Tahiri: Diplomatët do të ushtrojnë trysni ndaj Kosovës në dialog, këto janë dy drejtimet e kompromisit

Politika

Tahiri: Diplomatët do të ushtrojnë trysni ndaj Kosovës në dialog, këto janë dy drejtimet e kompromisit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 maj 2018 Në ora: 23:03
Thaçi- Mogherini- Vuçiq

Diplomatët ndërkombëtarë pritet të ushtrojnë trysni ndaj Kosovës, në formimin e bashkësisë së komunave serbe si entitet pjesërisht autonomi dhe trysnia tjetër ka të bëjë me një lloj lidhje institucionale e këtij entitetit me Serbinë që të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti i Kosovës, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, pas paralajmërimit të Thaçit se do të punojnë për kompromis dhe do të arrihet një marrëveshje për Kosovën.

Dialogu me Serbinë pati filluar që nga 8 marsi i vitit 2011. Fillimisht quhej dialog teknik, pastaj kaloi në dialog politik ose dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012, e që tani është në fazën e fundit.

Kosova e Serbia tashmë janë në fazën e fundit të dialogut, ndërkaq ditë më parë Presidenti i Kosovës ka deklaruar se për Kosovën, dialogu nuk ka alternativë.

Presidenti Thaçi ka theksuar se “do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që për Kosovën nënkupton anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe njohje reciproke”.

Politologu dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Mentor Tahiri, thotë se përderisa Serbia pritet të pajtohet me ulësen e Kosovës në OKB, nënkupton edhe kompromise të caktuara nga Kosova.

Këto kompromise, sipas Tahirit, janë arsyetim i mjaftueshëm për negociatorët serbë për t’u mos u paraqitur si humbës totalë para opinionit serb.

Image
Mentor Tahiri

Tahiri thotë se kompromiset nga ana e Kosovës do të jenë në dy drejtime.

“Fakti se nga Serbia pritet që të pajtohet me ulësen e Kosovës në OKB, nënkupton edhe kompromise të caktuara nga Kosova në raport me disa çështje të rregullimit të brendshëm në raport me komunitetin serb. Këto kompromise do të jetë arsyetim i mjaftueshëm për negociatorët serbë për t’u mos u paraqitur si humbës totalë para opinionit serb. Kompromiset nga ana e Kosovës do të jenë në dy drejtime. Trysnia e parë që diplomatët ndërkombëtarë pritet ta ushtrojnë ka të bëjë me Bashkësinë e Komunave Serbe, si një entitet pjesërisht autonom. Kurse si hap tjetër i dytë do të jetë një lloj lidhje institucionale e garantuar e këtij entiteti me Serbinë, por me modalitete të tilla që të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti territorial i Kosovës dhe kufijtë e jashtëm. Për Kosovën, ulësja në OKB është jetike. Kompromiset janë të imponuara, por ajo qe Kosova duhet të tentojë është që modalitetet e bashkëpunimit të Bashkësisë së Komunave Serbe me Serbinë, të jenë të rishikueshme nga ana e Kosovës si garanci për mos devijime eventuale gjatë kohës”, pohon Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat