Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, në një konferencë për media, të mbajtur lidhur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, deklaroi se marrëveshja aktuale është bërë në mënyrë huligane.
Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mali i Zi ka synim ta pushtojë Kosovën. Për deputetin Lajçi qëllimi i Malit të Zi dhe Serbisë është i njëjti, ekspansionizmi.
“LVV mban qëndrimin e njëjtë, për shkak të premtimit të saj për të mbrojtur sovranitetin. Synimet ekspansioniste të Malit të Zi dhe Serbisë mbesin të hapura ndaj territorit të Kosovës. Qeverisë së Malit të Zi i themi dhe duhet përsëritur se synimet e tilla janë të së kaluarës. Ata duhet të jenë të urtë, të qetë dhe të tregohen të mençur”, ka thënë Lajçi në një konferencë për media në selinë e kësaj partie.
Ndërsa, për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare ky term assesi nuk mund ta përkufizojë rastin e Kosovës me Malin e Zi.
Adlum Ramadani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ekspansionizmi nënkupton pushtim, dhe se ky term assesi nuk mund ta përkufizojë, pasi që sipas tij, përcaktimi i vijës kufitare u bë vetvetiu nga pala e Kosovës.
“Ekspansionizmi në kuptim të fjalës nënkupton pushtim. Rastin e Kosovës me Malin e Zi ky term assesi se nuk mund ta përkufizojë, pasi që përcaktimi i vijës kufitare, vetvetiu nga pala e Kosovës, iu është kërkuar Malit të Zi, ani pse qysh para Nëntorit të 2015. Në takimet bilaterale është theksuar nga të dyja palët që përfundimi i evidentimit kadastral do jetë proces i vështirë”, u shpreh njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani.
Ndërkohë, kujtojmë se lidhur me këtë çështje nesër do të mbahet edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.