Gjigandi amerikano-gjerman: Politikanët e Kosovës në “sulm paniku” për Gjykatën e krimeve të luftës

Politika

Gjigandi amerikano-gjerman: Politikanët e Kosovës në “sulm paniku” për Gjykatën e krimeve të luftës

Nga: A.ZH Më: 5 janar 2018 Në ora: 17:47
Gjykata e re ka për detyrë ndjekjen e figurave të UÇK-së pas një fushate dhune dhe kërcënimi gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 | Foto: Petrit Prenaj / EPA

Gjigandi mediatik amerikano-gjerman politico.eu, i ka kushtuar një shkrim të veçantë ngjarjeve politike në Kosovë, gjatë muajve të fundit. Ky medium ka vënë në fokus tentativën e politikanëve të Kosovës, për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila do të ndjekë ish-figurat e UÇK-së, për krime të supozuara lufte, përcjell Bota sot.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e plotë të politico.eu, të përkthyer nga “Bota sot”.

Politikanët kryesorë të Kosovës janë nervozuar pasi një gjykatë e posaçme përgatitet të lëshojë aktakuza për krime lufte.

Si të rënë nga qielli, një grup deputetësh u përpoqën në fund të muajit të kaluar për të pezulluar një ligj që rregullon Gjykatën e re. Dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ishte instrumental në bindjen e parlamentit për të miratuar Gjykatën Speciale në vitin 2015 nën presionin e rëndë ndërkombëtar, tani thotë se ai do të nënshkruante një legjislacion të tillë.

Por, kjo shkaktoi alarm tek fuqitë perëndimore. Departamenti i Shtetit të SH.B.A.-së shprehu "shqetësim të thellë" dhe ambasadori i SHBA në Kosovë tha se Uashingtoni do ta konsideronte shfuqizimin e ligjit si "një goditje në shpinë". Kreu i zyrës së BE në Kosovë e quajti përpjekjen të "tmerrshme" dhe "jashtëzakonisht të dëmshme  për Kosovën ".

Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe liderë të tjerë politikë, ishin anëtarë të lartë të grupit gueril të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili luftonte represionin serb mbi shumicën shqiptare etnike në një nga luftërat që shkatërroi Jugosllavinë në vitet '90. Gjykata e re ka për detyrë të ndjekë penalisht figurat e UÇK-së pas një fushate dhune dhe kërcënimi kundër serbëve, grupeve të tjera etnike dhe kundërshtarëve politikë gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.

Image
Veteranët e luftës të Kosovës duke protestuar në mbështetje të ish-komandantit të UÇK-së (UÇK) Ramush Haradinaj; foto: Armend Nimani / AFP nëpërmjet Getty Images

Tentativa për shfuqimin e Gjykatës u pasqyrua si një "sulm paniku" nga ana e politikanëve të shqetësuar, se ata mund të jenë në shënjestër të aktakuzave që priten të ngrihen në muajt e ardhshëm.

Por mundësia e përfshirjes së politikanëve në këtë gjykatë gjithashtu ngriti mundësinë e trazirave kur aktakuzat të jenë lëshuar përfundimisht. Daut Haradinaj, vëlla i kryeministrit, i cili është gjithashtu deputet dhe ish-komandant i UÇK-së, tha se "nuk ka luftëtar të UÇK-së që nuk do të bashkohet" për të parandaluar arrestimet.

Përpjekja për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale u drejtua nga Nait Hasani, një deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në pushtet, e cila u themelua nga Thaçi dhe nga udhëheqës të tjerë të ish UÇK-së.

"Gjykata e posaçme ka qenë dhe do të jetë e papranueshme për Kosovën," tha Hasani. "Është një gjykatë politike dhe dëshiron të ndëshkojë vetëm ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara të luftës", ka thënë ai.

Hasani ishte në krye të listës së 43 deputetëve që kërkuan një seancë parlamentare për të pezulluar ligjin. Kërkesa e tyre nuk u miratua nga grupi i presidencës së parlamentit, por masa mund të marrë një shans tjetër. Partia kryesore e opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, tha këtë javë se do të votojë për të hequr qafe gjykatën.

Zvarritja e gjykatës do të kthejë përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet e paqëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat të dyja aspirojnë për anëtarësim në BE në afat të gjatë. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të vitit 2008, si Rusia dhe pesë vende të BE.

Analistët thonë se përpjekjet për të shfuqizuar gjykatën, dëmtojnë Kosovën për t’u anëtarësuar në bashkësinë ndërkombëtare.

“Ky hap u pasqyrua si një “sulm paniku” nga ana e politikanëve të shqetësuar se mund të jenë në shënjestër të aktakuzave që priten në muajt e ardhshëm”, tha Besa Luzha, një analiste politike e vendosur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

"Dukemi plotësisht të papjekur si një shtet nëse përpiqemi të minojmë një detyrim ndërkombëtar, siç ishte kjo gjykatë," tha Luzha. Ajo tha se kishte shumë arsye për të kundërshtuar gjykatën - të cilën shumë shqiptarë të Kosovës e shohin si një formë drejtësie selektive - por  tentative për tradhti ndaj angazhimit ndërkombëtar dërgoi një sinjal se Kosova është "një shtet që nuk është i besueshëm".

Krenar Gashi, njohës i shkencave politike në Universitetin Ghent, tha se tentativa për shfuqizimin e Speciales, ishte një shembull i qartë i politikanëve se ata vendosnin interesat e tyre personale përpara atyre të vendit.

"Ata vetëm duan të shpëtojnë prapanicat e tyre," tha ai.

Frikësimi i dëshmitarëve

Gjykata e re, e quajtur zyrtarisht Dhoma e Specializuar, nuk ka precedent të qartë ligjor në Ballkan, apo gjetkë. Ndryshe nga gjykata që u mor me krimet më serioze në luftërat jugosllave, kjo nuk është zyrtarisht një organ ndërkombëtar. Do të funksionojë sipas ligjit të Kosovës. Por ajo është e bazuar në Hagë, me personel nga gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë dhe që financohet nga BE. Gjykata e vendosur jashtë Kosovës duhet të zvogëlojë rrezikun e kërcënimit të dëshmitarëve, gjë që ka qenë një problem i madh në përpjekjet e mëparshme për të ndjekur penalisht ish-pjesëtarët e UÇK-së

Pasi forcat e NATO-s u futën në Kosovë pas përfundimit të luftës, më shumë se 160,000 serbë u arratisën, shumë të detyruar, nga shtëpitë e tyre në qytete të tilla si Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe vende të tjera. Fëmijët, të moshuarit serbë dhe pakicat e tjera joshqiptare ishin midis viktimave, derisa shtëpitë e tyre u plaçkitën. Në një nga masakrat më të mëdha, 14 fermerë serbë pranë fshatit Gracko u vranë në afërsi më 23 korrik 1999.

Image
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte udhëheqësi politik i UÇK-së. Foto: Armend Nimani / AFP nëpërmjet Getty Images

Sot në Kosovë, mbështetja politike për gjykatën vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), një nga tre partitë më të mëdha të vendit. Tensionet vazhdojnë midis LDK-së dhe PDK-së, të themeluar nga Thaçi dhe ish-guerrilat e tjerë të lartë, për vrasjet e pazgjidhura të anëtarëve të LDK-së pas luftës, të cilat partia shpreson se dotë zbardhen nga gjykata e re.

Që nga vrasja e babait të saj në nëntor të vitit 2000, Beriane Mustafa ka pritur tre sisteme gjyqësore të njëpasnjëshme për të gjetur vrasësin e tij dhe për të dhënë llogari për vrasjen e tij. Babai i saj, Xhemajl, një gazetar i shquar dhe një këshilltar i udhëheqësit të LDK-së Ibrahim Rugova, u qëllua me armë në shtëpi. Derisa ajo priste me padurim për gjykatat e pasluftës, të administruara fillimisht nga Kombet e Bashkuara, pastaj nga një mision i Bashkimit Evropian dhe më në fund nga bashkëkombësit e saj kosovarë, gjakderdhjet e mbetura në mure nga dy vrasësit e panjohur u zbehën së bashku me shpresat e saj se ajo do të shihte drejtësinë.

Megjithëse ajo është skeptike, Mustafa e sheh këtë gjykatë të re si një shans të fundit për të fituar drejtësia dhe për ta themeluar Kosovën si një vend ku mbizotëron sundimi i ligjit.

"Nëse duam një shtet plotësisht funksional me sundimin e ligjit, duhet të merremi me të kaluarën, për të sjellë drejtësi dhe zbuluar të gjithë autorët e krimeve të luftës", tha ajo. "Ne kemi gjak në rrënjët e shtetit tonë, kështu që nuk mund ta flasim për sundimin e ligjit dhe që të gjithë të jemi të barabartë para drejtësisë ,nëse nuk merremi me këto vrasje".

Spekulimet për përndjekjet

Për vite me radhë, në Prishtinë kanë ndodhur spekulimet se cili nga politikanët më të lartë të Kosovës mund të vihet në shënjestër nga gjykata e posaçme.

Thaçi ishte udhëheqësi politik i UÇK-së dhe u përshkrua si udhëheqës i një forme të krimit të organizuar në raportin e Këshillit të Evropës 2010 që hapi rrugën për ngritjen e gjykatës. Kryeministri Haradinaj ishte një komandant i UÇK-së në Kosovën perëndimore, ndërsa kryetari i parlamentit Kadri Veseli ishte komandanti i Shërbimit të Inteligjencës. Të gjithë ata mohojnë të gjitha akuzat për kriminalitet. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë dy herë e liroi Haradinajn nga krimet e luftës.

Image
Një gjykatë franceze në prill vendosi të mos e ekstradonte Haradinajn në Serbi. Foto: Sebastien Bozon / AFP nëpërmjet Getty Images

Deklarata e Thaçit se ai nuk do të bllokonte një ligj që ngrinte legjislacionin në gjykatë, ishte një sinjal i qartë se ai donte që deputetët të provonin përsëri, tha Albert Krasniqi, një analist në Institutin Demokratik të Kosovës.

Ai tha se një revokim i tillë do të paralizonte më shumë se sa do të shpërndante gjykatën, sepse Kosova e ndryshoi kushtetutën e saj në vitin 2015 për ta themeluar atë. Për heqjen e këtyre ndryshimeve do të nevojitej përkrahja e dy të tretave të shumicës si dhe miratimi nga dy të tretat e deputetëve që përfaqësojnë pakicat, përfshirë serbët.

Krasniqi tha se gjykata në fakt mund të fitojë mbështetje publike nëse njerëzit i shohin politikanët që i konsiderojnë të korruptuar, derisa e kundërshtojnë atë. “Manovrat rreth gjykatës do të thoshin se 2018-ta do të ishte një vit thyes për Kosovën”, tha ai.

"Me këto veprime të papjekura të liderëve tanë, pavarësisht nëse do të mbijetojmë apo jo si një shtet që është në pyetje, ne rrezikojmë të jemi të izoluar nga anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare që na ndihmuan të shpallim pavarësinë”, tha Krasniqi.

"Këto janë lojëra mjaft të rrezikshme."/BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat