Kalimi i demarkacionit lidhet me fatin politik të Thaçit

Politika

Kalimi i demarkacionit lidhet me fatin politik të Thaçit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 5 mars 2018 Në ora: 09:57
Hashim Thaçi, foto ilustrim

Çështja e demarkacionit po vazhdon të jetë ndër më të komentuarat si nga politikanët e vendit po ashtu edhe nga përfaqësues të BE-së. Miratimi i demarkacionit me Malin e zi ka të bëjë direkt me fatin e Presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe sipas deputeteve të vetëvendosjes ka edhe nga ata që sillen si “paterica” të Thaçit.

Drita Millaku deputete nga radhët e Vetëvendosjes ka thënë për gazetën “Bota sot” se, nëse i shikojmë ngjarjet në 3 vitet fundit e shohim se shumë deputetë për interesa të tyre personale kanë ndryshuar mendje që është shumë e dëmshme.

Image
Drita Millaku

“Kalimi i demarkacionit, ka lidhje direkte me fatin politik të Hashimit, por e keqja është se disa individ dhe parti politike në momente të caktuara bëhen patericë e Hashim Thaçit, kjo po ndodhë edhe me votimin demarkacionit. Gjerat janë shumë më të thella se vetëm një votim. Në qeverinë e kaluar patëm thënë se Isa Mustafa, fatin e tij politik  e ka lidh me demarkacionin dhe Asociacionin, por tani po them se edhe Ramushi e ka të lidhur fatin e tij politik dhe historik me demarkacionin. Është shumë e vërtetë se po tentohet që të “blihen deputet” ka thënë për “Bota sot” Drita Millaku deputete e VV-së.

Në lidhje më çështjen e demarkacionit, Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë shprehur të gatshëm që të votojnë dhe që të gjithë janë një gojë në këtë drejtim. Ata thonë se partia e tyre, si gjithmonë para vetes ka menduar për vendin dhe integrimin në BE dhe sidomos ajo që ka të bëjë më liberalizmin e vizave.

Deputeti i Lidhjes demokratike të Kosovës, Naser Rugova,  ka thënë se nga LDK është mirëpritur konsensusi me partitë politike shqiptare dhe se tani është çështje e partive në qeverisje se si veprojnë.

Image
Naser Rugova

“Unë mund të flas vetëm për grupin parlamentar të LDK-së, e kemi mirëpritur konsensusin me subjektet shqiptare të koalicionit qeverisës, tani është çështje e partnereve të koalicionit se si veprojnë, dëshira ime është që të gjitha subjektet shqiptare të flasin më një zë për këtë çështje shumë të rëndësishme për vendin” ka thënë Rugova.

Kurse sipas opininiostit Mentor Tahiri, Koalicioni qeverisës nuk i ka votat për miratimin e demarkacionit.

Image
Mentor Tahiri

“Kjo është e vetmja arsye pse deri tani nuk po mund të miratohet demarkacioni në Kuvend. Fatkeqësisht, disa përplasje që ndodhën të mërkurën në relacionet AAK – LDK, e bëjnë çështjen edhe më të vështirë. Shihet qartë se në kuadër të partisë e cila po udhëheq me qeverinë, ka një mungesë serioze të taktit “diplomatik”, është shprehur ai.

Ai ka deklaruar se, miratimi i demarkacionit është jetik për qeverinë.

“Nëse nuk arrihet të sigurohen votat, atëherë është e qartë se kjo qeveri nuk mund të merr përsipër një barë institucionale me kaq peshë, pra udhëheqjen e shtetit. Por, pikërisht për faktin se miratimi i koalicionit është jetik për fatin e qeverisë, ka mundësi që prapa skenave të bëhet koncesione të pamatura karshi Listës Serbe. Fatkeqësisht, përvoja e deritanishme në skenën politike të Kosovës, ka dëshmuar që ka qarqe të cilat i japin përparësi mbijetesës së tyre politike, qoftë edhe në raport me interesat e shtetit” ka thënë Mentor Tahiri.

Image
Blerim Burjani

Analisti politik Blerim Burjani, ka shpjeguar se kjo çështje po mbetet peng nga kjo klasë politike e kundërt me interesa të qytetarëve, përplot absurde dhe që s’mund të merren vesh për asgjë.

“Asgjë nuk po ec në interes të qytetarëve, të cilët edhe janë përgjegjës pse votojnë njerëz të tillë dhe deri kur. S’ka vetëdijesim, pa vetëdijesim të qytetarëve shteti më vite mund të jetë pa zgjidhje për çështjen se demarkacionit, kurse gati tre vjet asociacioni merr edhe dy vite tjera. Ushtria edhe tre vite tjera” ka thënë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat