Ambasadori shqiptar as votoi pro SHBA-ve, as abstenoi. Ky është në përceptimin tim një skandal diplomatik dhe politik. Është papërgjegjshmëri që shkon në kufijtë e tradhtisë kombëtare. Është rrjedhojë e një mentaliteti dhe kulisave të bashkëpunimit lindor të qeverisë shqiptare. Është pasqyrë e trashëgimisë politike dhe diplomatike e periudhës së diktaturës komuniste. Është mendjelehtësi dhe pasojë e miqësive personale të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me sulltanin aleat të Putinnit, përkatësisht, Erdoganin. Është një votë që dëmton rëndë interesat kombëtare të shqiptarëve”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, kjo votë ka qenë një hakmarrje e Edi Ramës ndaj SHBA-së, për angazhimin e tyre për çlirimin e Kosovës.

“Është shprehje e urrejtjes së Edi Ramës për angazhimin e SHBA-ve në Kosovë për çlirimin e saj. Është hakmarrje e Edi Ramës për atë që Amerika bëri, duke e pranuar Shqipërinë në NATO. Është pasojë e luftës personale që Edi Rama ka me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, për shkak të lidhjeve të kryeministrit shqiptar me Georg Soros dhe ideologjinë e doktrinën e majtizmit ekstrem e shkatërrues për fatin e kombit shqiptar! Është pasojë e djemve të bllokut komunist që drejtojnë diplomacinë dhe politikën e Tiranës zyrtare”, vlerëson profesori.

Për këtë votim, ai thotë se Kosovë duhet të paralajmërojë kushtëzim të marrëdhënieve me Tiranën.

“Kosova është distancuar nga ky vendim dhe qëndrim i Tiranës. Kosova do të duhet që këtë qëndrim ta dënojë ashpër, më ashpër, duke paralajmëruar kushtëzimin e marrëdhënieve të saj me Tiranën, me atë çfarë Tirana zyrtare e çdo qeverie realizon në partneritet strategjik me SHBA-të. Kosova duhet të bëjë me dije me vepra se distancohet nga Edi Rama dhe institucionet e saj duhet të reagojnë zyrtarisht me notë protestë”, ka potencuar Enver Bytyçi.

Sipas tij, kur duhet zgjedhur në mes të SHBA-së dhe Evropës, shqiptarët duhet çdoherë ta zgjedhin SHBA-në, pasi Evropa po e bllokon integrimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

“Shqipëria dhe shqiptarët po largohen nga aleanca e ngushtë nga Amerika. Për mendimin tim, edhe nëse do të viheshin në rrezik marrëdhëniet me Bashkimin Europian për shkak të një marrëdhënieje të ngushtë, speciale e strategjike, të përhershme dhe të pakushtëzuar me SHBA-të, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët duhet të zgjedhin Amerikën para Europës. Vërtet jetojmë në Europë, por jetojmë në një Europë që historikisht dhe gjithashtu në ditët e sotme na diskriminon në pikëpamje gjeopolitike. Ndryshe nuk do të hezitonin pesë vende të BE-së për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Ndryshe nuk do të bllokohej Kosova në integrimet europiane dhe liberalizimin e vizave. Sa kohë që Europa, përkatësisht BE nuk detyron Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën dhe Qipron të njohin Kosovënm, aq kohë Brukseli ose qarqe të caktuara në Bruksel duan ta mbajnë peng integrimin e Kosovës”, ka deklaruar profesori Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, ai ka thënë se Rama duke e kundërshtuar SHBA-në, ka treguar aleancën e tij me Lindjen dhe për këtë populli shqiptar duhet të vetëdijësohet.

“Nuk ndodh kjo me SHBA-të. Edi Rama zgjodhi Erdoganin dhe përmes tij Vladimir Putin, mbështetësin kryesor të palestinezëve, me qëllim që të japë një sinjal të qartë të aleancës së tij me Lindjen. Kjo i duhet për shkak të ruajtjes së pushtetit të tij absolut e të dhunshëm në politikat e brendshme. për të njëjtat arsye e si të tilla i ndërtonte marrëdhëniet e tij me vendet e lindjes edhe diktatori Hoxha. Ne duhet ta përjetojmë këtë akt antishqiptar si tragjedi, por jo pa rrugëdalje. Kjo që ndodhi mbrëmë duhet të na bëjë të vetëdijshëm se sa të rrezikuar jemi nga vetvetja, nga drejtimi dhe qeverisja lindore e instaluar në Tiranë. Askush nuk duhet të ketë dyshim për këtë. Shqiptarët duhet të kuptojnë më në fund se Lindja do na mbajë të përçarë, të ndarë, të prapambetur dhe të përbuzur në mesin e kombeve të tjera. Nëse vazhdojmë ta lejojmë Edi Ramën apo këdo tjetër të na përdorë si kavie eksperimentale, atëherë do të pësojmë fatin e sizifit. Kurrë nuk do ta nxjerrim gurin në majë të kodrës, kurrë nuk do të bëhemi komb i zhvilluar dhe i përparuar, kurrë nuk do të kemi prosperitet dhe zhvillim. Do të mbetemi lindorë jo vetëm në koncept, mentalitet, por edhe si njerëz. Do të mbetemi qytetarë të botës së tretë e të dorës së dytë. Tamam siç na duan Rusia, Serbia dhe qendra të tjera antishqiptare në Europë”, është shprehur Bytyçi.

Ai thotë se mbrëmë Rama i ka vënë gurë të rëndë në shpinën e shqiptarëve dhe i ka dhënë përparësi turpit dhe se nuk mund të vihet Soros para interesave të SHBA-së e të shqiptarëve.

“Edi Rama mbrëmë dëshmoi se i përket kësaj kategorie udhëheqësish. Duke kundërshtua SHBA-të, ai ka vene një gurë të rëndë në shpinën e shqiptarëve, i ka dhënë përparësi turpit, në vend se të respektojë vlera të tilla si mirënjohja, respekti dhe mbi të gjitha interesat e kombit të tij. Ai respektoi më shumë interesat e pushtetit të Erdogan e të Vladimir Putin, sesa interesat e shqiptarëve. Shqipëria nuk duhej t'i gëzohej "turpërimit" të Amerikës., aq më pak të kontribuonte për këtë. Shqipëria e ka vendin në krah të SHBA-ve. Presidenti Amerikan është përfaqësuesi i shtetit amerikan. Nuk mund të vihet Georg Soros dhe interesat e tij përpara interesave të SHBA-ve dhe gjithashtu përpara interesave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë e të Kosovës”, ka përfunduar profesori i çështjeve ndërkombëtare për “Bota sot”, Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat