Korab Sejdiu flet për miratimin e Kodit Penal - Bota Sot
Korab Sejdiu flet për miratimin e Kodit Penal

Politika

E enjte, 18 tetor 2018

Korab Sejdiu flet për miratimin e Kodit Penal

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 23 maj 2018 Në ora: 16:58
Korab Sejdiu

Me 6 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, të hënën kaloi miratimi në parim i Projektkodit Penal. Mirëpo deri në miratimin e këtij kodi, replikat dhe akuzat në mes anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit nuk munguan.

Ishte deputetja e LVV-së, njëkohësisht kryetare e këtij komisionit, Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se miratimi i kodit penal nuk e parandalon korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa e ka cilësuar si të nevojshme miratimin e ligjit antimafia.

Kurse, anëtari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Korab Sejdiu në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se fatkeqësisht po mbesin peng i mungesës së vullnetit.

“Kodi Penal është një prej ligjeve më të rëndësishme në vend pasi që përcakton veprat që shoqëria ka vlerësuar se meritojnë ndëshkim penal. Rrjedhimisht, këtu preken në esencë edhe vet të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, dhe si rezultat, hartimi i një kodi të tillë kërkon kujdes të veçantë. Natyrisht, edhe Kodi Penal por edhe ndonjë ligj eventual anti-mafia, që pajtohem se është i vonuar të hartohet si një tërësi e vetme, janë po aq të fuqishme sa edhe ka zbatim të tyre. Ne fatkeqësisht mbesim peng i mungesës së vullnetit, fillimisht politik, e pastaj edhe të organeve të drejtësisë, që të kemi zbatim të plotë të ligjeve, përfshirë këtu edhe ndjekjen penale të atyre që kryejnë vepra të caktuara penale. Për ta thënë më thjeshtë, ligjet nuk i ndjekin kriminelët, por njerëzit që i zbatojnë ato ligje e bëjnë atë. Dhe nuk ka vullnet për zbatim të plotë të Kodit Penal, e as miratimin apo zbatimin e një ligji anti-mafia, sepse shënjestrat e para të një zbatimi të tillë do të ishin një pjesë e madhe e klasës tonë politike dhe udhëheqëse. Prandaj, kjo klasë politike nuk ka as interesin e as vullnetin që të ndërmarrë hapa për të ndëshkuar veten.” ka përfunduar Sejdiu

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test