Pezullimi i dialogut, çfarë do të ndodhë me bisedimet Kosovë-Serbi?

Politika

Pezullimi i dialogut, çfarë do të ndodhë me bisedimet Kosovë-Serbi?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 janar 2018 Në ora: 18:03
Foto arkiv, bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel

Në ditën kur do të fillonte rundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel u pezullua pasi po atë ditë, pasi në Kosovë u vra politikani serb, lideri i Iniciativës Qytetare serbe ‘Liri, demokraci, drejtësi’, Oliver Ivanoviq.

Por kur do të vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi, ende nuk ka ndonjë datë të saktë.

Image
Avni Arifi

Flet Arifi

Shef i ekipit negociator me Serbinë, Avni Arifi ka folur për “Bota sot”, për pezullimet e bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel pas vrasjes së Ivanoviqit.

Ai ka thënë se janë duke e pritur caktimin e takimit nga Bashkimi Evropian për vazhdimin e dialogut.

“Presim BE që të caktojë takimin e radhës dhe dialogu nuk ka alternativë”, ka thënë Arifi.

Ndërsa i pyetur nga “Bota sot”, se a do të lejojë që Kosova dhe Serbia të hetojnë në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit, në qoftë se kjo do të jetë një ndër temat që do të hap ky vend fqinjë, ai e ka mohuar një gjë të tillë.

Image
Armend Zemaj

Kushtëzimet mos të kthehen në regres

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë për “Bota sot” se  institucionet e Kosovës duhet të ruajnë transparencën dhe të mos ndërrojnë kursin e bisedimeve nuk duhet lejuar apo të ketë kushtëzime të cilat kthehen në regres.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme në raport me dialogun, të ruajnë transparencën dhe njëherit të definojnë përfundimin e temave si dhe te kërkojnë llogari për mos implementimin e marrëveshjeve të arritura. Asnjë arsye nuk duhet të jetë mbi parimet themelore të normalizimit të marrëdhënieve, edhe tendencat e pushtetarëve serb të ndërrojnë kursin e bisedimeve nuk duhet lejuar apo të ketë kushtëzime të cilat kthehen në regres”, ka deklaruar ai.

Për më tepër, Zemaj ka shtuar se Kuvendi duhet të insistojë sa më tepër ta bëjë të përgjegjshëm delegacionin qeveritar për bisedime.

“Kuvendi duhet të jetë më proaktiv në kërkesën për raportim si dhe të insistoj që sa më tepër të bëj të përgjegjshëm delegacionin qeveritar për bisedime”, ka thënë Zemaj për “Bota sot” .

Image
Selim Daku

Kosova në defenzivë

Kurse, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vrasja e Ivanoviqit e vë Kosova në defanzivë.

“Serbia është e njohur për nxitje të veprimeve përmes të cilave tenton të shkaktoj trazira, panik dhe pasiuri të qytetarët e Kosovës dhe në rajon.  Jemi dëshmitarë të shumë veprimeve të tilla nga ana e Serbisë dhe nëse dikush duhet të ndërpresë bisedimet atëherë ajo palë nuk është Serbia. Kjo për shumë arsye. Shteti serb në shumë momente përmes veprimeve të llojllojshme ka fabrikuar ngjarje të cilat kanë shkaktuar pasoja në arritjen e objektivave në negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në shumicën e rasteve edhe ka diktuar temat e dialogut. Veriu i Mitrovicës ka qenë arena e zhvillimit të këtyre problemave në mes të palëve në dialog. Probleme të cilat janë krijuar vazhdimisht përmes provokimeve nga Serbia”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Daku ka thënë  se për opinionin janë të njohura rastet e fabrikimeve të problemave artificiale etnike në veri të Mitrovicës dhe se shembull konkret ishte fillimi i ndërtimi të murit ndarës në mes të komunës së Mitrovicës së veriut dhe jugut i iniciuar nga strukturat serbe, gjë që sipas tij u krijua zhurmë e madhe saqë u bë edhe pjesë e diskutimeve në dialogun e Brukselit.

“Pas përfundimit të këtij problemi erdhi provokimi tjetër nga ana e Serbisë. Ishte çështja e trenit dhuratë e Rusisë për Serbinë, me mbishkrime kundër shtetit të Kosovës i cili u nis nga Beogradi për në Mitrovicën e Veriut. Treni edhe pse nuk arriti kurrë në destinacionin e synuar dhe u kthye aty nga u nis krijoi momentum të ri në raportet Kosovës- Serbi dhe qoi në ndërmarrjen e masave policore të shtetit të Kosovës. Gjithashtu, duke mos dashur të paragjykoj vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dyshoj se ajo mund të jetë si vazhdim i fabrikimeve për tensionim të situatës nga ana e shtetit serb.  Këtë herë “fabrikimi” kishte për pasojë humbje jete. Në raport me këto situata Kosova çdo herë ka qenë në defenzivë, duke mos qenë këmbëngulëse në qëndrime dhe duke mos imponuar formatin e dialogut.. Kjo situatë dhe të tjerat në të kaluarën cdo herë kanë cenuar dialogun dhe kanë vënë në pikëpyetje qenësinë e shtetit të Kosovës. Prandaj, shteti ynë nuk duhet të bie pre e këtyre provokimeve”, ka theksuar Daku.

Ai ka shtuar se Kosova ka reagimin përafërsisht të njëjtë në secilën situatë, ndërkaq në Serbi këto momente kanë shërbyer për unifikim të klasës politike.

“Shteti i Kosovës duhet të vazhdojë dialogun, ndërkaq në dialog duhet patur qëndrime dinjitoze. Qëndrime dinjitoze mund të ketë vetëm një qeveri dinjitoze, e qeveria dinjitoze Kosovës i mungon. Prandaj dyshoj shumë në performancën e kësaj qeverie në dialogun që do të zhvillohet në bruksel, i cili do të rifilloj kur Serbia të jetë e gatshme. Është shumë me rëndësi për qytetarët e Kosovës që qeveria e ardhshme të jetë qeveri stabile në numra edhe qëndrime. Të përbëhet nga intelektual që kanë guxim, pa skandale korrupsioni dhe nepotizmi në mënyrë që edhe dialogu me Serbinë të jetë ai çfarë do ta dëshironim të gjithë”, ka përfunduar Daku për “Bota sot”.

Image
Luljeta Aliu

Kushtëzimet nga Serbia

Ndërsa, politologia, Luljeta Aliu, ka thënë për “Bota sot” se nëse pezullimi i dialogut nga ana e Serbisë dhe zhvillimet dramatike rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit shfrytëzohen për ndonjë kushtëzim të ri nga ana e Serbisë, pra ndonjë temë e re në procesin e dialogut, atëherë do t’i kemi edhe më të qarta qëndrimet dhe interesat gjeostrategjike të partnerëve ndërkombëtarë.

“Zhvillimet e fundit në lidhje me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit kanë një ngjashmëri të thellë dhe alarmante me ato të viteve të 90-ta në Kosovë. Presidenti i Serbisë, duke manipuluar me të vërtetën, ka bërë deklarata të inspiruara nga idoli dhe mentori i tij i dikurshëm, Sllobodan Millosheviq. Vuçiq, ndër thirrjeve që serbët e Kosovës mos ta lëshojnë vendin – duke aluduar se kinse qenkan të rrezikuar në Kosovë dhe po mendokan ta lëshojnë vendin – ai edhe ju tregoi qytetarëve serb të Kosovës, cila ka qenë arsyeja e vizitës së tij:  “Unë erdha për t’u treguar shqiptarëve se Serbia jo vetëm që dëshiron paqe, por do të bëjmë çmos për ta ruajtur atë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Jam për të siguruar qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurisë për çdo familje serbe dhe shqiptare”, kishte thënë Aleksandar Vuçiq. Nëse e kujtojmë fjalimin e Sllobodan Millosheviqit të vitit 1987, i cili e katapultoi Millosheviqin në pushtet dhe mundësoi që ky i fundit ta anulojë edhe autonominë e Kosovës, atëherë kjo deklaratë e ditëve aktuale e Vuçiqit e ka të njëjtin thelb dhe qëllim. Millosheviqi kishte thënë asokohe se „askush nuk do të guxojë të ju rrahë më juve“, ka deklaruar ajo.

Ajo ka shpjeguar se në esencë, pak ka dallim mes këtyre dy deklaratave edhe asokohe inskenoheshin vrasje dhe manipulohej opinioni publik sikurse tani me rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

“Në të dy periudhat qëllimi i këtyre dy liderëve serbë për kohë të gjatë të afërt me njëri-tjetrin, ka qenë dhe ka mbetur instrumentalizimi i qytetarëve serbë të Kosovës për interesa të brendshme politike dhe për shovinizmin dhe ekspansionin serb. Sikurse Millosheviqi, po ashtu edhe Vuçiqi synojnë ta marrin Kosovën, apo të paktën ta ndajnë. Vrasja e Ivanoviqit ende është duke u hetuar dhe nuk duhet të paragjykojmë. Mirëpo është e ditur se ndaj Oliver Ivanoviqit ka pasur pesë tentativa për vrasje. Meqenëse Ivanoviqi kishte sfiduar politikën serbe të udhëhequr nga Vuçiqi, por edhe kishte kërkuar që strukturat mafioze serbe në Mitrovicë të izolohesh, motivet duhet të kërkohen edhe në pjesën e strukturave të instaluara nga vetë Serbia. Edhe nga vetë radhët e politikanëve serbë, si për shembull deputeti i pavarur Slavisha Ristic apo ish-deputetja Rada Trajkovic, kemi dëgjuar ku do të duhej kërkuar për vrasësin, sepse të dy e përmendin emrin e Milan Radojiçiqit. Ndërsa dihet se Vuciqi i’u kishte falënderuar Radojiçiqit për ndihmën e tij rreth zgjedhjeve të kaluara. Figura e Radojiçiqit lidhet me mafian dhe krimin e organizuar, ndërsa është krahu i djathtë dhe lideri në hije i përkrahur në Vuçiqi”, ka shtuar Aliu.

Përgjegjësia kryesore mbi Bashkimin Evropian

Sipas saj, përgjegjësia kryesore për këtë situatë duhet të kërkohet nga vetë Bashkimi Evropian dhe se sikurse para luftës në ish-Jugosllavi, ashtu edhe tani BE-ja është mirë e informuar rreth tensioneve.

“Por ishte BE-ja ajo që neglizhoi situatën atëherë dhe tani. Ndërsa Mitrovica po mbahet e ndarë dhe është shndërruar në një konflikt të ngrirë me bekimin dhe ndihmën e BE-së. BE-ja e ka lejuar dhe ndërmjetësuar idenë e Listës Srpska në Kosovë, e cila është linja direkte e ndikimit destruktiv të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i Serbisë është ndarja e Kosovës, ndërsa qëllimi i BE-së nuk dihet. Sepse vetë BE-së i mungon vizioni dhe politika e qartë ndaj Kosovës, gjë që rezulton në një shtyrje të agjendës së saj në bazë të zhvillimeve të përditshme në Kosovë dhe Serbi, pa ndonjë strategji konkrete për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit. Në këtë aspekt, politika e BE-së në Kosovë nuk është fare më e koordinuar dhe më cilësore se vetë politika e Kosovës. Të dyjave ju mungon strategjia, burimet humane kualitative dhe përkushtimi për zgjidhjen e çështjeve jetike për Kosovën”, ka deklaruar Aliu.

“Me forcimin e Rusisë, Ballkani prapë është kthyer në rolin e saj si arenë historike e përballjeve mes fuqive të mëdha të lindjes dhe perëndimit.  Nëse pezullimi i dialogut nga ana e Serbisë dhe zhvillimet dramatike rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit shfrytëzohen për ndonjë kushtëzim të ri nga ana e Serbisë, pra ndonjë temë e re në procesin e dialogut, atëherë do t’i kemi edhe ne më të qarta qëndrimet dhe interesat gjeostrategjike të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka përfunduar Aliu për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat